Nesër kur mbahet protesta e Vetëvendosjes do të ndodh edhe eklipsi i diellit

Opinione

Nesër kur mbahet protesta e Vetëvendosjes do të ndodh edhe eklipsi i diellit

Nga: Kimete Berisha Më: 31 gusht 2016 Në ora: 22:33
Kimete Berisha

Kaq rrezik është puna.

Po bëj hajgare, se me siguri krejt me pahiri ndodhin këto 'koincidenca' se ku dinë shqiptarët t'i lidhin ngjarjet me simbolika si kjo!

A është rrezik të protestosh ditën kur errësohet edhe dielli?

Ndoshta më së miri është të protestosh bash në rast eklipsesh, për ta demonstruar se si as dielli nuk mund t'u depërtojë reve të zeza kur vjen puna te do sende.

Ekspertët e fushës për të cilën e kam fjalën thonë se eklipset e diellit 'kërkojnë' nga ne që të ndryshojmë, dhe prandaj ne s'kemi çare pa ndryshuar.

Bashkë me ndryshime të mëdha, ndodhin edhe fillime të reja! 
Sepse, nesër për 'koincidencë' ndodh edhe hëna e re, që do të thotë shumë për 'ne'!

Prandaj edhe pse ky errësim i diellit do të shihet me sy të lirë vetëm nga Afrika, do ta ndjejmë energjinë e tij të madhe edhe ne. 
Do të çartemi sa s'ka më.

Jo rastësisht e kanë quajtur eklipsin në fjalë 'unaza e zjarrit'!

A me dal në protestë?
S'di çka me t'thënë!
Shoqërinë tonë e ka kapur paranoja. Është e pabesueshme se si secili prej nesh e ka një të vërtetë personale për çështje të caktuar, dhe asnjë e vërtetë nuk na bashkon më.

Unë dyshoj shumë se bëhet shtet një shoqëri që as mbeturinat nuk u mësua t'i hedh në vendin e duhur, në kantë t'bërllogut, por ende ato i gjuan në rrugë, në plazh, në hyrje të banesave, kudo.

Unë jam e sigurt se çështja shqiptare është e pazgjidhur dhe ne për njëri-tjetrin jemi bërë si jashtëtokësorë.

Nëse flet me shqiptarë të Malit të Zi kujt prej tyre ' palla' nuk i ha për demarkacionin, bile as që kanë dëgjuar për të.
Atyre s'u ha 'palla' as s'mërziten që s'kanë as shkollë të mesme në gjuhën shqipe...jo më për kufirin.

S'di çka me të thënë.
Protesto nëse shpreson se nuk është vonë.
Protesto nëse beson se nesër do të bëhet mirë.
Protesto nëse je i bindur se ke për kë.

Nëse je i lodhur dhe i mërzitur si dikush-dikush, shikoje protestën në televizion.

Ndoshta ka ardhur koha qe ne gjeneratat më të vjetra t'i shikojmë protestat në televizion. Boll kemi protestuar, e kemi bo fet!

Protestojnë vetëm ata që ende besojnë dhe shpresojnë se nuk është krejt bardh e zi.

Nëse proteston, dije se përveç errësimit të diellit dhe hënës së re, nesër ndodh edhe rrugëtimi retrograd i Merkurit (simbolit të komunikimit), që do të thotë se urrejtja dhe mosmarrëveshjet mes nesh vazhdojnë.

Edhe kur errësohet dielli, dhe kur errësohet çdo gjë, dashnia vazhdon rrugëtimin e saj. 
Prandaj është parashikuar se gjatë këtij rrugëtimi së mbrapthi të Merkurit, naj dashni e vjetër nga e kaluara mund të rikthehet përsëri 'e penduar', si zakonisht në 'dyert' e zemrave tona!

Jashtë eklipsit të diellit, këtu në Pr, nëse Ramushi me Fatmirin do t'i bashkoheshin protestës, na kishin ndihmu shumë me vendos më lehtë a me marrë pjesë a jo në protestë!

Ta shohim tash sa shqiponja po çohen nesër n'sabah me nxan autobusin e nanve.
Në nanë e 3 minuta fillon hana e re, kështu që është mirë që autobusat m'u nis fiks në këtë çast!

P.S. Kujtoj se mungesa ime duhet të ketë 'shkëlqyer' sado pak!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat