Afirmim i kombit shqiptar në përmasat botërore

Opinione

Afirmim i kombit shqiptar në përmasat botërore

Nga: Prof. Dr. Hasan Mujaj Më: 31 gusht 2016 Në ora: 23:36
Prof. Dr. Hasan Mujaj

Katër shtator 2016. Një datë e rëndësisë së veçantë. Historike. Një pasurim i historisë shqiptare. Një ngritje e shqiptarëve edhe në relacionet ndërkombëtare. Shenjtërimi i nobelistes shqiptare, i Nënës Tereze. Në Selinë e Shenjtë. Në Vatikan. Temë qendrore e medieve botërore. Për vlera të larta që shqiptarët  i dhanë botës.

Të dhënat historike dëshmojnë se edhe nga popujt e vegjël në numër dalin personalitete të mëdha që kalojnë kufijtë kombëtarë, që me bëmat e vlerat e tyre shënojnë emër të përhershëm në historinë e përbotshme.

Edhe nga historia e pasur shqiptare dolën shumë emra zulmëmëdhenj që, për merita të veçanta, u futën në enciklopeditë e popujve dhe të shteteve të ndryshme. Do veçuar p.sh. Papa Clementi XI Gio (Gjon) Françisco Albani, i lindur në vitin 1649 në një familje shqiptare në Urbino të Italisë. Studioi teologjinë e filozofinë dhe u doktorua në shkencat juridike. Në vitin 1690 mori titullin më të lartë kishtar- Kardinal. Spikaste nga zotësia e oratorisë aq sa Mbretëresha e Britanisë - Kristiana e krahasoi me Ciceronin. Në vitin 1700 mori Kurorën Papnore dhe në këtë post qëndroi njëzet vjet, 3 muaj, 3 javë dhe 3 ditë. I ruajti dhe i kultivoi tiparet kombëtare shqiptare, posaçërisht u angazhua për zhvillimin e gjuhës shqipe.

Në vitin 1900 kryeministër i Italisë qe një shqiptar, arbëresh nga Sicilia- Françesco Krispi, i cili kërkoi formimin e Shqipërisë shtet i pavarur.

Gjergj Kastrioti, personalitet historik, strateg elitar, themelues shteti e diplomat i spikatur; nobelistët Nëna Tereze dhe Ferid Murati e shumë personalitete te tjera shqiptare me famë botërore.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup të Shqipërisë (Shkupi iu mor Shqipërisë në vitin 1918 sipas Traktatit të Versajës) më 26. 8. 1910. I ati Kola, me prejardhje nga Mirdita, qe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare shqiptare. Anjeza ishte tetëvjeçare kur i vdiq i ati. E ëma Drania hapi një shitore tregtare për të siguruar ekzistencën e fëmijëve.

Si e re Anjeza Bojaxhiu u anëtarësua në shoqatën humanitare “Solidariteti” në të cilën shquhej nga kërshëria dhe interesimi për t’i ndihmuar të varfërit, të sëmurët, bonjakët etj. Në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare do t’i përkushtohet misionit të madh human të bamirësisë, por edhe misionit të lartë të mësimit dhe edukimit.  

Pati një qëndrim në Irlandë dhe në Angli për qëllim arsimimi, për ta mësuar gjuhën angleze dhe më pas u vendos në Kalkutë të Indisë.

Gonxhe Bujaxhiu, e njohur në botë me emrin Nëna Tereze, në Kalkutë përhapi  veprimtarinë humanitare dhe arsimore-edukative. Prore e angazhuar për punë cilësore dhe arritje të reja, u zgjodh drejtoreshë e shkollës së vajzave në Kalkutë.

“...jam e tëra shqiptare”

Nëna Tereze, ndonëse jo në mënyrë permanente, u mor edhe me krijimtarinë letrare. Në disa shkrime poetike të saj mund të vihet re dhuntia për të krijuar vepra artistike, prirja për të bukurën, për etikën dhe për rolin edukativ të artit. Shkrimet letrare të Nënës Tereze spikasin nga përmbajtja solidare, humane dhe edukative, por edhe nga figuracioni metaforik i ndërtimit të stilemave poetike. Edhe në këtë fushë të veprimtarisë si pikënisje frymëzimi e pati barazinë e mirëqenien e njerëzve, sidomos mbështetjen për shtresat e varfra, kultivimin e paqes e të dashurisë midis njerëzve, besimin në Zot dhe në madhështinë e tij etj.

Zëri i Nënës Tereze, që ishte zëri i lumturisë, i mirësisë dhe i dritës së diturisë, nuk mbeti i kufizuar vetëm brenda një vendi e një populli, porse u bë simbol i humanizmit, i vlerës dhe i paqes në relacionet botërore.

Nëna Tereze, e formuar me virtyte e tipare të këtilla, të cilat i mbolli ngado që vajti dhe i shpuri përpara tërë jetën, afirmoi kombin  shqiptar bijë e të cilit qe.

Pasi nga disa qarqe antishqiptare ( p.sh. Enciklopedia e Maqedonisë) ishte ngritur pohimi tendencioz për tjetërsimin e përkatësisë nacionale shqiptare të saj, Nëna Tereze hodhi poshtë këtë hipokrizi të shërbimeve destruktive për t’i dalë zot të vërtetës së prejardhjes nacionale. Kështu një autori gjerman i kishte deklaruar: “Vom Blut und von der Herkunft her bin ich ganz Abanerin.” Domethënë: “Nga gjaku e prejardhja jam e tëra shqiptare.”

Nëna Tereze, me qëllim që ta shtrijë veprimtarinë humanitare-edukative të përkujdesjes bamirëse, sidomos për fëmijët jetimë, për të sëmurët, të varfërit, për të pastrehët etj. hapi shtëpi misionesh të nënave të mirësisë në të gjitha kontinentet e  botës.

                          Mirënjohjet më të larta ndërkombëtare

Në vitin 1979 Nëna Tereze u nderua me çmimin më të lartë ndërkombëtar, “Çmimi Nobel për Paqe.” Nëna Tereze e zgjeroi dhe e thelloi veprimtarinë ndesh dukurive kriminale si p.sh. kundër drogës, prostitucionit, abortimit, keqtrajtimit të gjinisë femërore;  zhvilloi fushatë të gjerë për të ndërtuar shkolla për fëmijët e varfër dhe pa prindër, për të hapur çerdhe për parashkollorët, spitale etj.

Në vitin 1985 u nderua nga kryetari i ShBA-ve Ronald Regan me çmimin “Medalja e Paqes.” Shtëpinë e Nënës Tereze në Kalkutë e vizituan shumë personalitete botërore në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e saj humane si p.sh. Mbretëresha e Britanisë, presidentët amerikanë Xhorxh Bush, Xhimi Karter etj.

Në vitin 2002, presidenti amerikan Bill Klintoni për Nënën Tereze tha: “Ajo ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar. Ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë.”  Nëna Tereze vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkutë.

Pas Lumturimit nga Papa Gjon Pali II, tani po bëhet Shenjtërimi i Nënës Tereze.

Bartëse e Çmimit Nobel për Paqe, humanistja e madhe që me të drejtë quhet Nënë e botës, Nëna Tereze tërë jetën e vuri në shërbim të bamirësisë, të humanizmit, të dashurisë ndaj njerëzve pa marrë parasysh përkatësinë fetare, nacionale, sociale, gjinore, racore etj. Në shpirtin e madh të saj, që në moshën e re, u skalitën dhe u përqafuan virtytet më të larta të personalitetit, të cilat kaluan kufij shtetesh, dete dhe oqeane për të shënuar një emër të përbotshëm me vlera të përhershme.   

Shtatorja e Nobelistes Nëna Tereze sot ndriçon, këshillon dhe edukon nga shumë qytete jo vetëm të etnisë shqiptare, por edhe nga shumë sheshe e qytete të botës.

Emrin e Nënës Tereze sot e mbajnë me nder shumë institucione shqiptare dhe të huaja arsimore, kulturore, shëndetësore etj. dhe, nga veprimtaria e saj e thukët, motivohen për arritje të reja. Të dy shtetet shqiptare dhe bijat e tyre në Serbi, Maqedoni, Greqi e Mal të Zi tok me mërgatën anekënd botës, duhet ta shënojnë këtë manifestim madhështor dhe të rëndësishëm për historinë kombëtare me programe të posaçme  kulturore, muzikore, letrare, humane, sportive etj.

Ky manifestim, që shton një faqe të re e të ndritur në historinë shqiptare, duhet të shërbejë si shembull tipik i kultivimit të civilizimit dhe i vlerave të larta kombëtare e ndërkombëtare, të shërbejë si udhërrëfim i respektit të ndërsjellë konfesional dhe i humanizmit, i paqes dhe i tolerancës; për realitetin e Kosovës sidomos, ky shënim historik, duhet të vlejë si premisë e tejkalimit të divergjencave politike, aq të theksuara në disa struktura të ndryshme të vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat