Politika si profesion meritor apo meritokracia në politik

Opinione

Politika si profesion meritor apo meritokracia në politik

Nga: Argëtim Saliu Më: 6 shtator 2016 Në ora: 22:28
Argëtim Saliu

Është rregull i pashkruar se pas përfundimit të luftës guerile, fillon lufta diplomatike. E parë kërkon fuqi fizike, ndërsa e dyta fuqinë e mendjes. Më kujtohet thënia e ish-zëdhënësit të NATO-s, Xhejmi Shi, kur para sa viteve në Prishtinë tha se: “Ju shqiptarët jeni një popull i mrekullueshëm, por me politikanë të papërgjegjshëm.” Kemi shansin ta “demantojmë” Shi-në! Po gatishmëri a kemi? 

Gjatë këtyre njëzet viteve të fundit populli shqiptar dukshëm ka përparuar në disa segmente të jetës, por ajo çfarë është arritur deri më tani dhe si jemi zhvilluar si popull në këto kushte të sistemit plural vërtet është dëshpëruese. Prandaj si rezultat i krijimit të pakënaqësive nga dështimet e politikës, shumë analistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme po japin shpjegimet e tyre se kush janë faktorët që po dështojmë deri në këto përmasa, nëpërmjet të cilave po krijojmë një imazh të zymtë përballë të tjerëve.

Faktorët janë të shumtë, por si më kryesori që duhet veçuar dhe që na është thënë edhe nga të tjerët, është se: i duhuri duhet të jetë në vendin e duhur dhe se vetëm parimi i sitemit të 

meritokracisë duhet të realizohet në çdo organizim shoqëror, qoftë ajo organizatë publike, private ose jo-qeveriatare.

Konteksti kohor politikën shqiptare në rajon e determinon një ndërrthurje e patriotizmit dhe prioritarizimit intelektual! Në Kosovë dhe Maqedoni klasa politike në përqindje më të madhe është derivat i luftës, prandaj ka kohë që i kemi të njëjtët persona që sillen vërdall skenës politike, si politikanë aktivë në pozitë dhe opozitë. Kush me merita nga të arriturat në paqe e kush nga të arriturat me luftë. Andaj, nga këtu lirshëm mund të bëjmë një ndarje të skenës dhe aktorëve politikë para dhe pas luftës së vitit 1999 dhe 2001.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe Maqedoni, skenës politike ju lëshuan me vrap po thuaj se të gjithë luftëtarët, që nga gjeneralët, komandantët dhe luftëtarët e thjeshtë. Si kur u krijua një përshtypje se vetëm ata që ishin pjesë e luftës kanë merita dhe të drejtë të merren me politikë dhe doemos ata duhet të merren me proceset shtetërore të pasluftës. Kam bindjen se do të keqkuptohem dhe do të ketë interpretime të ndryshme rreth këtij shkrimi, mirëpo e them publikisht se nuk jam kundër askujt të merret me politikë, por sikurse politikbërja e secilit të ishte e shoqëruar edhe me rezultate konkrete dhe konform po këtyre rezultateve dhe përgjegjësisë politike, ne deri më tani do të kishim krijuar një kulturë dhe traditë më të lartë politike. E se sa mungojnë rezultatet dhe përgjegjësia politike këtë po e përjetojmë dhe kërkojmë më se tepërmi me vite. Kuptohe se këtu duhet përjashtuar ithtarët dhe ideologët e ideologjisë politike Rugoviane. Pa dyshim, asnjë herë nuk do të harohen krijuesit e kësaj doktrine politike: Dr. Ibrahim Rugova, Dr. Fehmi Agani, Arbër Xhaferi etj.  

Nëse iu referohemi teorive të shkencave politike, shumë autorë dhe studiues kanë dhënë shpjegimet e tyre para qindra dhe mijëra viteve, se inteligjentët lindin, ndërsa heronjtë i 

krijon populli, andaj vetëm të mençurit, filozofët duhet të merren me politikë ashtu ishte shprehur Platoni që nga periudha e antikitetit. Ose thënia tjetër e Platonit, se: “Një prej dënimeve për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë është se do të qeverisesh nga inferiorët, jo-kompetentët!

Gjykimi mbi rrafshin e pluralizmit politk dhe intelektual të klasës politike në Maqedoni dhe Kosovë ndërlidhet ngushtë me tre komponentë: historia për atë se çfarë kemi bërë dhe deri ku kemi arritur, aktualiteti i tanishëm i skenës dhe aktorëve politik dhe prespektiva e së ardhmes. Është e vërtet e pamohueshme se asnjëherë nuk duhet haruar kontributin e luftëtarëve për gjatë historisë. Nuk është e lehtë të sakrifikosh jetën për lirinë e të tjerëve dhe se falë kësaj sakrifice ne sot jemi të lirë dhe kemi më tepër të drejta, mirëpo tani kohërat dhe rrethanat kanë ndryshuar. Mbaroi koha e luftërave dhe strategjive luftarake, tani është koha e zhvillimit ekonomik, teknologjik dhe integrimeve dhe se për të gjitha këto procese paraqitet nevoja imediate që proceset socio-politike të udhëhiqen nga inteligjenca. Është rregull i pashkruar se pas përfundimit të luftës guerile, fillon lufta diplomatike. E parë kërkon fuqi fizike, ndërsa e dyta fuqinë e mendjes. Në lidhje me këtë Aristoteli bën dallimin në mes njerëzve me mendje të ndritur dhe të atyre që kuptojnë, por nuk kanë aftësi për mendime të pavarura. Mbi këtë fakt, ai bën klasifikimin e atyre që natyrshëm iu takon roli që të drejtojnë shtetin, ndërsa të dytëve natyrshëm iu takon pozita në shërbim të të parëve.

Tani e sa më parë skena politike ka nevojë për reforma dhe progres me frymë intelektuale dhe akademike. Shenjat e para vetëm se i kemi prezente, me reformatimin e fundit të Qeverisë së Maqedonisë dhe daljes në skenë të disa individëve profesionistë që janë pjesë të partive të ndryshme politike. Por nuk mjafton me kaq, duhet edhe më tepër dhe në masë sa më të madhe të kyqen në jetën aktive rinia shqiptare në partitë politike dhe shoqërinë civile.  

Nevoja për energji dhe imazh të ri të politikanëve me ide të reja dhe progresive është më se e nevojshme. Iku koha e politikanëve të papërgaditur, pa bagazh dhe jo të arsimuar. Lidership efektiv nuk tregohet tek fjalimet dhe tek pëlqyeshmëria, lidershipi përcaktohet nga rezultatet, jo nga atributet. Institucionet e sistemit janë produkt i njerëzve që punojnë në të. Nëse në të punojnë politikan demokratë, i tillë do të jetë edhe sistemi shtetëror.

Skena politike shqiptare në Maqedoni ishte e mbushur me politikan të profileve të ndryshme, rrall e hiq kemi politikan profesionist me edukim në shkencat politike dhe juridike, të cilët krahas mangësisë në edukim dhe shkollim, shumica prej tyre ishin edhe pa përvojë pune. Kujtojmë se në Maqedoni kishim edhe ministra pa asnjë ditë përvojë pune! Më kujtohet thënia e ish-zëdhënësit të NATO-s, Xhejmi Shi, kur para sa viteve në Prishtinë tha se: “Ju shqiptarët jeni një popull i mrekullueshëm, por me politikanë të papërgjegjshëm.”

Kemi shansin ta “demantojmë” Shi-në! Po gatishmëri a kemi?  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat