‘Zonja Meri’ e politikës dhe luftës

Opinione

‘Zonja Meri’ e politikës dhe luftës

Nga: Ridvan Emini Më: 21 shtator 2016 Në ora: 22:10

Parashikimi i fatit, historikisht njihet si një rrjedhë e domosdoshme e ngjarjeve. Sipas parashikuesve që ne i njohim edhe si falltor, ngjarjet në botë janë të paracaktuara. Ato në njëfarë forme sipas tyre janë të paracaktuara të ndodhin si pasojë e një qenie e cila është e mbinatyrshme, e që në shoqërinë tonë njihet si Zot. Rrjedha e këtyre ngjarjeve në botë sipas parashikuesve të fatit është e bazuar kryekëput në një lloj rendi natyror i cili është i paravendosur në gjithësi.

Parashikime të tilla bëhen edhe për politikën. Se kush do të arrijë atë apo këtë, cilat janë pasojat e cilat janë të mirat e veprimeve të caktuara. Mirëpo, këto mbetën vetëm në rrafshin ëndrrave të treguara dhe të hipotezave, të cilat në të shumtën e rasteve kanë të bëjnë me një lloj propagande të caktuar politike, për të mos thënë që kanë të bëjnë me një dituri kryekëput të rreme. Ato si të tilla vetëm sa e bëjnë më të mjegullt situatën, e assesi nuk e bëjnë atë më të ndritur.

Sa herë që ngritët një çështje në Kosovë me karakter politik, ajo pasohet me shumë emisione speciale, me shumë komente të ‘analistëve’ politik, me shumë pro e kundër, ndërsa çështja e vërtetë shndërrohet në diçka që më nuk e njeh as prodhuesi apo krijuesi i saj.

Ngjarjet në Kosovë nuk janë të jashtëzakonshme. Ato janë vetëm ngjarje të rëndomta, ndërsa parashikuesit e situatave kaotike, pa dyshim mund të themi se kanë vetëm ëndrra të këqija, pra këtu bëhet fjalë për konflikte të brendshme mendore që shpërthejnë, e që janë të ushqyera nga tendenca kontradiktore. Një ëndërr e tillë nënkupton se në ekzistencën e tij ëndërruesi po kalon një periudhë kohore të tendosur, madje të rrezikshme sepse i mungon në tërësi ndërgjegjja.

Ëndrra si mjet kontrolli

Për Frojdin ekzistonin dy shkase të ëndërrimit. Në rastin e parë ai thotë se gjatë kohës së gjumit ndonjë dëshirë e pavetëdijshme ka gjetur fuqi të shfaqet në ego, ndërsa në rastin tjetër ai thotë se kemi të bëjmë me ndonjë synim të mbetur nga gjendja e zgjuar, ku në gjumë nëpërmjet elementeve të pavetëdijshme arrin të fuqizohet. Kësisoj, ëndrra është plotësim i dëshirës së pavetëdijshme dhe ajo shërben për të shprehur dëshira seksuale, ndërsa në rastin tonë konkret të ‘Zonjës Meri’ të politikës dhe luftës, kemi të bëjmë me shprehje edhe të dëshirës politike. Një ëndërr e tillë për një luftë në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, njëherë në potencë për të ndodhur me 1 shtator të këtij viti gjithnjë sipas parashikuesit të fatit, e shtyrë në një afat pesë vjeçar nga parashikuesi i njëjtë, pra “Zonjës Meri” të politikës dhe luftës, i takon vetëm kategorisë së tretë që Frojdi i bënë ndarjes së ëndrrave, pra ëndrrës së pakuptimtë. Andaj, nga aspekti i psikanalizës, lufta konsiderohet si shprehje e agresivitetit dhe të destruktivitetit të njeriut.

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi, përveçse u shndërrua në një temë e cila harxhon energji dhe krijon amulli, ajo u bë edhe kauzë politike. Kauzë për opozitën e cila në pamundësi për të ofruar ndonjë alternativë qeverisëse qytetarëve, tashmë nëpërmjet klerit shpirtëror(njëkohësisht edhe falltorit), pra ‘Zonjës Meri’ të politikës dhe luftës, ka filluar të shpalos ëndrrat e saja. Në pamundësi të realizimit të vet politik, kleri shpirtëror opozitar po tenton që nëpërmjet ëndërrimeve të tija, të përhapë frikë me pretekstin se vendi do të hyjë në një luftë të re.

Kjo tentativë e ‘Zonjës Meri’ të politikës dhe luftës, në një kohë kur civilizimi ka përfshi edhe shqiptarët, nuk mund të konsiderohet me vlerë, përkundrazi një parashikim të tillë e shohim më shumë si një gjendje të rëndë shpirtërore të klerit opozitarë, pra ‘Zonjës Meri’ të politikës dhe luftës. As më shumë e as më pak se sa një gjendje parapolitike të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat