A po ndryshojnë kufijtë e Ballkanit Perëndimor?

Opinione

A po ndryshojnë kufijtë e Ballkanit Perëndimor?

Nga: Shkelzen Marevci Më: 23 shtator 2016 Në ora: 15:30
Ilustrim

Në vazhdimësi ka pasur thashetheme, argumente, kundërargumente, pro dhe kundër ndryshimeve të kufijve në Ballkanin Perëndimor. Mirëpo, për ta kuptuar se a do të ketë ndryshim të kufijve apo jo në këtë rajon, duhet të analizohen zhvillimet dhe situatat që janë duke mbretëruar aktualisht brenda shteteve që janë pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe pretendimet e këtyre shteteve. Asnjëherë nuk ka mundësi që të arrimë në konkluzion të saktë sa i përket kësaj teme pa i analizuar zhvillimet dhe pretendimet politike në Shqipëri, Kosovë, Mali të Zi, Serbi, Maqedoni, Bosnje, si dhe në Greqi.

Ky rajon, patjetër duhet të trajtohet si tërësi nëse dëshirojmë të marrim përgjigjen e saktë se a do të ketë lëvizje të kufijve apo jo. Copëtimi apo shpërndarja e popullit shqiptarë në disa shtete, ndikon që politika e Shqipërisë të parasheh një dozë ndikimi apo më mirë të themi interesimi lidhje me zhvillimet politike në Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi dhe Greqi, sepse Shqipëria si shtet amë ka obligim të kujdeset për mirëqenien e shqiptarëve në këto vende të lartcekura. Gjithashtu, Serbia është nga vendet që nuk mundet të mos tentoj ta shtrij ndikimin e saj dhe të mos interesohet për serbët në Kosovë, Mal të Zi, Bosnje dhe Maqedoni. Kjo ndërlidhje ndërmjet popujve të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe tendencat e pretendimet e këtyre shteteve, kanë krijuar situata me konflikte të armatosura në të kaluarën e afërt dhe kanë krijuar një paqëndrueshmëri dhe raporte jashtëzakonisht të ftohura ndërmjet këtyre shteteve. Do të mundohemi shumë shkurtimisht të analizojmë ngjarjet e kaluara, të tashme dhe ato që do të vijnë, sa i përket shteteve që e përbëjnë Ballkanin Perëndimor për ta kuptuar që të paktën lënë për të dyshuar se mund të ketë ndryshim të kufijve në këtë rajon.

Serbia, si shtet që ka iniciuar dhe shkaktuar luftëra në pjesën e Ballkanit Perëndimor edhe për opinionin ndërkombëtar tanimë është e njohur si e tillë. Edhe sot e asaj dite, që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Dejtonit ka pretendime territoriale akoma në Bosnje. Pretendimet e tilla tanimë veç janë shfaqur edhe publikisht nga kërkesa për referendum e komunitetit serb në atë anë të Bosnjës (Republikën Serbe). Gjithashtu, për mua është indikativ fakti që Serbia vazhdimisht ka bërë përpjekje për ta penguar konsolidimin e shtetit të Kosovës, dhe kjo flet se Serbia nuk dëshiron të ketë fqinjësi të mirë me Kosovën dhe rrjedhimisht edhe me Shqipërinë, pra Serbia ka pasur, ka dhe do të ketë mospajtime me popullin shqiptar, deri sa të definohen njëherë e mirë vijat kufitare.

Ndikimi i Serbisë në Kosovë është shqetësues dhe këtë e dëshmon më së miri fakti që në Kuvendin e Kosovës nuk mund të vendoset për çështje të domosdoshme të shtetësisë së Kosovës, bie fjala formimi i ushtrisë apo çdo ndryshim kushtetues pa miratimin e pakicës serbe. Në mënyrë indirekte, Serbia, pa ndalur për asnjë moment ka vepruar për një qëllim, të përçoj mesazh tek shtetet e fuqishme dhe organizatat ndërkombëtare, se këta kufij nuk janë të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor. Këtë mund ta vërejmë lehtësisht në veprimet e Serbisë në Mitrovicën Veriore dhe Kosovën Lindore.

Është për të habitur fakti, se si Serbia është aq e përkushtuar ndaj territorit  të Kosovës (Mitrovicës Veriore) me investime të jashtëzakonshme në këtë anë, me mbajtjen nën kontroll nga organet e MUP-it, me një fjalë përkushtim të plotë ndaj kësaj pjese e cila tashmë veç është e pranuar nga shtetet më të fuqishme të botës si territor i Kosovës. Ndërsa, aspak nuk është e interesuar për Kosovën Lindore edhe përkundër faktit që de juro është pjesë e Serbisë! Në këtë pjesë investimet janë absolutisht të ulëta, trajtim shumë të vrazhdë ndaj shqiptarëve, të diskriminuar deri në nivele shqetësuese, etj.

Tani rrjedh një pyetje logjike: a mos vallë Serbia vepron me një prapavijë që të përçoj mesazh tek faktori ndërkombëtar se pjesa veriore e Kosovës do të mbetet në territorin e Serbisë, ndërsa Kosova Lindore në territorin e Kosovës? Apo mos ndoshta sjellja me presion të vazhdueshëm dhe antinjerëzore e Serbisë me shqiptarët e Kosovës Lindore ka për qëllim që t’i përgatis për referendum për ndarje nga Serbia dhe bashkim me Kosovën? Nëse nuk është për këto qëllime, atëherë si shpjegohet që, një shtet të investoj dhe kujdeset në të gjitha aspektet e sidomos me investime më shumë për territor të një shteti tjetër (Mitrovicën Veriore) se sa për terrorin e vetë (Kosovën Lindore)!? Athua vallë, Serbia është duke vepruar rastësisht në këtë mënyrë, apo është duke investuar në territor të vetin (Mitrovicë Veriore) e politikanët tanë akoma nuk e kanë kuptuar!?

Po e marrim tani Maqedoninë për ta analizuar shumë shkurtimisht. Shqiptarët e Maqedonisë janë shtetëpërbërës të këtij shteti. Pa shqiptarët në Maqedoni nuk mund të ketë shtet të Maqedonisë. Mirëpo, në anën tjetër qytetarët shqiptarë në Maqedoni janë njerëzit më të diskriminuar në Evropë. Nuk përfillen nga maqedonasit fare, raporti i punësimeve ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve është i pa krahasueshëm në favor të maqedonasve, tek shqiptarët mbretëron varfëri thuaja se ekstreme, ndërsa tek maqedonasit luksi ekstrem. Investimet janë absolutisht të fokusuara në komunat maqedonase, ndërsa në komunat me shumicë shqiptare investimet janë minimale. Për maqedonasit funksionon ligji dhe ju respektohen të gjitha të drejtat dhe lirit njerëzore, ndërsa shqiptarët burgosen pa gjyq dhe nuk bëhet fjalë për të drejtat e tyre. Vrasje dhe rrahje të pazbuluara kur viktimat janë shqiptarë, dënime për vrasje të sajuara për shqiptarët pa asnjë të drejt ankese, etj.

Gjithashtu çështja e emrin të Maqedonisë ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë është goxha interesante po të analizohet me kujdes. Po që se shtetit të Maqedonisë i mbetet emri kështu siç është tani, maqedonasit edhe pse popull artificial, do t’i shtohen pretendimet me një të ardhme jo të afërt për tu thirrur se gjoja maqedonasit e ditëve të sotit janë trashëgimtarët e mbretërisë që shtrihej në pjesën veriore të Greqisë antike (sipas grekëve), kjo për grekët është absolutisht e papranueshme. Qeveria e Maqedonisë e dinë mirë këtë gjë, pra që nuk ka asnjë gjasë që të pranohet ndonjëherë ky version i emrit për Maqedoninë nga pala greke.

Pra , edhe pse dihet që ky version aktual i emrit nuk pranohet nga pala Greke maqedonasit në vazhdimësi e provokojnë Greqinë duke mbushur sheshet e Shkupit me figura antike të Greqisë. Këto veprime provokuese të palës maqedonase për grekët edhe për kundër faktit që me zgjidhjen e problemit të emrit ka gjasa për tu anëtarësuar në Unionin Evropian dhe NATO, nuk kanë të ndalur. Pra, problemet e pazgjidhura për emrin dhe mospërfillja e shqiptarëve të Maqedonisë, del se Qeveria e Maqedonisë sikur nuk dëshiron t’i zgjidh këto problematika. Përse? Sepse ndoshta qëllimi është të shpërbëhet Maqedonia.

Po të ishte qëllimi që Maqedonia të ekzistoj siç është tani, jam mese i bindur që do të duhej të vepronin ndryshe qeveritarët maqedonas, të do të duhej që për një ndryshim të emrit mos ta humbin integrimin në Unionin Evropian dhe anëtarësimin në NATO në këtë kohë që nëse nuk je pjesë e këtyre organizatave nuk mundesh të jesh shtet me funksione të plota në ofrim të një jete të mirëqenë për qytetarët. Po ashtu, padrejtësitë dhe provokimet ndaj shqiptarëve nga maqedonasit kanë një prapavijë, nuk janë të rastësishme.  Mos kanë për qëllim edhe maqedonasit sikur serbët që të përçojnë mesazhin se me shqiptarët ne nuk mundemi të bashkëjetojmë!? Këtë dëshirë të maqedonasve e bënë edhe më dyshuese marrëveshja e Ohrit. Përse? Sepse kjo marrëveshje është nënshkruar nën garancinë e faktorit ndërkombëtarë dhe asnjëherë nuk është respektuar nga pala maqedonase sa i përket dygjuhësisë dhe disa pikave të tjera të marrëveshjes. Madje pak e ndoshta fare nuk ka pasur presion nga faktori ndërkombëtar për tu zbatuar kjo marrëveshje, madje, madje, Maqedonisë ju hiqen vizat edhe me zbatim gjysmak të kësaj marrëveshje. Në vend se t’i bëhet presion që të zbatohet në tërësi marrëveshja e Ohrit ata shpërblehen nga faktori ndërkombëtar!

Po çështja natalitetit, a mund të shihet me dyshim? Unë mendoj që po të analizohet edhe kjo çështje me kujdes, do të vërejmë se ka elemente që të paktën na bëjnë të dyshojmë se pikërisht kjo çështje mund të shtoj zërat nga pala maqedonase në favor të shpërbërjes së Maqedonisë. Përse? Sepse ritmi i shtimit të popullsisë tek shqiptarët e Maqedonisë është shumë i lartë në krahasim me maqedonasit. Duke qenë kështu, shqiptarët me një kohë jo shumë të largët do të jenë më shumë se maqedonasit në numër dhe rrjedhimisht do të bëhen faktori kyç në Maqedoni.

Numri i shqiptarëve veç tani ka ndryshuar në raport me maqedonasit dhe këtë e dëshmon frika e maqedonasve me ndërprerjen e numërimit të popullatës para tre apo katër viteve. Po të kishte ndonjë arsye tjetër për ndërprerjen e këtij numërimi, mendoj që deri tani kishte rifilluar numërimi, por me gjasë nuk do të filloj numërimi kurrë më, sepse maqedonasit kanë frikë nga zbulimi i të  vërtetës, pra zbulohet numri real i komunitetit shqiptar dhe maqedonas, e që padyshim është në favor të shqiptarëve. Maqedonasit e dinë mirë që, po qe së ndryshon raporti i numrit të shqiptarëve dhe maqedonasve në favor të shqiptarëve, domosdoshmërisht ndryshojnë edhe shumë gjëra të tjera, si p.sh. postet e larta udhëheqëse të Maqedonisë dhe shumë gjëra të tjera.   

Po tani çfarë e pret Ballkanin Perëndimorë, kur jemi dëshmitar të problemeve me demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, referendumit të komunitetit serb të Bosnjës (Republikës Serbe). Po akoma më keq, që Kosovën dhe Serbinë i pret demarkacioni ndërmjet tyre dhe marrëveshja për asociacionin e komunave serbe. Siç vërehet, Ballkani Perëndimor ka probleme serioze të cilat vështir që mund të kalojnë pa probleme të mëdha, e pse mos të dyshohet që mund të ketë edhe ndryshim të kufijve për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë këto probleme historike siç kishte deklaruar njëherë ish Presidenti i Serbisë.

Po faktori ndërkombëtar, a do të duhej që të luaj një rol më ndryshe karshi këtyre problemeve në këtë kazan të mbushur me ujë valë i cili quhet Ballkani Perëndimor, që dita ditës ka mundësi të shpërthej? Padyshim që do të duhej të ketë një qëndrim ndryshe sa i përket këtij rajoni. Duke e marrë për bazë nivelin e lartë intelektual dhe profesional të udhëheqësve të organizatave ndërkombëtare dhe shteteve të fuqishme, që pa miratimin e tyre nuk vendoset gjë në botë, jam plotësisht i bindur që veprimet e tyre politike dhe diplomatike nuk përkojnë aspak me gjendjen në terren. Nëse interesi i faktori ndërkombëtar është që të qëndrojnë këta kufij aktual, mendoj që do të duhej të shtoj presion mbi Qeverinë e Serbisë që t’i trajtoj shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovcë jo si njerëz të dorës së dytë, të mos ketë pretendime territoriale në Bosnje, të respektoj marrëveshjet e lidhura nën garancinë e faktorit ndërkombëtar, mos të provokoj pa reshtur shqiptarët, etj. Gjithashtu, do të duhej të shtoj presionin e jo shpërblimet për Qeverinë e Maqedonisë, që të respektoj marrëveshjen e Ohrit në tërësi, mos të persekutohen  dhe provokohen pa ndërprerë shqiptarët e Maqedonisë, të zgjidhen problemet ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë, etj.

Tani shtrohen pyetjet e madha, athua vallë mos me vetëdije dhe plan është duke u vepruar kështu nga faktori ndërkombëtar? Athua ne nuk jemi duke e ditur atë që ata e dinë? Këto përgjigje padyshim do të na i tregoj e ardhmja jo shumë e largët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat