Shëndetësia e sëmurë

Opinione

Shëndetësia e sëmurë

Nga: Mr. sci. Sylejman Salihu Më: 25 shtator 2016 Në ora: 16:36
Sylejman Salihu

Fola me një njeriun tim ,që këto ditë është shtrirë në një spital të QKUK-së në Prishtinë.E pyeta për shëndetin dhe gjatë bisedës kuptova dëshpërimin e tij.Ishte i mërzitur shumë.Gati i pashpresë. Ende po bënin prova eksperimentale për t’ia gjetur shkaktarin e një sëmundje.Ishte i pashpresë se do të bëhej mirë.U preka shumë dhe edhe u trondita.Si ka mundësi të mos ecet asnjë hap para edhe pas kaq shumë vjetësh të lirisë?

Pra edhe pas 17 vjetesh të çlirimit të Kosovës, shëndetësia e Kosovës vazhdon të jetë e sëmurë.Madje sëmundja e saj sa vjen e shtohet ,gjendja e saj përkeqësohet,pa asnjë shpresë se mund të bëhet ndonjëherë mirë.Mjekët ikin nga vendi në kërkim të një shansi më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre dhe kjo është shenjë e mjaftueshme për t’i përcaktuar diagnozën kësaj shëndetësie.Ministra,zëvendësministra,drejtorë spitalesh,repartesh spitalore, janë zënë nëpër afera korruptive,janë burgosur dhe janë liruar përsëri dhe kanë vazhduar sërish të punojnë pa i dhenë pesë pare për fytyrën e tyre dhe pa i dhënë askujt llogari.

E pacientët kosovarë të këtij shteti ,me xhepa të cekët,sa mezi ngihen bukë, nuk kanë mundësi të ikin gjetiu për të kërkuar shpëtim dhe shërim,prandaj detyrohen të pranojnë edhe variantin më të keq të gjoja shërimit apo maltretimit në spitalet shtetërore të Kosovës.Ata që i kanë mundësitë për t’i ikur këtij lloj “shërimi”apo “trajtimi” marrin rrugët e Shkupit,Tiranës,madje edhe të Beogradit.Verës një pacient i Prishtinës,më tha se spitalet e Beogradit janë plot shqiptarë.U stepa!Kjo m’u duk e habitshme,e çuditshme!Si ka mundësi?Si ka mundësi të kërkohet shpëtim dhe shërim te armiku?!

Por ja që edhe kjo po ndodh për fatin tonë të keq,sepse mjekësia kosovare është e “sëmurë” dhe gati po jep shpirt.Një fjalë e urtë popullore thotë se "zori të çon në derë të hasmit".Dhe ja,që po ndodh.Korrupsioni,nepotizmi,diletantizmi po ia sjellin mbase vdekjen dhe shpresat e të sëmurëve shqiptarë janë drejtuar gjetiu.Kjo është për t’u trishtuar,kjo është për të vënë kujën,kjo është për të dhënë alarmin apo kushtrimin:o burra,shpëtoni këtë vend,shpëtoni këta njerëz!Por burrat e mirë nuk janë në vendet ku mund të shpëtohet ky vend.Ata janë jashtë institucioneve ,kurse brenda në këto institucione që nga ministrat e deri te drejtuesit e niveleve më të ulta janë ata,që nuk shërojnë ,por shkaktojnë më shumë sëmundje,shkaktojnë më shumë viruse,më shumë ethe,më shumë trauma,më shumë vdekje,më shumë zhgënjime.

Ku është etika profesionale,ku është betimi i Hipokratit,ku është kultura e punës?! Apo si duket të gjithë këta togfjalësh janë emra abstraktë ,të cilët askush nuk i sheh,nuk i prekë,nuk i ndjen.Si ka mundësi(njerëz:si ka mundësi!!!)pacientit në spitalin e Prishtinës t’i kërkohet që të blejë vetë epruvetën,për të depozituar gjakun e tij për laborator dhe poashtu si ka mundësi ,që pacientit t’i kërkohet që ta blejë vetë tasin urinar ku do të depozitohet urina e tij për t’u nisur në laborator!!!Qesha kur e dëgjova këtë por në jetë ka edhe humor të zi.Të mos flasim për ilaçet,ato,secili e di,se do t’i paguajë vetë dhe çfarë ilaçe se:tejet të dyshimta,të cilave nuk u dihet origjina.Kjo tregon se sa larg ka shkuar fatkeqësia e pacientëve tanë në këto spitale dhe sa i rëndë është mjerimi në spitalet tona.

Nëpër dhomat e spitaleve nuk ka higjienë,nuk ka banjo dhe pacientët detyrohen të shkojnë në shtëpitë e tyre për t’u larë,që sadopak t’i ikin ndonjë infeksioni apo ndonjë zgjebe të beftë!!!Por të gjitha këto i faturohen qeverisë,kreut të shtetit,sepse Frano Bardhi,që në vitin 1635 kishte botuar disa fjalë të urta,midis të cilave njëra thoshte:”Peshku më parë qelbet në krye”.E qeverisë sonë po i vjen era.Një erë që kutërbon!!! Ajme!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat