Demokraci me apo pa dekret

Opinione

Demokraci me apo pa dekret

Nga: Ridvan Emini Më: 30 shtator 2016 Në ora: 16:08
Ridvan Emini

Asnjëri nga vendet perëndimore nuk e ka arritur nivelin kulturor e as atë jetësor duke qëndruar së koti. Atë nivel të lartë kulturor e kanë arritur vetëm me punë dhe me investime masive në të gjitha fushat. Ato investime janë bërë shumë kohë më parë, mirëpo ato mirëmbahen thuajse tërë kohën dhe ripërtërihen në mënyrë të vazhdueshme. Investimet ishin bërë edhe në fushën e arsimit. Investimet e tilla u bënë edhe në demokracitë e tyre, pa adoptuar ato vetëm sa për të thënë se jemi vende (vend)demokratik.

Kosova duke mos marrë për bazë dhe duke mos marrë mësim nga një histori e këtyre vendeve të përparuara, deshi të jetë një vend perëndimor. Mund të thuash se jemi vend demokratik, mirëpo mund të thuash në të njëjtën kohë se jemi një adoptues i keq i demokracisë. Demokracia nuk vendoset me dekret, sepse po të veprohet në atë mënyrë, automatikisht mund të themi se kemi katrahuruar qëllimin me mjetet. Mbarëvajtja e zgjedhjeve demokratike nuk mjafton, edhe pse në praktikë zgjedhjet e lira konsiderohen si një test i mirë i demokracisë. Ndërsa në të vërtetë thelbi i demokracisë është pikërisht toleranca. Pra, nuk është ligji i shumicës, por frenimi që i bë shumica vetës kundrejt cenimit të dinjitetit të pakicës.

Rrjetet sociale janë ato që po mundësojnë që secili të jetë i shprehur pa ndonjë censurë. Kjo pra paraqet nëse mund të themi atë shpirtin demokratik, sepse secili shtet ligjor ndien nevojën që të ketë sa më shumë transparencë. Ndërsa, ato shtete ku në to mbretëron korrupsioni dhe despotizmi, nuk kërkojnë transparencë, por ato vende në fakt kërkojnë sa më shumë mjegull dhe huti. Kosova aktualisht është në këtë nivel, pra në nivelin e një huti edhe të një mjegulle e cila duket se ka kapluar qe një kohë të gjatë vendin.

Vendi ka nevojë për ndryshime, jo për ndryshime qeverish por për ndryshime në të menduar. Të kuptuarit e ndryshimeve të njëpasnjëshme do të nënkupton një mënyrë të menduarit dinamik, dhe jo të fragmentuar. Duhet shikuar përtej atyre thjeshtimeve të cilat Rëne Descartes-i na ka ofruar, sepse e nevojshme në këtë nivel të cilin ekziston vendi ynë është të menduarit kompleks, sepse vetëm të menduarit kompleks mund të na nxjerr nga kjo gjendje. Një frymë tolerante, pra demokratike, mundëson frymën e garës, si në rrafshin ekonomik, po ashtu edhe në atë politik.

Në ditën ndërkombëtare të qasjes në informata, Kosova po shënon këtë ditë. Mediat, sidomos ato virtuale (portalet) janë futur në një ‘garë’ të cilën e bëjnë për klikime e jo për të dhënë lajm, ka bërë që në shumë raste, shikuesi apo shfletuesi të bombardohet me tituj të cilët në të shumtën e rasteve janë fiktiv. Ndryshimet, duhet të ndodhin edhe në media, sepse nuk është gjithçka komerciale, dhe nuk përbënë gjithçka lajm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat