Pse je rreshtuar në LSDM?

Opinione

Pse je rreshtuar në LSDM?

Nga: Hamdi Nuhiju Më: 11 tetor 2016 Në ora: 21:28
Hamdi Nuhiju

Shqiptarët në Maqedoni kanë shumë parti politike. Të drejta dhe të padrejta, të orientimit të djathtë dhe të majtë, e disa tjera janë paraqitur si orientim i qendrës, por asnjëra prej subjekteve politike shqiptare në Maqedoni deri më sot nuk ka ikur nga vija e nacionalizmit shqiptar.

Shqiptarët në Maqedoni janë përfaqësuar prej politikanëve të drejtë dhe të padrejtë, prej ministrave të drejtë dhe të padrejtë, prej deputetëve të drejtë dhe të padrejtë.

Shqiptarët në Maqedoni janë dënuar prej gjyqeve të drejta dhe të padrejta, kanë shpëtuar prej ekzekutimeve fizike me ndihmën e policëve shqiptar, por edhe janë ekzekutuar fizikisht me ndihmën e informatorëve dhe ekzekutuesve shqiptar.

Gjatë të gjitha periudhave, prej para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës, qysh prej pavarësimit të Republikës së Maqedonisë, qenien si shqiptar asnjëherë askush nuk ka mundur që ta rrezikoj, pasi që shqiptarët kanë qenë unik në identitetin e tyre, duke e ruajtur atë me ndihmën e traditave, dokeve dhe doktrinës kombëtare dhe fetare.

Gjithmonë është diskutuar labiliteti i etnitetit maqedonas, flamurit, stemës, shtetit ku ende sot e kësaj dite po diskutohet për një kontest i cili ka të bëjë me emrin e Maqedonisë.

Gjatë luftës së 2001, ata që kanë marr pjesë në luftë më kanë rrëfyer me argumente se sa frikacak janë maqedonasit. Pjesëmarrësit në luftën e 2001 shpesh herë thonë se gjatë asaj periudhe kanë pasur mundësi që të bëjnë shumë më shumë sesa që kanë bërë, por gjithmonë janë penguar nga faktori ndërkombëtar.

Gjatë periudhës së krizës së refugjatëve në Maqedoni, kur kufiri jugor dhe verior i Maqedonisë u shpallën si kufi me rrezik të lartë, e pash me sytë e mi se çfarë kapacitete kanë forcat e sigurimit të Maqedonisë, ku nuk mund të realizoheshin në të njëjtën kohë dy aksione, njëra përballja me numrin e madh të refugjatëve në kufirin jugor dhe aksioni i dytë, marrja e masave të sigurisë të një procesi gjyqësor.

Pas gjithë kësaj njohurie për gjendjen, pozitën, frikën dhe kapacitetet e etnitetit maqedonas, dhe nevojës së madhe për konsolidimin e radhëve të shqiptarëve në Maqedoni, në cilin do subjekt politik qoftë, pak duket e palogjikshme renditja në një subjekt politik maqedonas?

Edhe pse gjithmonë kam qenë pro konceptit qytetar, dhe do të qëndroj ta mbaj atë qëndrim se koncepti qytetar mund që t`i ndihmoje shqiptarëve në Ballkan që të arrijnë fazën e dytë të ëndrrës së tyre shekullore, megjithatë konceptin qytetar unë asnjëherë nuk e kam perceptuar si asimilim ose renditje në vlera të kundërta. Personalisht për mua do të ishte i kuptueshëm krijimi i një fronti të përbashkët në Kumanovë për shembull, midis shqiptarëve, romëve, boshnjakëve, turqëve, në njërën anë dhe në anën tjetër maqedonasve të ndarë në dy subjekte të mëdha politike me fronte me subjekte më të vogla politike. Ky koncept do të garantonte fitoren dhe marrjen e kontrollit jo vetëm në pushtetin lokal në Kumanovë por në tërë Maqedoninë. Mirëpo, shqiptarët, romët, turqit, boshnjakët, kanë gjëra të përbashkëta, për dallim prej shqiptarëve dhe maqedonasve.

Shqiptarët, romët, turqit, boshnjakët e Maqedonisë nuk janë armiq ndaj njëri-tjetrit dhe nuk kanë marr pjesë me vet inicativa dhe me financa të tyre në luftimin dhe zhdukjen e njëri-tjetrit.

Por, maqedonasit me shqiptarët, përveç shtetit të Maqedonisë nuk kanë asnjë gjë të përbashkët.

Si mund të renditesh në LSDM-në opozitare e cila është trashëguese e ish partisë komuniste e që ka bërë plane të vazhdueshme dhe ende bënë plane për zhdukjen e shqiptarëve?

Si mund të renditesh me LSDM-në opozitare, kur kjo parti nuk të ka mundësuar as shkollimin në gjuhën shqipe, ka burgosur shqiptar të pafajshëm dhe ka përbuzur e nënçmuar flamurin kombëtar shqiptar?

Si mund të renditesh me LSDM-në opozitare, parti e cila bazohet në ideologjinë marksiste e cila nuk pranon Zot, dinë dhe fe?  Ka vetëm një arsye se pse shqiptarët mund të rreshtohen në LSDM: interesi material personal. Jashtë këtij definicioni, secili tentim i atyre shqiptarëve të rradhitur në LSDM për ta arsyetuar qëndrimin e tyre në LSDM me idenë se do të kontribuojnë për shqiptarët është GËNJESHTËR.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat