Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta

Opinione

Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta

Nga: Reis Mirdita Më: 17 tetor 2016 Në ora: 22:21
Reis Mirdita

Hyrje

Këmbësorit i duhen gjashtë orë të dendura për të arritur buzë liqenit të bjeshkës laramane. Djerrinat e veriut dhe pjesët tjera që pak shiheshin me diellin nga lartësitë e veta të bardha, ato të jugut gjelbëronin e vise-vise ku djerrinat duhej të bashkohen në lug, qëndronte pellgu i gjerë i ujit të freskët, gjelbërosh rreth brigjeve; kurse pak sa i kaltër kur ia hedhje sytë harkut të mesëm.

Krejt kjo bukuri, kishte një fshehtësi  të habitshme, për me tepër kur njerëzit kërkonin të shihnin vendin e përpiktë nga buronte zhurma tmerruese e ujit apo e ndonjë dukurie tjetër të pakapshme për trurin gugluç në thelb të kafkës. Në të vërtetë, kjo thellësirë ku syprina e ujit formonte rrafshinën e vetme në harkun e këtyre kulmeve malore, çdo gjë dukej sikur një krijesë xhadall, krijesë e uritur për diçka të paqartë, për diçka që do të shkaktonte greminë njerëzore në shpirtrat e çiltër. Një legjendë e vjetër mijëra vjeçare e ardhur gjer në ditët tona thotë se uji i akullt i këtij pellgu mblidhej këtu nga pesë vende të largëta të botës, disa prej tyre përtej detesh të pakalueshme sa nga largësia që nuk i dihet skaji, aq nga rreziku i përpirjes nga vërdallat e valët e tyre të larta, sa malet që mbizotëronin qytetin në rrëzë të veten. Me kalimin e shekujve, kjo legjendë pësoi ndërhyrje të ndryshme sipas epokës së zbulimeve të reja në qarkullim, sidomos në aspektin gjeografik. Pas gjetjes së Amerikës u zhvillua varianti më i ngjyrosur me kuptime të reja. Sot jemi në kohën kur thuhet se ujërat e shtatë lumenjve, ndër më të mëdhenjtë të botës, në gurrën e tyre ku normalisht do të duhej të merr rrjedhën i tërë uji, ndodhej një proces marramendës, i krijuar nga një fuqi e panjohur që ndante sa një prockë dhe i jepte kahen e nëntokës drejt pellgut apo liqenit tonë, që mandej lironte një derdhje përmes grykës për të përshkuar qytetin dhe pllajën drejt lumit të lashtë që zdirgjej për në detin e magjistarëve të lashtë, të ardhur aty, nga luginat e mes lumenjve me nam.

Lumi i formuar nga këto ujëra e që pingulej ujëvarave të shpeshta, sikur merrte me vete bubullimën e lindur në zemrën e liqenit dhe nuk ndalej gjer në detin e largët; me përjashtim në një vend grykor ku zakonisht duhej të buçet më shumë se askund tjetër. Aty as zë as flluska. “Një udhëtar evlija” (njeri i mirë), thotë një legjendë vendore, nuk kish pas dëgjuar kur dikush n’anën tjetër të lumit deshi t’i thotë diçka. Udhëtari nuk dëgjonte assesi nga zhurma e ujit dhe e urdhëron: “Qetësohu begati!” N’atë çast, zhurma meu! Udhëtari dëgjoi zërin nga andej lumit t’a këshillonte të mos kaloj mbi urën më poshtë. Ajo mund të binte në çdo moment! Ishte e dëmtuar. Aty as sot nuk ka asnjë ushtimë të ujit të rrëmbyeshëm!

II

Në qytetin rrëzë malit nëpër të cilin kalon lumi i zhurmshëm, duket i qetë në krye të herës por në vete banorët vlojnë nga vakitë e paqarta dhe kryesisht të pashpjegueshme. Shumica nuk e pëson por numri i të vuajturve nuk është për neglizhencë. Sidoqoftë, njerëzit gjejnë kohë për të dalë sadopak nga telashet e veta. Gjenden kahmos të lënduar psiqikisht nga shkaqe të panjohura e nganjëherë edhe të tillë me prejardhje gjenetike. Në fakt, njëri nga personat më të njohur si të prapambetur nga truri, ulet në kafene me të tjerë të kuartit por edhe me më pak të njohur. Në të vërtetë të tjerët i shkojnë në tavolinë për t’a ngacmuar... Ai nuk priton të tregoj aventurat e veta që përjeton natën. Allaj për rreth kënaqet duke qeshur e tallur me “Indianin”. Po e thërresin Indi e Indian! Krejt kjo nga shkaku se ai flet gjithmonë për udhëtimin e tij brenda natës, nën ujë gjer në Indi ku e nxjerrin në breg të detit ose diku në brigjet e Gangut.

-Më morën nga shtrati. Më çuan te xholi* në bjeshkë dhe më gjuajtën në ujin e ftohtë akull. Bashkë me ta, në një të pasmesnatës mbërritëm në Indi. Nëpër katunde duhej të hedh një pluhur të cilin as vetë nuk e shihja; e kisha në një strajcë, e ndjeja në dorë, por nuk shihja asgjë kur e derdhja nëpër mëhallë por më shpesh nëpër shpi e mbi njerëz në gjumë apo të zgjuar. Jam i padukshëm në kësi misione të detyrueshme!

Të gjithë qeshnin pa kursim dhe kënaqeshin me marritë e Indianit. Ai nganjëherë ua tërhiqte vërejtjen:

-Qeshni, ska dëm! Ju që talleni do ta shihni filmin së shpejti!

Ndonjëri aty-këtu shtangej por harrohej dhe përsëri ditës së re, tallej... Gjer kur???!

(Vazhdon)

*liqen (huazuar nga tr. göl)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat