A rrezikon të paraqitet skenari malazez i votave shqiptare edhe në Maqedoni?

Opinione

A rrezikon të paraqitet skenari malazez i votave shqiptare edhe në Maqedoni?

Fitim Dika Nga Fitim Dika Më 19 tetor 2016 Në ora: 12:47
Fitim Dika

Shqiptarët në Malin e Zi nuk u bashkuan! Atje ka plot 8 parti shqiptare për 20-25 mijë votues shqiptarë që ka i gjithë Mali i Zi dhe këto 8 parti në këto zgjedhje dolën me tre koalicione të ndryshme apo tre lista. Kjo bëri që shqiptarët të kenë momentalisht dhe përfaqësimin më të ulët që kanë pasur ndonjëherë në këto 25 vite, me vetëm një deputet në Parlament. Nëse shqiptarët do të dilnin me një koalicion të vetëm do kishin mundësi të merrnin deri në 5 mandate, duke u bërë vërtet një faktor përfaqësues dhe i rëndësishëm i pakicave në Mal të Zi.

Që të jemi më të qartë, nga zgjedhjet e Malit të Zi shqiptarët kanë fituar sëpaku katër deputetë, por vetëm njëri është nga lista e koalicionit “Shqiptarët e vendosur”: Genci Nimanbegu. I dyti është Dritan Abazovic që u rreshtua me koalicionin Çelësi dhe sëpaku dy deputetë shqiptarë kanë qenë pjesë e listës së partisë së kryeministrit Milo Gjukanovic (PDS), Halil Dukovic dhe Luigj Ljubo Shkreli.

Sipas analizës, Nimanbegu doli tërësisht nga votat shqiptare dhe do mbrojë interesat shqiptare. Dritan Abazovic doli nga një koalicion që është kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, por për BE. Dy deputetët shqiptarë të PDS ndjekin rrymën PDS për integrim të vendit në strukturat euro-atlantike. Si shqiptarë që jemi të orientuar strikt drejt perëndimit, një votë shqiptare në Malin e Zi do ishte më e vlefshme për kryeministrin të akuzuar për afera të ndryshme korruptive Gjukanovic, sesa për partitë tjera shqiptare që nuk morrën asnjë deputet, duke u zhvleftësuar vota e tyre ose për Abazovicin që ndjek politika mes Evropës e Rusisë.

Fakt është: Në këto momente mjaft delikate, ku ne si shqiptarë duhet të përpiqemi të mbajmë larg Rusinë nga gadishulli Ballkanik, disa herë është plot me vend që të votohet edhe ajo parti “jo-shqiptare” që ndjek politika të përafërta ideologjike sesa një parti “shqiptare” që vetëm përçan votat shqiptare. Shpresoj të kuptohemi drejt!

Prova: Nëse gjithë shqiptarët do votonin për Milo Gjukanovicin, atëherë sot drejtimi euro-perëndimor i vendit malazes nuk do vihej në pikëpyetje, ngjashëm siç do ishte shumë herë më mirë që shqiptarët të dilnin të bashkuar vetëm me një koalicion. Por përçarja e tyre çon ujë në mullirin serb dhe i shërben pa dashje Rusisë që kërkon me ngulm mos anëtarësimin e shtetit të fundit jo anëtar që ka dalje në detin Adriatik.

Koncepti i situatës në Maqedoni

Në Maqedoni është e ngjashme situata. Kemi dy partitë e vjetra: BDI e pushtetit dhe PDSH-në lokaliste. Kemi një parti opozitare që ka terren të fuqishëm në veri dhe veriperëndim të Maqedonisë- BESA, që së fundi ka koalicionuar me partinë modeste RDK. Dy-tre parti që mund të gjejnë terren të denjë në jugperëndim të vendit: LR-PDSH, UNITETI dhe RDK e z.Vesel Mehmedit dhe si për të mos përfunduar këtu kemi PPD-në e dhjetra votuesve. Të gjitha partitë që janë përmendur më lartë për fushën e ndikimit të tyre kanë bërë koalicione respektive përveç BDI dhe PDSH, ndërsa mos harrojmë që dy shqiptarë Edmond Ademi dhe ish gazetari me ndikim në Maqedoni, Muhamed Zeqiri janë rreshtuar krah Zoran Zaevit dhe sipas gjitha gjasave do jenë deputet në njësitë shqiptare ku do tërheqin votat shqiptare.

Skenari i ngjashëm me Malin e Zi, pasi sistemi zgjedhor në Maqedoni është i tillë që mund të arrijnë sukses vetëm dy parti shqiptare, votat ndaj partive tjera do jenë të barazvlefshme me zero. Maqedonia gjithashtu ka problemin e Malit të Zi, për politikë maqedonase dyshuese për integrimin në NATO, duhet të jenë shqiptarët që të vendosin vijat e kuqe. Por vijat e kuqe vendosen vetëm kur janë të fuqishëm e të bashkuar. Në momentin vendimtar kur shqiptarët do duheshin të ishin bashkë, ata janë të përçarë si çdoherë. Nuk dua të mendoj se ca shqiptarë kontrollohen nga Rusia, atëherë le të mos bëhen vegla të tyre pa e ditur ose "për inat të shqiptarit". Tashmë i mbetet votuesit shqiptar që të mos votojë partitë e treta, në vend që vetë politika të përjashtonte listat e treta, katërta e kështu me radhë.

Në një shkrim tjetër do duhet të sqarohet se pse opozita shqiptare mbeti e pabashkuar!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat