Ndjenja e krenarisë për shqiptarët

Opinione

Ndjenja e krenarisë për shqiptarët

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 20 tetor 2016 Në ora: 17:47
Gjekë Gjonaj

 E martja e dytë   e muajit të ardhshëm për shtetasit amerikanë do të jetë e veçantë. Atë ditë, më 8 nëntor,   amerikanët kanë për t’ju drejtuar qendrave të votimit për të dhënë votën e tyre, për Presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në zgjedhjen e presidentit më të fuqishëm në botë do të votojnë edhe amerikanët me origjinë shqiptare, që janë shtetas.  Komuniteti shqiptaro-amerikan do të ketë mundësinë të përcaktohet  me votën e lirë për kandidatin demokrat Hillari Klinton dhe atë republikan Donald Tramp. Të njëjtën ditë  votuesit shqiptarë me psaportë amerikane  do të mund të hedhin votën e tyre edhe për  të gjithë anëtarët e Dhomës së Deputetëve dhe për një numër  anëtarësh të ri të Senatit Amerikan.

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve  amerikane  do të përdoren formularët e votimit edhe në gjuhën shqipe  në  Nju-Jork. Kjo mbase do të jetë një ndër arritjet më të mëdha e shqiptarëve në Nju-Jork, të cilën e bëri të mundur asamblisti i parë shqiptar në Asamblenë e shtetit të Nju-Jorkut, Mark Gjonaj. Ai në një deklaratë  për mediat amerikane ndër të tjera është shprehur "Barriera e gjuhës ka qenë pëngeseë për shumë qytetarë të Nju- Jorkut dhe jam i gëzuar që ky shtet ka ndërmarrë hapa që demokracia të jetë gjithëpërfshirëse. Kjo ka qenë një nga prioritetet e mia që kur jam zgjedhur, që të punoj që zërat e të gjithë komuniteteve të dëgjohen dhe te sigurojmë  që ata të kuptojnë më mirë procesin e votimit dhe zgjerimin e pjesëmarrjes në zgjedhje, diçka me shumë  rendësi për demokracinë tonë."

 Lajm tjetër  i mirë  për të gjithë ne shqiptarët është edhe njoftimi  zyrtar  se prokurorja aktive shqiptare  Suzana Shkreli, e bija e Zef dhe Maria Shkreli, me prindër nga  Amulli i Ulqinit dhe Gruda e  Malësisë së Madhe, e cila emigroi në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjen e saj në kërkim të një jete më të mirë, është nominuar për kaandidate  në Kongresin Amerikan. Ajo  do të ketë shansin  e vështirë por jo të pamundur  që në zgjedhjet e përgjithshme amerikane më 8 nëntor të këtij viti  të hyjë  në histori si shqiptaro-amerikanja e parë në Kongresin Amerikan  në shtetin e Michiganit, si kandidate e Partisë Demokratike të Amerikës. Mbetet të besojmë  dhe të shpresojmë se   Suzana Shkreli, me mbështetjen e fortë  të kandidates për president të Amerikës Hillari Klinton,  partisë së saj dhe me votën  e  amerikanëve dhe shqiptarëve  të zonës së saj elektorale  në distriktin e 8-të do të bëjë  atë mrrekulli  që nuk e bëri asnjë femër shqiptare para saj  në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse ndodh kjo fitore  historike  e Suzana Shkrelit të gjithë shqiptarët do të  ndihen  krenarë.  

 Ulqin, 18 tetor 2016

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat