Kur atdhetarizmi shihet si paternalizëm

Opinione

Kur atdhetarizmi shihet si paternalizëm

Nga: Sylejman Salihu Më: 21 tetor 2016 Në ora: 20:20
Mr. sci. Sylejman Salihu

Breshërima fjalësh kanë rënë si një rrebesh kohëve të fundit mbi Edi Ramën.Për një faj të tijin, pa faj, siç do të thoshte populli ynë. Pse mund të thuhet kështu? Edi Rama mund të ketë të meta të mëdha, por këtu ai bëri detyrën e tij si atdhetar. Sikur Edi Rama të mos kishte folur në Beograd dhe Nish për Kosovën dhe sikur të mos e kishte mbrojtur sikundër diti ta mbrojë me guxim, sigurisht se mediat dhe politikanët e Kosovës do të nxitonin sekush më shumë të hidhnin gurë dhe ta gjuanin nga të gjitha anët, kryeministrin shqiptar.

Edhe nëse ne nuk e duam atë, ai e bëri këtë, madje krenarisht, duke i dhënë leksione lirie, demakracie dhe atdhetarie Sërbisë dhe drejtuesve të saj. Folën shumë për të të gjithë, të cilët vishen me petkun e gazetarit, analistit, këshilltarit apo politikanit. Dhe kush nuk foli! Re të zeza mbushën qiellin tonë medial dhe akuza ishte e çuditshme: pse Shqipëria flet në emër të Kosovës? Pse Shqipëria ngre zërin dhe flet dhe na mbron neve nga armiku ynë shekullor? Pse Shqipëria nënë guxon të marrë në mbrojtje bijën e vet Kosovën? Vërtetë për t’u çuditur! Në vend se t’i shkojnë përgëzime dhe lëvdata kryeministrit shqiptar, i shkojnë hatërmbetje,buzëvarje dhe madje hakërrime.

Por hakërrimi më i madh vjen një ditë të zymtë nga diplomati shqiptar i Kosovës ,Enver Hoxhaj, i cili duke e konsideruar pronë të tij Kosovën, sikur u inatos, që Edi nga Tirana, marrka jo nëpër gojë por në mbrojtje Kosovën, pikërisht në kryeqytetin serb, në Beograd, atje ku kuzhina serbe ka gatuar dhe gatuan ende elaboratet më të shëmtuara dhe politikat më të egra antishqiptare në përgjithësi dhe ato antikosovare në veçanti. Edi Rama shkoi, guxoi dhe ia tha të gjitha homologut të tij, shtatgjatit Vuçiç dhe i foli për çështje tepër të nxehta, me gjakftohtësinë më të madhe. Dhe ja këndej vjen hatërmbetja e ministrit Hoxhaj, i cili lëndohet se dikush tjetër guxuaka ta marrë në mbrojtje Kosovën shqiptare, madje guxuaka ta marrë në mbrojtje shqiptari poashtu shtatgjatë nga Shqipëria Edi Rama.

Ç’janë këto paradokse në politikat tona? Ç’është ky zemërim aq i madh? Kur në vitin 1981 ndodhën demonstratat studentore dhe pastaj gjithëpopullore shqiptare në Kosovë , për Kosovën Republikë, një kohë të gjatë Shqipëria zyrtare heshti dhe kjo heshtje ishte një hidhërim i madh për ne.

Pse? Ne vriteshim dhe shkileshim nga tankset serbe dhe Shqipëria nënë, heshtte apo bënte sehir me tragjedinë e djemve dhe vajzave të një gjaku dhe të një gjuhe.Vetëm atëherë kur u paraqiten artikujt e parë në gazetën „Zëri i popullit“ ku gazetarë, analistë, autorë , politikanë, shkrimtarë, historianë shqiptarë morën në mbrojtje Kosovën, zemrat tona sikur gjetën rehati, se të paktën dikush dalka, që na mbron dhe çështjen tonë për liri dhe republikë e ndërkombëtarizon me takatin dhe kaçikun që ka. Nëna nuk heshti dhe nëna pra, foli për djemtë dhe vajzat e saj.

E ne i lexonim dhe i dëgjonim fshehurazi të gjitha këto, duke u brumosur me shpresë dhe ndjesi atdhetarie e shqiptarie. Po sot? A nuk paskëmi ende nevojë për ndihmën e kësaj nëne? A nuk e patëm nevojë ndihmën e saj në vitin 1999, kur po ndodhte spastrimi etnik i Kosovës? Ku mund të shkonim përveç se në Shqipëri? Ku mund të trajnoheshin dhe ushtroheshin ushtarët tanë përveç se në Shqipëri? E ajo i mori dhe i trajnoi dhe i bekoi si djemtë e saj e jo si thjeshtërit e saj. Po sot a nuk paska ende nevojë Kosova për ndihmën e saj, apo mbase e paskëmi kapërcyer Drinin,prandaj ne kalorësit kosovarë le t’ia hedhim një breshëri sharjesh?

Jo ministër Hoxhaj! Shqiptarët kanë nevojë gjithmonë për njëri-tjetrin dhe këtë nevojë do ta kenë gjithmonë përderisa të ketë shqiptarë. Kosova e pavarur sot ka nevojë shumë, ende shumë, për ndihmën e gjithkujt,se ajo nuk po arrinë të ecën ende në këmbët e saja, apo po ecën por duke u mbajtur me paterica.Se nuk po mbahet dot! Po mirë ministër Hoxhaj, pse Kosova sot ka nevojë dhe fytyra na qesh kur Zonja e Madhe Merkel, vazhdon ta godasë në kokë Sërbinë, pikërisht për çështjen e Kosovës, duke ia përmendur kushtet që duhet t’i përmbushë në relacion me Kosovën, nëse ajo, pra Sërbia e dëshiron karotën e Bashkimit Evropian? A nuk paskëmi nevojë ne sot ende për ndihmë politike nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, tek të cilët i kemi varur të gjitha shpresat?

Se ne e kemi provuar që nuk e kemi takatin t’i dalim përballë Sërbisë me të gjitha mjetet që kemi deri në fund? E kur ne kemi aq shumë nevojë për këto vende mike dhe aleate,si nuk paskëmi nevojë për ndihmën e Nënës Shqipëri, me emrin e së cilës ne jemi rritur, jemi mëkuar dhe jemi gatuar, kemi rënë dhe jemi ngritur sado të këqia mund të ketë pasur ajo? Madje ne edhe luftën e kemi zhvilluar me shpresë se një ditë mund të jetojmë bashkë me të, se të vetmuar dhe të ndarë, nuk do ta kemi kurrë vendin tonë dinjitoz në Ballkanin e trazuar qe 100 vjet. Ç’të keqe bëri Edi Rama, që në duelin e tij politik me kolegun e tij serb, ia tha troç, se Trepça është në Kosovë dhe u takon kosovarëve dhe pastaj edhe ua tha se sa më parë që ta njihni Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, aq më mirë do të jetë për ju dhe për krejt Ballkanin e përçudnuar.

Përse zoti Hoxha ju i varët buzët dhe përse ju mbeti hatri, prandaj? Ç’të keqe paska thënë ai në këtë mes? Kë ka goditur ai: Sërbinë apo Kosovën? Se sa më shumë miq dhe në këtë mes edhe vëllezër që flasin për ne dhe për të mirën tonë, aq më mirë do të jetë për ne. Se kështu Sërbisë i bëhet e qartë dhe e ditur se Kosova nuk është jetime, por ka edhe ajo Nënën e saj, e cila nuk guxon dhe nuk mund të bëhet rehat, por përkundrazi duhet të rrijë e zgjuar dhe fati apo fatkeqësia e njërës , është edhe fati apo fatkeqësia e tjetrës. Kësaj i thonë atdhetarizëm dhe jo paternalizëm!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat