Dobar dan Shishtavec

Opinione

Dobar dan Shishtavec

Nga: Edison Ypi Më: 21 tetor 2016 Në ora: 23:19
Edison Ypi

I largët, i ftohtë, verior, malësor, kufitar – nuk mund të lihet pa u parë një fshat i tillë. Po e le duhet të pranosh që je një parazit, një zvarranik, kërrmill, vemje, krimb, bacil.

Rruga për në Shishtavec nis në lindje të Kuksit. Humnera shkëmbore ku gjarpëron kjo rrugë, është më i thelli, më madhështori, më marramendësi kanion në Shqipëri. Sapo ke hyrë në atë mrekulli që Zoti e ka bërë me dorën e vet për sytë e tu, ndjen një shqetësim, një preokupim. Ku po të çon mushka Suzuki, kali Toyota, gomari Benz ? A e meriton këtë udhëtim ? A ke Ftesë Hyjnore të kalosh këndej ? A i plotson kushtet psiko-fizike për të vazhduar ? Zemra, mushkëria, truri, a të punojnë siç duhet ? A je shpirtërisht dhe fizikisht i përgatitur për çfarë do të shohin sytë, do të dëgjojnë veshët, çfarë do nuhasësh, çfarë do prekësh ? Në ç’mënyrë do depërtosh ? Si drejt një aventure që i dihet fillimi por jo fundi ? Si në një sallë koncerti ku luhet muzikë serioze që tallazit tabanin e shpirtit ? Si në një galeri arti ku ka vetëm kryevepra që s’mjafton jeta për t’i kqyrur ? Vazhdojnë këto pyetje verifikuese pak minuta derisa kupton dhe ndjen, se kushtet i ke plotësuar, ke trokitur në portën e duhur, mund të vazhdosh. Në të kundërt, mos i lodh kot kuajt gomerët e nemces dhe japanit. Kthehu nga u nise. Atje ku e meriton si ngordhalaq që je. Mes thashethemexhinjve të qytetit dhe zvarranikëve të kafeneve ku të shtysh ditët duke pritur të ngordhësh.

Duke udhëtuar drejt Shishtavecit të duket sikur po fundosesh pafund mes shkëmbinjve drejt një qielli tjetër, një qielli të përmbysur, një nënqielli, më të kaltër e më të bukur se ky i ditëve banale mes gromësimave të gazetave e televizioneve, pordhologëve të kudondodhur.

Përrenj që zbresin plot shkumë nga majat e maleve, lëndina, pyje, zgavra shkëmbore. Kanioni është i tëri një arenë lufte darviniane mes bimësisë mesdhetare perëndimore dhe kontinentale li dore. Çka mbetet nga ky dyluftim, është një blerim alpin që s’ka penë e penel e pentagram që e kap.

-Çfarë janë ato fshatra të magjishëm që rrezëllijnë n’ato faqe malesh ?

-Një piktor gjenial shkundi furçën. Splash-at janë fshatrat e mahnitshëm.

Thëllimi të futet në mish. Një çoban, një fëmijë i vetmuar që shkon në shkollë, një idiot që s’di se ç’flet, tre a katër fuoristrada ngjiten me zhurmë në një serpentinë malore. Janë preludi i një simfonie madhështore. Befas, nga një yrt në të majtë të rrugës, del, hiç më pak se Hajro Sef Kadria. Zoti Kadria është 89 vjeç. Asnjë gram dhjamë. Lis i moçëm. Mendja qiqërr. Ka qënë partizan. Ka qënë dhe në Kosovë. Ku nuk ka luftuar, por shyqyr që ka shpëtuar gjallë nga morri i sërbit sa gishti i madh. Kur është kthyer nga Kosova e kanë burgosur.

-Pse e burgosi kurvi një vigan si Ju Zoti Kadria ?

-Nuk e di. Kur i pyeta më thanë; Arsyen e burgosjes tënde do na e thuash ti neve. Pse më burgosën ata mua, duhej tua thoja unë atyre.

Pas një laryshie natyrore marramendëse me përrenj, korie dhe pyje, ngushtica shkëmbore mbaron. Para syve hapet një det me dallgë kodrinore. Këtu duhet me pas nja pes a gjash menie, se nja tre a katër të ikin nga bukuria, freskia, magjia.

Dy kilometra në të djathtë rrëzë një pylli me një livadh të blertë përpara, ndodhet një hotel-restorant. Hoteli gjigand prej guri duket si kështjella e Frankenshtajnit ku ti dhe Dracula mund të kënaqeni muhabet gjithë natën deri kur të zbardhet dhe gjeli i parë të këndojë n’Kollovoz. Ky hotel është vend i mirë për tu drekos. Halli se nuk nuk ka grosh. Ka vetëm mish.

Një djalë i rritur me flokë të shpupurisur dhe një i moshur pa dhëmbë, bëjnë të njëjtin qartësim; Ai fshati atje është Novoseja. Fshati tjetër është Shishtaveci. Në Novosejë jemi të gjithë shqiptarë. Në Shishtavec janë të gjithë sllavë, të gjithë goranë që flasin sllavisht. Por edhe ata edhe ne jemi muslimanë. Ata të Shishtavecit kanë ikur shumica në Angli.

Në qëndër të Novosejës, pllakë përkujtimore. “Në 23 tetor 1944 klika komuniste ka pushkatuar pa gjyq gjashtë martirë”.Dikush nga mbrapa thotë; Ata të gjashtë janë fashista. Kur kthen kokën për ta pyetur qysh e tek, kurvisti është zhdukur.

Dobar dan Shishtavec. Ky mali me plehra plot me ambalazhe dhe shishe me ngjyra në hyrje të fshatit tregon se nuk u ushqekeni keq. Kaq mbeturina në 1 ditë nuk i ka prodhu krejt Kuksi në 1 vit. Kurrkund në Shqipëri çatiat e shtëpive nuk janë si këtu, pothuaj të gjitha prej llamarine. Është e qartë se llamarinat i keni mbërthyer fort dhe nuk i merr era. Por nuk marrki vesh nga termoizolimi. Pllakat e gurit që keni përdorur me shekuj janë më të mira se llamarinat se e mbajnë shtëpinë të ngrohtë në dimër, të freskët në behar. Fuoristrada nëpër oborre. Pak shtëpi të reja. Disa vila të shtrenjta. Rrugët e brendëshme po i ndreq Banka Botërore. Shetitorja e pjerrët e Shishtavecit po shtrohet me pllaka Skrapari. Kjo ndërtesa e moçme “hoteli më i vjetër në rrethin e Kuksit” është një relike e paçmuar me vlerë mbarëkombëtare. Në këtë hotel gjatë luftës në katin e dytë kanë fjetur partizanë, ndërsa në katin e parë fashistët dhe nazistët. Mbi një mijë familje kanë ikur në Angli. Shumica në 2002. Kanë mbetur më pak se njëqint. Vazhdojnë të ikin me turlilloj marifetesh. Kanë ngritur biznese në Angli. Vijnë ndërtojnë vila, dhe ikin përsëri. Në behar dhe në dhjetor Shishtaveci është plot me emigrantë. Kemi shkollë të mesme. Si s’gjen kush një dorë gëlqere për ta fshirë nga muret lavdinë e marksizëm leninizmit dhe pseudonimin e kurvit. Kaq pak shtëpi, tetë kafene, nja dhjetë minimarkete. Më pak se 1 kilometër prej këtej është kufiri dhe Dogana. Ky hotel ka qënë “Turizmi i Shishtavecit”. E kanë privatizuar pronarët e truallit. Çfarë ke qef të hash, mish me patate, supë, groshë ? Veç fol. Kemi nga të gjitha, raki sa të duash.

Zbogom Shishtavec, mirupafshim, bye.

Kafene në Novosejë.

-Hë mo, si keni shkuar në kohën e kurvit ju të Novosejës me ata të shishtavecit.

-Janë spiuna. Spiunonin sidomos ata që vinin të arratiseshin. Si shpërblim për spiunllëkun dhe vigjilencën u jepnin punët më të mira në Kukës, sidomos në tregëti. Kurrë nuk janë persekutuar nga shqiptarët, kurrën e kurrës.

-Si e kanë kërkuar azilin në Angli Shishtavecalinjtë ? Ma thuaj të lutem skenën para nëpunësit të emigracionit ?

-Shoku Riçard, tovarish David, Gospodin Uilliam, jam goran, jam bullgar, jam sllav, jam maqedon, flas sllavisht, më jep azil politik. E meritoj azilin. Shqiptarët janë vrasës. Kemi frikë mos na therin pas bombardimeve të Sebisë nga NATO, domethënë pasi na  bombarduat ju gospodin Xhejms, ju shoku Xhon, ju tovarish Kevin, pra dua të them se azilin e meritojmë plotësisht.

-Kaq të keq janë ?

-Janë shumë të këqinj. Kanë përvojë spiunimi që e përcjellin brez pas brezi. Pakicat si të Shishtavecit që bota i ka pasuri kulturore kurvi i përdorte për spiunime.

-Në cilën gjuhë spiunonin poliglotat e spiullëkut; bullgarisht, serbisht, maqedonisht, shqip ?

-Atë nuk e di, ndoshta gollobordçe. Ç’më bëre të qesh me këtë pyrtje. E ç’rëndësi ka gjuha. Mjaft të mos kërkojnë azil në Londër duke shpif për shqiptarët, se lan nam.

Kthehem.

Jo si nëpër librat moralistikë, “i lodhur, por me shpirtin plot”, por si pas Shishtavecit dhe pas seksit, i zbrazur dhe i çlodhur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat