Mesazh për një Kryeministër shqiptar

Opinione

Mesazh për një Kryeministër shqiptar

Nga: Genc Drini Më: 22 tetor 2016 Në ora: 10:53
Genc Drini

Një kryeministër shqiptar tregon veten inteligjent në tre raste. Së pari kur e di mirë se viti ka katër stinë që përsëriten në një cikël të pa fund. Së dyti kur e di “krejt mirë” që pas pak kohësh nuk do jetë më kryeministër dhe që tjetri pas tij sidoqë mund të bëjë punë të mira si dhe ai, nuk mund ta shpëtojë botën se nuk e bën dot. Së treti, kur është i bindur se kryeministri pas ardhës dhe të gjithë kryeministrat në vazhdim mund të “mos jenë kurrë” aq inteligjentë sa duhet. Prandaj, as atyre dhe as të gjithë shqiptarëve nuk u lë pas marrëveshje enigmatike apo problematike që në thelb cënojnë pozicionet gjeostrategjike shumë shekullore të shqiptarëve veçanërisht në favor të fqinjëve si Serbia që as me luftërat njëmijëvjeçare nuk arriti ti marrë.

Shqiptarët i mbrojtën në shekuj pozicionet e tyre me detin përballë duke e pas kuptuar se pasurinë më të madhe që u dha fati e kanë në  pozitën gjeografike strategjike nga e cila mvaren sekondarisht të gjitha pasuritë tjera. Besojmë se kryeministri i Shqipërisë e di dhe që nuk mund të bësh politikë vërtetë dinjitoze dhe shumë të vlerësuar realiste kombëtare në jug të shqiptarëve dhe politikë kozmopolito-europiane në very të shqiptarëve. Pavarësisht se shtyhet nga Gjermania që punët e veta i ka të zgjidhura më së miri, e para e BE-së, në interes të BE-së , po që për shqiptarët mund të sjellë nisjen e një rrokullisjeje rrënuese.

Me qetësi mund të spjegojmë arësyen se pse në këtë shkrim ku flitet për natyrën e marrëveshjeve që mund të bëhen në mes shtetit shqiptar dhe shteteve fqinjë është përdorur fjala frënge “Inextricable” dhe jo fjala shqipe “i pa ndarshëm”. Vetëm stilistikisht për hir të bashkëtinglloreve brënda fjalës “inextricable” që të ngacmojnë me “vringëllimat e tyre agresive”. Duket sikur në një ditë me diell, një optimist i etur për shpikje fjalësh, me zor t’i ketë rrasur ato bashkëtingëllore brënda fjalës, ku ata e ndjejnë veten të ngërthyera keq dhe pa shkëputshëm. Kërcëllojnë dhëmbët si në një mallkim, kacafyten ashpër, i futen luftës për tu liruar njëra nga tjetra. Fjala inextricable me efektin akustik përcjell me shumë emocion vështirësinë e një situate përplasjesh dhe pamundësinë për tu zgjidhur, nga mund të shpëtohet ve nga “mrekullia” e ndonjë zjarri të fuqishëm lufte liri sjellëse.

Çdo marrëveshje në mes njerëzve bëhet “në ditët me diell”, gjithmonë! Për më tepër marrëveshjet mes shteteve, të gjitha bëhen vetëm në ditë vere me diell shprese, në kohët tjera qielli është me re që lëshojnë rrufe të zjarrta. Po pa asnjë përjashtim marrëveshjet ndërthuren vetëm në dy mënyra, nga rrjedhin dhe pasoja: E para ku “bashkëtingëlloreve”-shteteve- u lihet mundësia për tu zbërthyer dhe ikur kur të duan nga marrëveshjet ku i kanë futur, pa shkaktuar konflikt sepse palët kanë ruajtur pavarësinë absolute të kapaciteteve, përfshirë dhe ato prodhuese dhe shtigje rezervë për dalje në situata të më pasme konfliktuale që shfaqen krejt “të pa ftuara” dhe kur vinë habisin vetëm naivët e habitur. Mënyra e dytë e strukturimit të marrëveshjeve është kur “bashkëtingëlloret”- shtetet, në ditët verore me diell futen në një mpleksje kodike të pashkëputëshme nga njëra tjetra, në marrëveshje “inextricable”, të rrezikëshme për të nesërmen që nuk vonon dhe kërkon ndarje të detyrueshme, dhe që tashmë mund të arrihet vetëm me luftë. Marrëveshjet nisur si kompromise për interesa kalimtare gjithnjë ndërhyjnë në ekuilibrat e vendosur, i prishin ato parashikimet i shtrohen kapriçiove të konkurrencave dhe mund të çojnë në dështim, prandaj që në momentin që firmosen mbajnë dhe tharmin e një konflikti të ardhshëm. Nuk mund të jenë dhe nuk janë një çelës magjik as mirëqënieje dhe as paqeje.

Po megjithatë BE, u kërkon shteteve të Ballkanit “perëndimor” krijimin e sistemeve ekonomike të ndërlidhura për të shfrytëzuar kapacitetet prodhuese, rritur aftësitë konkurruese dhe tregjet e vegjël, e nëse kjo “nuk çalon” në logjikën ekonomike, çalon në atë politike. Kryeministri e quan treg i përbashkët ballkano perëndimor, dikush me bindje e quan mashtrim për një Jugosllavi tjetër po këtë radhë me Shqipërinë në kllapë, e Kosovën po që po, veç pa Kroacinë dhe Slloveninë që u futën direkt në BE.  Serbia nuk ka si të mos jetë e lumtur të sundojë në Jugosllavi, “është mësuar”, edhe vetëm kjo i mjafton që të shtyhet drejt BE dhe të “largohet” ca pak nga Rusia.

Serbia është e “përjetëshme” ndërsa BE është i përkohshëm dhe serbët nuk kanë pse të mos e shfrytëzojnë këtë përkohësi për të përfituar çfar mund të përfitojnë dhe tia dhurojnë Serbisë “ së përjetëshme”. Në rast se BE shkatërrohet, atëherë Serbia zhytet jo pjesërisht po e tëra në prehërin e përhershëm rus. Kjo është loja aktuale serbe. BE për të amortizuar grindjet prezente, fut plus në mes “ca zanore” bashkimeuropiane të lakmueshme si karrotë, në formën e këshillave, ndihmave, subvencioneve për disa projekte rresht. Kjo është loja e BE, kaq i mjafton. Po “marrëveshësit” shqiptarë nuk kanë si harrojnë se “eurozanoret” janë aty veç përkohësisht deri në stinën e dimrit që nuk vonon asnjëherë për të ardhë.

Të çudit kjo politikë e BE që në ankthet e veta më të thella të egzistencës, shtyn pa rezerva Ballkanin “perëndimor” krejt në të kundërtën, veçanërisht Shqipërinë edhe Kosovën për marrëveshje integruese dramatike “inextricable” të strukturave ekonomike dhe politike me Serbinë. Është një shtysë e verbër që duhet refuzuar në mënyrën më flagrante nga shqiptarët.

Mos harrojmë se dhe për vetë Gjermaninë që sot shtyhet kështu nga nevoja për tiu përgjigjur dhe presionit rus në Ballkan e mira apo e keqja se ku e çojnë politikat që po bën sot do shihen nesër, do ti vendosë rrjedha e historisë dhe nuk përcaktohet nga entuziazmi i sotëm kalimtar pragmatik gjerman. Dhe për shqiptarët po kështu. Është në interesin e shqiptarëve që BE të ketë vazhdimësi, po ajo edhe mund të mos jetë më, po në asnjërin nga rastet nuk duhet të rrëmbehemi nga entuziazmi i atyre që na shtyjnë në situata që në shekuj në mënyrë ciklike i kemi provuar në kurrizin tonë ashtu dhe në vitet e fundit. Gjermania në “optimizmin e saj krijues politik”duhet ta kuptojë se as ajo vetë dhe as BE nuk mund të lehtësohet nga presioni lindor nëpërmes Serbisë që i ka ambiciet e veta në sintoni me ambiciet ruse, duke i sakrifikuar dhe futur shqiptarët në kurth të pa parë me serbët.

Kjo se marrëveshjet e bëra në “ditët optimiste me diell” shtrihen në të gjitha stinët, dhe në periudhën e egër të acartë të dimrit kur “bashkëtingëlloret”-shtetet, egërsisht do fillojnë pa tjetër të kërcasin dhëmbët dhe ngrejnë armët kundër njëri tjetrit, e ndërkohë të pa anëshmet, “zanoret” ndërkombëtare do jenë zhdukur nga fusha betejës duke ia lënë luftës së re dramatike rikrijimin e ekuilibrave në Ballkanin perëndimor. Kështu ndodhi në Bosnje, pas luftës së tmerrëshme ku serbët pas krimeve të përbindshme fituan dhe 20 % territore më shumë në Republikën Serbe të Bosnjes.

“Zanoret” europerëndimore nuk dihet ku qenë futur. Në këto rrethana do e çmojmë fort kryeministrin nëse ngul këmbë që viti ka katër stinë edhe kur ndërkombëtarët i thonë se me serbët ka vetëm një stinë të ngrohtë vere. Shihni shtetin jugor “mik”, Greqinë, anëtaren e NATOS që na tregon sesi ndryshojnë stinët, dhe këto ditë vringëlliu armët për të mbrojtur interesa arbitrare. Përse Serbia që ka kaq shumë eksperiencë të freskët dhune nuk do ta bënte së shpejti një gjë të tillë? Ndërsa gjermanëve si argument mjafton tu kujtojë se gjatë 100 viteve të fundit edhe ata e kanë mësuar nëpërmes kurrizit të tyre që viti ka katër “stinë”.

Do ta çmonim kryeministrin dhe më shumë në rast se nuk ndjek ose nuk shtyhet dhe nga filozofia viskoze e Turqisë shpallur në politikën “zero probleme me Serbinë”. Pas luftave të viteve të fundit, ndërhyrjes së NATOS që mbështeti shqiptarët e sulmuar keq nga serbët, prap zgjidhja politike iu nënshtrua dhe pragmatizmit politik kompleks të dyzuar europian. Ahtisari me planin e tij të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dha një shembull të mjerë të shkatërrimit të raporteve reale shqiptaro serbe në pas luftë në disfavor të shqiptarëve dhe la Kosovën në një administrim të vështirë duke lejuar rrëshqanimin e pa ndërprerë të Serbisë në të, aq sa përpjekjet e Shtetit të Kosovës për të dalë nga ajo situatë të kujtojnë përpjekjet e Laokontin. A nuk mjafton kjo për të kuptuar se nuk duhet dëgjuar çdo këmbanë nga BE se mund të vijë dhe si zgjidhje gjysmake dhe e dëmëshme?

Shumë politikanë po shprehen për “pajtimin” që duhet të ndodhë në mes shqiptarëve dhe serbëve. Madje “ca” thonë se“shqiptarët fitimtarë” si “kalorsit”..duhet të shtrijnë dorën bujare të “pajtimit”, shumë naive! Së pari ata që shpërthyen luftat dhe bënë gjenocid, serbët, pretendojnë se u është bërë një padrejtësi e madhe dhe do donin të rifitonin dhe me luftë po të ishte e mundur ato që kanë “humbur”dhe nuk i kuptojnë këto shakara. Së dyti nuk mund të ketë kurr pajtim në mes shqiptarëve dhe serbëve sepse është marrëzi përdorimi i termit “pajtim”për marëdhëniet në mes popujve, dhe për shtetet.

Shtetet  nuk janë fëmijë që zihen dhe pajtohen. Termi “Pajtim”, është vetëm një folk përcaktim që i fton njerëzit “të përqafohen” dhe të mos mendojnë më gjatë, dhe kush habitet prej tyre le të habitet. Pajtim mund të ketë vetëm në zgjidhjen e zënkave në mes individëve apo grupeve të vogla dhe jo në mes shteteve. Shtetet pas luftash lenë armët dhe vetëm paqtohen. Më pas krijojnë marëdhënie bashkëpunimi dhe vetëm kaq. Nuk ka në mes shtetesh idile qesharake “pajtimi”. Shtetet janë në konkurrencë të vazhdueshme me njëri tjetrin, përjetohen kriza flagrante politikdhe në ekonomitë e tyre dhe shkaktohen përballje. Se çfarë mund të ndodhë nesër me atë që përcatimi folklorik po jo ai politik e quan “pajtimi”  franko gjerman na e tregon kancelaria gjermane A.Merkel që shprehet, nëse prishet BE shtetet europiane pas dhjetë vitesh mund të fillojnë luftën në mes tyre. Për fat të keq lufta si stinë e shoqërisë njerëzore alternohet me paqën. Politika nuk është poezi.

Dikush mund të shohë shumë skepticizëm në këtë parashtrim dhe mund të pyes: “Po mirë mor aman po e heqim fjalën pajtim, dhe lemë paqtim, po pse ky refuzim kaq intransigjent patriotik edhe për paqtimin, a nuk duhet ndërprerë kurr cikli i luftës me serbët? Po  po këtë nuk influencojnë dot shqiptarët, as kryeminstrat e tyre. Më mirë pyesni patriotizmin nacional shovinist serb, Serbinë për këtë, kryeministrin e saj që ka kontribut të vyer vetiake në ndezjet e luftës së sapo përfunduar. Serbia dhe kryeministri i saj “e dinë” me kronometër dhe sesa kohë pas buzëqeshjeve të marrëveshjeve dhe gotave të shlivovicës duhet ndezur zjarri i luftës. Më kot i pyesni shqiptarët. Po mund të themi me siguri se asnjë dialog, asnjë marrëveshje ekonomike nuk i shmang serbët nga realizimi i platformave të ndërgjegjes së tyre bazike ekspansive.

Nuk ua ndal vrullin e nisur që njëmijë vjet nga paraardhësit e tyre dhe të përsëritur “për çdo vjet”, nuk ua shuan etjen e pa shuar për të arritur në Durrës a Shëngjin. Fundi e shohin në mënyrë racionale ekspansionin si dialektikë të pa tjetërsueshme të historisë, politikës dhe të jetës së tyre serbe dhe në këtë pikë nuk gabojnë, prandaj nuk i harrojnë përpjekjet e tyre shekullore, i ripërtrijnë. Po si mund të harrohen nga shqiptarët njëmijë vite rezistencë që ky rënim i pozicioneve gjeografiko strategjike shqiptare të mos ndodhë kurrë? Cikli i luftës do ndërpritet vetëm e vetëm kur të vendoset ekuilibri i forcës i popujve në Ballkan, e kjo ndodh vetëm kur faktori shqiptar i unifikuar do tregojë kapacitetet e tij forca-balancuese në hapsirat ku jeton.

Veç bashkimit rrugë tjetër nuk kanë shqiptarët, ndryshe do pësonin vazhdimisht në kohë trysninë e pa fund serbe dhe të kujdo tjetër në Ballkan. Vetëm atëherë nga pa mundësia e ushtrimit të një force superuese të aftë për ekspansion serbët do detyrohen ti zgjidhin problemet vetëm brenda territoreve të tyre, larg ekspansionit. Asnjë utopi fëminore rrënuese, vuejtje struciane apo marrëveshje mashtruese për interesa të përkohëshme grupesh ekonomike pa skrupuj të Shqipërisë a të Kosovës nuk e shmangin përplasjen e dy popujve. Ky është mësimi i vetëm që vjen nga historia. Më kot përmendet shembulli i paqtimit franko gjerman, ai u arrit kur nga përballja e Perëndimit me Lindjen detyrimisht u sheshuan supremacitë në mes tyre dhe u arrit ekuilibri i forcave. “Nuk luajmë më luftash”, është një slogan propagandistik sugjestiv po rezulton si një thirrje patetike! Askush nuk do të luaj luftash, luftat janë tmerre dhe u pa se çfarë bënë serbët në Ballkan, e çfar po bëhet sot në vende të tjera, të njëjtën gjë mund të bëjnë prap, po mund të pyesim thjesht meqë nuk duam më lojë luftash, përse ne e kemi ushtrinë atëherë, më kot? Po serbët dhe të tjerët pse e kanë ushtrinë, përse nuk ndalen luftat nëpër botë? Përse Kina paralajmëron popullsinë e sajë se Lufta e Tretë Botërore është afër dhe ndërkohë ne lozim kukamshefsi me “serbët paqësorë”?! Lufta është një përbindësh që nuk merret as me dëshirat dhe as me iluzionet e njerëzve, ajo vjen pa pyetur, aq më pak ca kompani tregëtarucësh. Më i qartë është treguar presidenti troç i Serbisë kur për Trepçën sapo ka thënë që: “për pasuri luftohet”.

Arsyetimi se vetëm në kohë paqe na mbetet të bëjmë marrëveshje, veç argumenton se lufta vjen më pas dhe kjo i bën të pranueshme me serbët vetëm marrëveshjet numur 1, ato me shkëputje të vetëvetishme dhe i “mallkon dhe sikterris” si antikombëtare marrëveshjet nr. 2, ato inextricable që me pa ndarëshmërinë e tyre penetrojnë keq në interesat tueja dhe që dhe ato vetë mund të shkaktojnë konflikte të përherëshme. Dhe një rrugë e re e ndërtuar për të lëvizur është me interes në rast se administrohet pa bërë palën serbe pjestare interesash në territoret shqiptare të Kosovës  dhe të Shqipërisë. Nuk i hapet kujdo dreitarja e investimeve. Shihni sesa probleme të mëdhe dhe politike po i shkaktojnë Malit të Zi investimet ruse. Po një Kryeministër duhet të dijë mirëfilli se nuk është mirëqënia relative që ai kërkon për shqiptarët një synim i veçuar në vetvete i politikës, këtë nuk e duan shqiptarët. Vetëm veçimi i qartë dhe i prerë i asaj që është e ytja nga kundërshtari shekullor, nga ajo që është e tjetrit shmang konflike dhe ndalon për aq sa mundet shkatërrimin e jetëve njerëzore dhe të mirëqënies.

Kur dy shtete a më shumë afrohen për të shfrytëzuar reciprokisht “ara me grurë” diku, e kjo ndodh kur dielli i ngrohtë i fitimit dhe shpresës ka nxjerrë kokën, didaktika e një marrëveshjeje thotë se më entuziastitit ndër bashkëbiseduesit dielli ia errëson sytë dhe logjikën politiko historike dhe ai lëshohet në kurthën e protagonistit “të lumtur”. Mban fjalime për të ardhmen e lumtur të botës dhe aty për aty firmos marrëveshje, çfardo marrëveshjesh, edhe inextricable me palën tjetër. Një verbim i tillë nuk duhet ti ndodh kurrë asnjë shqiptari. Politika kalon egërsisht mbi moralin dhe emocionet. Nuk e transformon dot logjikën historiko politike vullneti i mirë i një kryeministri. Mjafton të kujtohet se përballë tij është kyeministri tjetër që me vështirësi duron dhe vetëm “mjeshtërisht” përputhet me ato që shpreh kryeministri i parë, për të përfituar mbi të.

Cilido kryeministër shqiptar duhet ta dijë se për inteligjencën njerëzore e sotmja është kalimtare e nesërmja e pa parashikueshme, kështu dhe efekti i firmës që ai nënshkruan. Prandaj duhet të ndjekë gjurmët e politikave hap pas hapi dhe jo të shqelmojë politikat e ekuilibruara tradicionale që mbrojnë një gjeostrategji të imponuar nga shekujt. Aq më tepër që ende problemet e shqiptarëve me serbët janë të mëdha dhe të pa zgjidhura, duke filluar me shtetin e Kosovës dhe territoret tjera shqiptare. Firmëtari “i lumtur”që besojmë nuk është nga ata që thonë “pas meje u bëftë nami”, do shtangej nesër, dikur, kur pa pritur të shihte “bashkëtingëlloret”-shtetin e tij që nuk merr frymë dot më i kapur për gryke nga marrëveshje që ai vetë ka nënshkruar. Bota nuk është shumë larg prej luftës, e Ballkani jo që jo. Shihni serbët “të zbutur si manar” që lozin ekuilibrin e dyshimtë perëndim lindje duke përjashtuar NATON si mundësi, ndërkohë që rusëve që kanë ngritur struktura të organizuara ushtarake agresive të pan ortodoksisë sllave në Ballkan në Serbi kundër popujve të tjerë, kundër shqiptarëve më së pari, u lëshon baza ushtarake. Dëgjoni për këtë më mirë paralajmërimet e ish kryeministri suedez Karl Bild. BE duhet ta dijë se bisedimet me serbët dhe lëshimet ’’me përfitime reciproke” nuk ia ndryshojnë kurrë frymën Serbisë, as ia ndrrojnë rrugën konfliktit, luftës. Marrëveshja e Mynihut është shembulli më absolut. Marrëveshje pati plot në ish Jugosllavi, po Serbia plasi luftat dhe veç forca e detyroj të dorëzohej. “Non bis idem” thonë latinët...historia vjen gjithmonë ndryshe. Globalizmi e të tjera teori kozmopolite që me ndërthurjen e interesave do “shpëtonin botën”, po që prej tyre bota po ecë si somnambul, kurrë nuk mund të shmangin konkurrencën e egër në mes shteteve dhe as luftat. Mjer ai që gënjehet nga iluzionet globaliste dhe duke iu futur pa kthim marrëveshjeve anormale këmbëlidhëse shkatërron interesat afat gjatë të vendit dhe popullit të vet.

Dhe më thelbësorja. Dy Kryeministrat shqiptarë, inteligjentë dhe atdhetarë të shtetit të Shqipërisë dhe shtetit të Kosovës janë të bindur se vendi i tyre është e gjithë hapsira ku shqiptarët shtrihen në të gjitha trojet në Ballkan. Shqiptarët janë një komb unik që në gjenezë dhe interesat e tyre janë e do të jenë gjithmonë një, inextrixcable, të pa shkëputëshme. Do shkojnë drejt bashkimit.

Dy kryeministrat vërtetë inteligjent në kohën e shkurtë që u mbetet në detyrë duhet të përpiqen që për nesër të projektojnë vend vetëm për një kryeministër nga Kosova apo nga Shqipëria dhe që është e njëjta gjë, dhe dy presidentët të veprojnë po kështu, dy parlamentet dy klasat politike të gjithë shqiptarët. Ndërkohë që dy kryeministrat e të gjithjë do ti shërbejnë të gjithë forcimit të dy shteteve shqiptare, nuk mund të mos punojnë për mpleksjen dhe ngjizjen e thellë, për intrexicabilitetin e marëdhënieve ndërshqiptare, një ndërthurjeje të pa shkëputëshme të shkollës, të burimeve dhe të sistemeve ekonomike për tu bërë një, gjë që deri tani në mënyrë skandaloze nuk po ndodh dhe dikush duhet të jepte rëndë llogari. Me miljarda euro që duhet të mbesnin në mes shqiptarëve, i fitojnë serbët nga eksporti i energjisë elektrike, sepse dy shtetet shqiptare nuk krijojnë një ndërmarrje të përbashkët të sistemeve energjitike duke i kthyer në një sistem.

Dikush duhet të jepte llogari. Për këtë, urgjent duhet formuluar, diskutuar dhe vendosur përundimisht dhe detyrimisht një platformë mbarëkombëtare. Në rast se këtë nuk e bëjnë dy kryeministrat “inteligjentë” duhet të venë në dyshim inteligjencat e tyre. Nëse dy shtetet shqiptare dhe të gjithë shqiptarët vazhdojnë të hallakaten secili me një politikë të vetën, nuk ngjishen ekonomikisht madje dhe i kundërvihen njëri tjetrit, dhe afrohen me Serbinë në lloj lloj marrëveshjesh, krijojnë dhomë të përbashkët tregëtie kur në mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk ekziston një e tillë, ku dhe shkalla e këmbimeve tregëtare në mes tyre është shumë e ultë dhe nuk ngulen për të vendosur një platformë shqiptaro bashkuese dhe ndryshuar këto fakte, atëherë duhet vu në dyshim jo vetëm inteligjenca dhe aftësia e tyre po dhe më tepër, ndërgjegja e tyre.

Për dy shtetet shqiptare nëse përkohësisht do vijojnë kështu, ose për shtetin e Bashkuar Shqiptar integrimi i vetëm ku duhet të synojmë është integrimi në BE, dhe askund tjetër. Shtetet e europës janë futur secila prej tyre veç e veç në BE, kështu nga Ballkani “perëndimor” u futën dhe Sllovenia e Kroacia, vetëm kështu do futen dhe shteti ose dy shtetet shqiptare. Kurr nuk mund të ketë integrime “parapërgatitore politike shqiptaro sllave”, treg të përbashkët “ballkano perëndimor” a me çfardo emërtimi tjetër. Ballkani ka parë në shekullin e kaluar dhe në fillimin e këtij shekulli bashkimin optimist të disa shteteve ballkanike, sllave madje, në ndërthurje inextricable në mes tyre në dy bashkësi të quajtura Jugosllavi. Për tu shkëputur nga dy Jugosllavitë që i krijuan në ditë me diell shprese me synimin për të shmangur luftat dhe të arrinin mirëqënien, u ndërzhytën në lufta të egra dhe të tmerrëshme duke ia kujtuar kujdo se “vitet” gjithmonë kanë nga katër stinë.

Një shembull inteligjent marëdhëniesh bashkëpunimi në mes shtetesh madje e zgjidhëshme pra jo inextricable është Bashkimi Europian, e megjithatë dalja e Britanisë së Madhe ka krijuar probleme të rënda për shtetet europiane. Ka dezekuilibruar dhe ka shpërthyer forca ekcentrike, BE rrezikon të shpërbëhet dhe jo pa rrezik për anëtarët që e përbëjnë. Britania e Madhe anëtare e BE që më 1973, në vitin 2016 me referendum vendosi të dalë nga BE. Megjithë një bazë ligjore paraprake të ndërtuar mirë nga juristët më të mirë europianë, kuptohet përshirë dhe ato britanikë, dalja reale e Britanisë nga BE nuk është aspak e lehtë. Mendohet se kjo ndarje mund të kërkojë dy deri në dhjetë vite. Një kohë e stërgjatë që nuk dihet se ku do të çojnë bisedimet. Aq e vështirë paraqitet kjo sa thuhet se edhe pasi të kenë kalur dhjetë vite lufte nervash, britanikët do shpresojnë ende se dikur do të dalin nga BE…!

Kjo po ndodh brënda BE, me shtete të fuqishme politikë bërëse, me gjeostrategji dhe gjeopolitikë që shpreh dhe mbron interesa të përbashkëta, të grupuara në NATO, me probleme territoriale krejtësisht të zgjidhura në mes tyre. E megjithëse nga Traktati i Lisbonës në nyjen 55 është parashikuar e drejta e një shteti pjestar që të largohet në BE.”simbas kërkesave kushtetore të secilit shtet”, dalja e Britanisë Madhe nga BE krijon vështirësi të mëdha për të gjithë shtete tjera. Aq sa me vështirësi arritën të frenojnë nervat që u shpërthyen dhe të ruajnë pak qetësi pas asaj “tradhëtie”, largimit të Britanisë së Madhe. Sigurisht që çdo ndarje shkakton një tërmet ekonomik dhe politik në mes shtetesh, një tërmet që mund të dalë dore në çdo çast. Në Ballkan askush nuk pati dhe nuk ka nerva të durojë për ndarë se dhe bashkimet janë bërë për të dominuar, shkohet direkt në luftën barbare. Do të thotë se çdo bashkëpunim dhe marrëveshje mes shtetesh ose ekonomive të shteteve, ose mpleksje të ekonomive qoftë mbi bazën e iniciativave private krijon dhe kurtha tmerrësisht të vështira dhe të pa zgjidhëshme. Krijohen psikoza sugjestive egocentrike të të drejtave e aq më keq kur marrëveshjet ngrihen mbi idenë për të shuar ngatërresat e kohërave dhe për ti mbyllur ato ngatërresa.

Quhen  marëveshjeve artificiale struciane që veç mbulojnë me pak hi thëngjijtë . Ballkani me asnjë lloj marrëveshje nuk kthehet nga fuçi baroti në fuçi vere pa i përcaktuar më parë dhe bashkuar të gjitha vëreshtat e shqiptarëve në Ballkan dhe gjetur ekuilibrin eforcave. Dhe jo pa gjetë një qetësues mjekësoro politik për etjet shovene të fqinjëve tanë ballkanikë. Deri atëherë marëdhëniet duhet të jenë relative, ndryshe çdo marrëveshje, e nesërmja, lufta do ti hudhë në erë. Dy ish Jugosllavitë “e pa angazhuara”dikur po të shkatërruara dëshmojnë të tundshëm këtë fund të pa shmangshëm. Jo veç një herë politika europiane ka marrë gërshërën në dorë për tu dhënë serbëve Kosovën e territore të tjera, po dhe Shqipërinë aktuale veriore, Shëngjinin, Durrësin për të përmbushë qëllimin e Serbisë daljen në det dhe ta ketë me vete Serbinë. Sot që bashkë me SHBA , BE ka kontribuar për lirinë e Kosovës, dhe që shqiptarët janë mirënjohës BE-së nuk duhet ti nxisë dhe rrasë shqiptarët në kurth me serbët në asnjë lloj mpleksjeje, a strukturime politiko ekonomike paralele, si të ishte penduar për atë që ka bërë për shqiptarët. Shqiptarët refuzojnë kategorikisht, e të parët mes tyre që duhet të refuzojnë kategorikisht janë dy Kryeministrat shqiptarë. Shqiptarët frymëzohen në mijëvjeçarësitë e egzistencës së tyre dhe besojnë tek vetja. Megjithatë dy shtetet shqiptare, shqiptarët synojnë integrimin në BE-në që është thjesht një marrëveshje shtetesh demokratike po jo idil i një “familjeje”. Po ne shpresojmë, besojmë se më parë do ndodhë bashkimi i shqiptarëve në një shtet dhe më pas futja e tij në BE që shpresojmë të ruaj vitalitetin dhe mos dështojë, dhe është i vetmi integrim tek i cili besojnë dhe për të cilin përgatiten shqiptarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat