Kryeshtetarët, me vetëkënaqësi e lojëra diplomatike e politike, po e rrezikojnë shtetësinë e Kosovës

Opinione

Kryeshtetarët, me vetëkënaqësi e lojëra diplomatike e politike, po e rrezikojnë shtetësinë e Kosovës

Nga: Ramiz Lushaj Më: 23 tetor 2016 Në ora: 20:36
Ramiz Lushaj

1.Kosova, në mbi 8 vite i shpallur shtet i pavarur e sovran, është njohur nga 111 shtete të botës. Ajo po ecën në rrugën e vështirë e të gjatë të Shtetësisë së vet, falë dhe Ndërkombëtarëve, sidomos atyne euro-atlantik. Po, në mbi dy vitet e fundit (gusht 2014- tetor 2016) kemi vetëm nji njohje (20 maj 2015) nga Antigua dhe Barbuda në ishujt Karaibe të Amerikës së Veriut. Dhe kjo, me ndihmën e të tjerëve.
 
Pse ndodh kjo? Mjafton të shohësh në websajtin e Presidentit të Kosovës (Hashim Thaçi) e të Ministrisë së Jashtme (Enver Hoxhaj) dhe e merr vesh të vërtetën reale: i ka kaplue vetëkënaqësia e pafalshme. Ata e thonë troç, njejtësisht: na kanë njohur 111 shtete dhe “në këtë mënyrë kemi arritur qëllimin për të pasur më shumë se 100 vende që e njohin Kosovën”(!)
 
Çka do të thotë kjo sjellje politike, ky absurd politik i shtetarëve të Kosovës?!
 
Ta mbash Kosovën larg antarësimit në OKB. Pasi duhen dhe 82 shtete të tjera ta njohin atë. Pasi ende nuk janë siguruar në shumësi as dy të tretat me njohje ndërkombëtare nga shtete të OKB-së? Përndryshe: 128 shtete (vota) në OKB, që të ndërmerret nisma për të qënë shteti i 194-të antar i saj. Pra, duhen dhe 17 shtete të tjera për t’ia arritë këtij qëllimi madhor kombëtar shqiptar dhe euro-atlantik. Ndaj nuk ka vend për vetëkënaqësi të tilla nga (krye)shtetarët e Kosovës.
 
Kjo vetëkënaqësi e (krye)shtetarëve e pengon shtetin e ri të Kosovës të ecin në rrugën e zhvillimeve të mira e të shpejta politike, ekonomike, ushtarake, etj.; po mbetet në batakun e problematikave të vjetra; po i  shtohen hallet dita-ditës, etj. Kjo ka kosto të madhe e të pandalun për vet popullin e Kosovës, për vet kontributin e madh të Ndërkombëtarëve ndaj Kosovës.
 
2.As Hashim Thaçi – president, as Isa Mustafa – kryeministër, as Enver Hoxhaj – ministër i Jashtëm, as ndonji tjetër shtetar i Kosovës, nuk kanë të drejtë morale, politike e kombëtare të dalin me të tilla deklarime vetëkënaqësie për njohje të Shtetësisë së Kosovës.
 
Kjo për faktin se shkaktarët e sotëm, fajtorët e mëdhenj të ngecjes në vendnumëro të këtyne njohjeve janë dy kryeshtetarët e Kosovës: presidenti Hashim Thaçi me të vetët dhe kryeministri Isa Mustafa me të vetët. Këta e provokuan dhe e prodhuan Krizën Paszgjedhore 6 mujore (4 korrik–9 dhjetor 2014). Këtu e ka përgjegjësinë e saj në nji masë të caktuar edhe Opozita e sotme e Kosovës, e cila nuk mund të justifikohet dhe as përjashtohet prej saj.  Të gjithë e dijmë se çka dhe si ndodhi në ato 6 muaj të “politikës së zezë” dhe për çka do t’i denojnë Historia ata që janë ma kokëkëqinjtë e Kosovës, por çështja qëndron këtu, e kështu: realisht, Kosova humbi dhe po e humbet mbështetjen e Ndërkombëtarëve.
 
Ndokush don fakte: E sjellim nji prej tyne. Kosovën, me 13 gusht 2014 e njohën Ishujt Solomone, në fillimet e “Krizës Paszgjedhore” dhe dekteri në ditë të sodit e ka njohur vetëm nji shtet amerikano-verior: shteti dy-ishullor Antigua e Barbuda.
 
Kjo gjendje e mosnjohjeve ndaj shtetit të Kosovës do të vazhdojnë prapë, pasi fajtore mbetet ende politika e shtetarëve të Kosovës, “dy luftimi në Parlament Pozitë-Opozitë” me gaz lotsjellës e me pranga, etj. Dhe, për ma tepër e ma keq: Kosova po ia shton problematikat e hallet vetëvetes si dhe me Ndërkombëtarët si me nji farë “Dualiteti Diplomatik Ndërkombëtar” (Pas Zgjedhjeve të 4 korrikut 2014); Marrëveshjet me Serbinë; me Demarkacionin me Malin e Zi; me disa rryma e qëndrime islamike deri në rradhët e ISIS-it; me “lojen” me ose pa vetëdije diplomatike e politike me kahje e krahun sllavo-ortodoks e aleatët e tyne në BE e jashtë saj dhe të përkrahur me ose pa vetëdije dhe nga Tirana zyrtare; etj.
  
3.Kosova, pas Shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008, qyshce të nesërmen, me njohjet nga Amerika, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shqipëria, Turqia, Afganistani e Kosta Rika, ia mbrrini me e kapërcye rastin diplomatik “Qipro Veriore”. Kjo, për faktin se Qipron Veriore e ka njohur vetëm Turqia dhe Kosovën e kishte njohur vetëm Shqipëria në vitet ’90 të shekullit të kaluar.
 
Kosovës iu deshtën vetëm dy javë kohë nga Shpallja e Pavarësisë së saj që ta kapërcente rastin “Tajvani”, të cilin e kishin njohur apo mbetë me njohje vetëm 23 shtete të botës.
 
Kosova shpëtoi në vitin 2004 që të mos kthehej në nji “Palestinë të dytë” në Ballkan nga disa revolta të inspiruara, dirigjuara e sfomuara nga skenarë sllavo-ortodoks afër e larg kufinjve të saj.
 
 Çështja shtrohet dhe kësisoj, kështu: si mund të shfaqet nga krye-shtetarët e Kosovës kjo vetëkënaqësi për njohjet e shtetësisë së Kosovës, ndërkohë që edhe Palestina na ka lanë mbrapa, pasi ajo ka sigurue 136 njohje nga shtete të botës, ku së fundit (14 shtator 2015) nga Santa Luçia në ishujt Karaibe të Amerikës së Veriut. Pra, ma shumë se dy të tretat e vendeve antare të OKB-së e kanë njohur Palestinën si shtet të pavarur, pavarësisht kundërshtarëve e kundërshtive ndaj saj. Përndryshe, tjetra, ndryshe nga Kosova: Palestina e ka Statusin e Vëzhguesit në OKB.
 
Kryeshtetarët e Kosovës, klasa politike e Kosovës në  Pozitë apo Opozitë, duhet të tejkalojnë vetëkënaqësitë e shpalluna publikisht e paturpësisht me deklaratat e rrezikshme “ia kemi aritur qëllimit për njohjet”, të mos bajnë lojëra diplomatike e politike, etj., por të lobojnë vet, si shtetarë të Kosovës, si rasti “Pacolli”, etj.; të lobojnë në bashkari dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë si me Amerikën, me Mbretërinë e Bashkuar të larguar nga BE, me Gjermaninë, Francën e vende të tjera në BE, me Turqinë –antare në NATO, etj., për të rritur numrin e njohjeve ndërkombëtare ndaj saj. Kosova duhet ta tejkalojmë çdo rast tjetër, edhe si ky i Palestinës së sotme, etj. dhe të krijojmë nji rast tjetër të ri, rastin “Kosova” në OKB.
 
Kosova kur të arrijnë mbi dy të tretat duhet të ecin me nisma konrete drejt antarësimit në OKB, si shtet me të drejta të plota, me status të barabartë me të tjerët, si shteti i 194-të i saj. Në se do të ngrihet ndonji “Veto” në Këshillin e Sigurimit të OKB kundër antarësimit të Kosovës në OKB, atëherit duhet që Kosova të bashkohet me Shqipërinë, ose me Maqedoninë, ose me Malin e Zi. Njëra prej këtyre do të ndodhin së shpejti me konfigurimin e ri të Ballkanit, ndaj duhet të jemi të përgaditur të gjithë, njëherash e vazhdimisht: edhe Shqiptarët (të jemi fitues), edhe Ndërkombëtarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat