Pse po e injoroni Diasporën?

Opinione

Pse po e injoroni Diasporën?

Nga: Arber Berisha Më: 26 tetor 2016 Në ora: 18:09
Arber Berisha

I nderuar Ministër i Diasporës  Valon Murati dhe i nderuar drejtor i përgjithshëm i RTK-s Mentor Shala, po ju drejtohem juve si personalitete përgjegjëse për institucionet që ju drejtoni me shpresën e mirë se nëfund të leximit do ta merrni parasysh kërkesën e diasporës shqiptare.

Duke parë anashkalimin dhe injorimin e diasporës nga institucionet shtetërore dhe mediat publike si RTK-ja në Kosovë duke mos e transmetuar live dhe falas ndeshjen e përfaqësueses së Kosovës në futboll edhe në diasporë, më shtynë të ju shkruaj ketë letër me karakter kritik dhe të hapur. Unë që po ju shkruaj këtë letër jam vëlla i një futbollisti që mund të luaj në të ardhmen për Kosovën. 

Unë e di që ekzistojnë mundësi tjera, ku secili mërgimtarë mund të blejë një kartelë. Mirëpo, këto forma të mbijetesës në diasporë i kemi provuar me dekada, tani është momenti që ne të trajtohemi sikur të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim, të marrim atë ndjesinë se shteti i Kosovës respekton edhe mërgimtarët, respekton qytetarët e vet pa dallim se ku jetojnë ata. Në formën e tanishme ekziston rreziku i ndarjes totale që do të ishte shumë i dhimbshëm për Kosovën.

Të gjithë në Kosovë duke filluar nga politika, biznesi, sportistët dhe qytetarët edhe më i thjeshti po kërkoni nga djemtë tanë, vëllezërit tanë në diasporë që të luajnë futboll për përfaqësuesen e Kosovës, me dëshirën që Kosova të paraqitet sa më mirë në arenën ndërkombëtare. Gojën e kini plotë barazi kurse veprat i keni injorim, injorim dhe vetëm injorim total të diasporës. 

Nëse një ndeshje e futbollit transmetohet live për qytetarët e Kosovës, ku në atë ndeshje nuk luanë asnjë futbollist nga liga e Kosovës, pse mos të transmetohet live edhe për diasporën kur reprezentacioni është komplet i diasporës. Pres nga ju zoti Ministër i Diasporës që të intervenoni  për drejtësi dhe barazi në mundësinë e shikimit të ndeshjeve, sepse kjo është një padrejtësi që po i bëhet diasporës. 

Kurse nga Drejtori i RTK-s Mentor Shala kërkoj që ta vendosë gishtin në kokë dhe të mendojë, se e kujt është diaspora? Po sikur ai dhe familja e tij të jetonin në diasporë, cila do të ishte dëshira e tij? Pse nuk merrni shembull Kroacinë se si sjellët me diasporën e vet? Pse prindërit shqiptarë duhet vazhdimisht  ta ndihmojnë Kosovën në forma të ndryshme, kurse Kosova nuk është në gjendje as edhe një ndeshje futbolli tua fal? Kjo është turp për juve që keni marrë përgjegjësi të drejtoni një televizion publik apo një Ministri kinse të Diasporës. Ky është turp për Kosovën. Ndasitë në mes Diasporës dhe Kosovës po bëhen gjithnjë e më të mëdha, sa që një ditë nuk do të befasohesha nëse mërgimtarët do të ju presin me shkopinj bejsbolli në aeroportet  evropiane.  

Ne diaspora e kemi të qartë  sakrificën që e kemi bërë (duke ndihmuar luftën drejtpërdrejt), që jemi duke e bërë edhe tani(duke sjellë mbi 700 milion remitanca në vit) por nuk është e sigurt që do të ndihmohet edhe në të ardhmen për shkak tuaj (mungesa e respektit dhe injorimi për diasporën). Andaj është koha e fundit që shteti i Kosovës të tregoj respekt për shqiptarët në mërgim, kjo fillon edhe duke ua transmetuar ndeshjet atyre. 

Nëse RTK-ja nuk transmeton ndeshjet për ne në mërgim, fëmija i një mërgimtari në mungesë të transmetimit shqip do të detyrohet të shikojë  reprezentacionet gjermane, zvicerane, austriake, suedeze....etj. dhe lidhjet me atdheun do të zbehen gjithnjë  e më shumë. Ju lutem vizitoni televizionin kroat dhe instaloni modelin e tyre ne RTK, sepse modeli i tyre ndihmon mërgimtarët dhe kontribuon në afrimin e diasporës me vendlindje. Shpresojë shumë që ndërgjegjja juaj do të ndikojë që nga ndeshja e radhës transmetimet e ndeshjeve të përfaqësueses së Kosovës ti ofrohen edhe diasporës live. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat