Ndër pasuritë më të vyera të kombit

Opinione

Ndër pasuritë më të vyera të kombit

Nga: Prof. Eroll Velija Më: 27 tetor 2016 Në ora: 15:27
Eroll Velija

Konica shprehej: “Erdhi më në fund edhe për gjuhën shqipe koha e lulëzimit, kohë shpresë! Në të katër anët, një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes”.

Gjuha e një Kombi është themelore në jetën dhe zhvillimin e tij, aq më tepër që ajo është pjesë e pandarë dhe e gjithanshme e hapave përparimtarë që një Komb bën përpara. Kjo, sepse gjuha është një organizëm i gjallë, që evoluon nëpër kohë dhe, si e tillë, i përgjigjet emancipimit të shoqërisë, kulturës, arteve, letërsisë, publicistikës si dhe tërësisë së problematikës bashkëshoqëruese të tyre. Ndër gjuhët e vjetra të Ballkanit, gjuha shqipe i ka mbijetuar kohëve dhe i ka shërbyer popullit, etapave të zhvillimit të tij dhe veçanërisht secilit brez, duke u bërë pjesë e pandarë e trupëzimit shpirtëror dhe tradicional, që trashëgohet brez pas brezi. Janë të shumtë ata autorë, të cilët kanë dhënë ndihmesa të vyera në këtë proces të zhvillimit të gjuhës shqipetë pasurimit dhe evoluimit të saj. Lidhur me procesin e gjatë dhe objektiv të rritjes së kulturës gjuhësore të një kombi, A. Xhuvani, që në vitet 50-të të shekullit të kaluar, shkruante: “Solocizmat janë gabime të pafalshme, të cilave duhet t’u rreshtemi aq sa edhe gabimeve të tjera. Për këtë duhet një studim i thellë dhe i plotë i gramatikës së përdorimeve …, duhet të ndiqet edhe përdorimi i gjallë i popullit, edhe autoriteti i shkrimtarëve klasikë. Ta kufizosh gjuhën në një cak të ngushtë shkrimi, kjo veç që e bënë gjuhën të lidhshme dhe pedentare, po është edhe një punë kundër natyrës së saj, pasi gjuha hyn në ligjet e evulucionit e nuk mund të shkarkohet pas dëshirës së një pale”. Europa e ka ndërruar me kohë formulën e didaktikës së gjuhës, duke përcaktuar drejtime të reja në fushen e emancipimit gjuhësor. Kanë kaluar më shumë se një shekull dhe sot, në punët e gjuhës, problemet më delikate dhe më të mprehta zënë fill që te interesimi i fëmijëve e të rinjëve në shkolla e fakultete. Duhet të tregohemi vërtet të kujdesshëm për të njohur mirë pasurinë gjuhësore në të cilën ata nisin shkollën. Vetëm kështu, mësues e nxënës, mund të përshkojnë së bashku udhën drejt gjuhës amtare dhe drejt gjuhëve të mëdha të kulturës europiane.

Libri i sapodalë nga botimi i Prof. Dr. Gj. Shkurtaj “Si shkruajmë shqip”, është një pasuri tjetër në fondin e veprimtarisë së tij dhe një apel për mësuesinë shqiptare në përgjithësi e administratën publike dhe jo publike në veçanti. Pra, ka ardhur koha për ndjenjë epasion, dashuri të lartë e mbi të gjitha, respekt dhe vlera të mëdha për këtë thesar, ndër të parët dëshmues të dallimit kombëtar. E parë nga këta faktorë, të cilët duhet  të njihen mirë, ngaqë kjo fushë e dijes është shenjë e parë dalluese e veçantisë kombëtare,  brezat e sotëm dhe ato që do të vijnë, të dinë se kemi kapërcyer shumë shekuj përpjekje të këtij kombi, për t’i vënë këto në themelet e duhura e të shëndosha, të cilat qëndrojne në ditët e sotme.

Këtu dhe njëqind vjet më parë, Xhuvani, hapur thoshte për daljen në dritë të një gjuhe letrare të njësuar pra, të krijuara mbi baza të shëndosha letrare. Ai mbetet burrë i madh me zë e me namë në fushën e dijes gjuhësore. Por puna e këtij dhe shumë  xhuvanëve të tjerë të gjuhësisë të sotme shqiptare, që i kanë dhënë dhe i japin kombit në fushën e dijes dhe të urtësisë për çdo lëmi dhe këshillat e tyre nuk janë të kapshme e të rrokshme tek disa intelektualë, mësues dhe punjonjës të mediave të shkruara, të cilët po i fusin “brirët” gjuhës së sotme të njësuar.

Prof. Xhuvanit nuk i vinte fare rëndë që t’i shtrijë dorën për punën e madhe që kishin bërë në gjuhë dhe për gjuhën dy vëllezërit, Naimi dhe Samiu. Edhe Noli, me urtësinë që e karakterizonte, për vlerat njohëse të gjuhës e të kombit, pati thënë: “Lëvizja për të ngritur gjuhën shqipe në shkallë kombëtare nisi në toskëri. (shih F. Agalliun, në “Gjuhën e Nolit”, Tiranë 1999). Këta dy dijetarë të mëdhenj, Xhuvani, që i takonte të folurës veriore, ndërsa Noli i përkiste të folurës jugore, nuk vuanin nga bajraktarizmi, as nga fise e klane shqiptare, të cilët i kapërcyen për t’u mbajtur kombi i patundur vetëm në sajë të gjuhës së njësuar, për të cilën ballafaqohemi sot, aty këtu, edhe me telashe dhe  shpeshherë edhe me synime ndarëse. Duke lexuar mediat e sotme, njeriut të ndershëm i bëhet sikur gjuha e sotme letrare standarte, e përcaktuar 40-vjet më parë, ka mbetur vetëm në letër, nuk ka arritur përgjegjshmëri ligjore dhe penalizuse, siç duhej të ishte. Ky shqetësim duhet të shoqërohet gjithnjë me një propagandë dinamike, ku vetë gjuha amtare të vlerësohet me maksimumin e kërkuar e studimet mbi shqipen letrare të zënë vendin e merituar. Si ja bëri Naimi i madh që si gjen dot asnjë barbarizëm në veprën e vet?

Po Noli, që mori guximin dhe solli në shqip Servantesin, Shekspirin dhe Khajamin? Po Konica, Kuteli, Poradeci, Xoxe, Agolli, Kadareja e të tjerë? Këta mjeshtër të fjalës e gjetën të pathurur arën e fjalës, por fjala u ndrit në fjali, prozë e poezi.

Shëndoshja e mbrojtja e gjuhës standarte mund të bëhet me masa të prekshme energjike  prej mendjesh që mendojnë  shqip e prej zemrave që rrahin shqip. Gjuhën shqipe e kemi ndër më të vjetrat e më të mëdhatë e kontinentit, për të mos e rendit ndër dhjetë gjuhët më të rëndësishme të rruzullit. Gjuha shqipe është sot e mot, pasuri kombëtare bazë. Vetë proceset e hapjes, bashkëpunimit dhe të integrimeve rajonale e ndërkombëtare, detyrimisht i japin mundësi edhe shqipes së folur dhe të shkruar të ecë natyrshëm në  zhvillimin e pasurimin e saj me simotrat e shumë vendeve të BE.

Është fatalitet për ato vende me popullsi të vogël si Shqipëria, të shoqëruarit me rrezikun e depërtimit dhe përdorimit vend e pa vend të huazimeve në dëm të fondit autokton, duke kaluar shpesh në varfërimin e gjuhës letrare kombëtare.

Këto marrëzi, që më mirë i njeh publiku, na shiten si gjetje gjuhësore moderne (!). Ky është një agresivitet i hapur gjuhësor. Është koha të pranojmë dhe të përpiqemi për të vënë nën kontroll, duke ngritur barriera, miratuar ligje dhe ngritur struktura të posaçme, për ta mbajtur të pastër shqipen, që është pasuria më e madhe dhe e patjetërsueshme, me të cilën krenohemi.

Vërtetë jetojmë në një shoqëri të lirë e të hapur, vërtetë jemi përkrahës të globalizmit, por nuk do të dëshironim kurrë që gjuha jonë të mos shkruhej e të përdorej nga shqiptarët e të gjithë brezave. Mundësitë për ta mbajtur të gjallë gjuhën e bukur shqipe tek fëmijët tanë, pavarësisht kur lindin dhe ekzistojnë, i mundëson shkolla, që është institucioni bazë i mësimdhënies së gjuhës letrare dhe detyrë parësore ka të mësuarit e saj e që sjell si rezultat aftësimin e fëmijëve dhe të rinjve për ta komunikuar e shkruar me frytshmëri atë.

Për shqiptarët emigrues, megjithë përpjekjet e ruajtjes së saj, shqipja po bëhet sa e largët dhe e huaj për fëmijët mërgimtar. Është normale që, duke jetuar në një shoqëri ku flitet e shkruhet një gjuhë tjetër, kuptohet dhe tendenca e kufizimit dhe e shqiptimit të shqipes.

Fëmijët po projektojnë të ardhmen e tyre aty ku rriten. Pra, emigrimi në përgjithësi dhe ai i fëmijëve në veçanti, krahas të mirave, mbart me vete edhe rrezikun e një asimilimi gradual të gjuhës, sidomos tek fëmijët shqiptar që jetojnë e mësojnë aktualisht në emigrim.

Faktet ekzistuese të një kombi përcaktohen, në fund të fundit, nga gjuha. Popullsia e një vendi, që për arësye të ndryshme nuk e shkruan dhe rrallë herë nuk e flet gjuhën e vet amtare, është e prirur të rrezikohet, pasi gjuha ka qenë e mbetet një ndër komponentët kryesorë të kulturës së një kombi. Kur njeriu nuk e ka nën këmbë tokën e vet, humbet diçka nga qëndrimi vertikal, humbet sigurinë e bëhet më skeptik ndaj vetvetes. Gjuha shqipe ka një zhdërvjelltësi në të folur, është shumë burrërore dhe mjaft e bukur, ka tingull të veçantë dhe mjaft impulsive.

Shqipja është vazhdim i gjuhës ilire dhe i përket grupit të gjuhëve indo-europiane pra, veçohet si një ndër më të vjetrat në Europë dhe Ballkan. Këtu më vjen ndërmend një thënie e  një mërgimtari: “Gjuha është e vetmja armë që vërteton që jemi shqiptar!” Në Shqipëri,Kosovë, Maqedoni dhe diasporë gjuhësia krahasimtare ka patur arritje me vlera të mirëfillta shkencore dhe gjithnjë gjuhtarët tanë të nderuar hedhin dritë në raportet e shqipes me gjuhët e tjera.

Studimi i shqipes, përveç interesit shkencor, është i lidhur ngushtë me interesat tona kombëtare. Qëndrojmë para një fakti shumë të bukur, shumë interesant, që jo vetëm gegërishtja, por edhe gjuha e diasporës, sidomos e arbëreshëve të Italisë, tek e cila, në mes shumë barbarizmave, gjenden thesare të vërtetë, janë format më të vjetra të shqipes.

Këtu kujtojmë përpjekjet pesëdhjetëvjeçare të Prof. Shkurtajt, si njeri i nderuar, pasionant, intelektual me interes të paparë shkencor, studjues dhe hulumtues i gjuhësisë shqiptare në tërësi dhe arbëreshëve të Italisë veçanti. Domosdoshmëria e ndryshimeve sa vjen e rritet. Kërkohet të kemi impenjim historik për këtë çeshtje, duke u bazuar edhe në përvojën e vendeve euroatllantike, pasi dhe lëvizja e lirë e këtyre njëzetvjetëve i ka zgjeruar kontaktet e shqiptarëve me gjuhët e kulturat e popujve të tjerë.Në këto 100 vjet të Pavarësisë Kombëtare, realiteti i shoqërisë shqiptare ka fituar qytetarinë në fushën e gjuhësisë. Ajo ka gurgulluar dhe sjell ujra nga lashtësia e shekujve, ku shqipja ka plazmuar mendimin, ka marrë forma të personaliteteve, që nga mendimi i Naimit, Çajupit, Fishtës, Mjedës, Konicës, Nolit, Migjenit, Poradecit e deri tek ai i Qoses e Kadaresë. Indiferentët dhe dembelët dhe ata që s’respektojnë parimet e gjuhës standarte shqipe, që nuk vazhdojnë rrugën e Rilindasve tanë, historia do t’i dënojë.        Nga Bostoni i Amerikës, Konica shprehej: “Erdhi më në fund edhe për gjuhën shqipe koha e lulëzimit, kohë shpresë! Në të katër anët, një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes”.

I vlerësojmë, i pranojmë dhe i respektojmë vlerat gjuhësore të popujve të tjerë. Dhe respekti për të tjerët ka vlerë e besueshmëri kur, në radhë të parë, respekton vlerat e kombit tënd!

Në këtë shkrim, kuptohet që nuk përfshihet gjithçka për shqipen e folur e të shkruar, ndaj le të shërbejë për të ndriçuar sadopak një udhëz shekullore të shqipes, duke ngulmuar më shumë për të ardhmen e brezave të rinj përmes fjalës së bukur shqipe. Vetëm kështu rritet krenaria e kombit tënd brenda Shqipërisë,Kosovës, Maqedonisë dhe jashtë saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat