Pajtimi kombëtar!

Opinione

Pajtimi kombëtar!

Nga: Frank Shkreli Më: 27 tetor 2016 Në ora: 21:11
Frank Shkreli

Ende nuk kanë pushuar debatet dhe komentet në lidhje me deklaratat e vizitës së fundit të Kryeministrit të Shqipërisë, Z.  Edi Rama në Serbi – debate këto shpesh të ashpëra, të pasqyruara jo vetëm në median e shkruar dhe vizive midis gazetarve dhe analistëve në të dy anët e kufirit, por edhe në nivelet më të larta politike të dy qeverive shqiptare.  Ishin këto debate dhe komente që disa i cilësuan si një përplasje politike, e pa parë deri më tani midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare në lidhje me raportet midis Shqipërisë me Serbinë dhe rolit që duhet të luaj ose jo Shqipëria në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.  I gjithë ky debat ka lënë një shije shumë të hidhur në radhët e shqiptarëve që mendojnë se komente dhe debate të tilla nuk kontribojnë aspak në krijimin e raporteve vëllazërore dhe pajtimit midis shqiptarëve të rajonit, debate që fatkeqsisht kam frikë se mund të kenë pasoja negative afatgjata për konsolidimin e interesave të përbashkëta kombëtare të shqiptarëve në Ballkan.

Ndërkaq, një debat tjetër i ashpër u shkaktua ditët e fundit në nivelet më të larta të politikës shqiptare, ndërkohë që Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani dekoroi 67 nacionalistë të ekzekutuar nga ajo, që Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë e konsideron si, “Dora kriminale e një grupimi të bolshevikëve shqiptarë të orientuar nga të dërguarit jugosllavë”, duke theksuar në të njëjtën kohë se dekorimi i atyre martirëve, “Eshtë një detyrim dhe përgjegjësi historike e Shqipërisë së sotme euro-atlantike.”  Ndërsa ka mbrojtur vendimin e tij si të merituar përballë kritikave të ashpra -- në mendimin tim të pa arsyeshme dhe të pa nevojshme nga qarqet më të larta të qeverisë së sotme në Tiranë për dekorimin e këtij grupi -- Presidenti Nishani arsyetoi vendimin e tij duke thënë se, “Ata u ekzekutuan në mënyrën më kriminale të mundshme pasi ishin kundër shitjes së trojeve shqiptare tek të huajt” dhe se, “Ata u ekzekutuan se kërkonin orientimin perëndimor të Shqipërisë”.

Unë mendoj se vendimi i Presidentit të Republikës për dekorimin e këtyre martirve për të cilët vet ish-udhëheqsit komunistë kanë thënë se ishte gabim të vriteshin se ishin të pafajshëm – është plot me vend dhe si i tillë duhet të shikohet si një hap tjetër i Presidentit Nishani drejtë pajtimit kombëtar aq të nevojshëm për shqiptarët dhe shërimit të plagëve --  trashëgimi këto të një regjimi që edhe sot duket se e ruan hijen e vet, dhe jo vetëm hijen, në institucionet qeveritare dhe në mbarë shoqërinë shqiptare.  Presidenti Nishani, është i vetmi udhëheqës shqiptar i këtyre 25-viteve të fundit, i cili gjatë mandatit të tij, në kapacitetin e tij si kryetar i shtetit shqiptar, që është përpjekur të sjellë sado pak pajtim e harmoni në shoqërinë shqiptare, duke kujtuar viktimat e komunizmit dhe duke njohur dhe duke shprehur keqardhje dhe mirëkuptim për vuajtjet e të përndjekurve të pafajshëm të regjimit komunist.

Prandaj reagimet e ashpra ndaj vendimit të Presidentit Nishani për të dekoruar një grup shqiptarësh të ekzekutuar nga regjimi enverist, shkaktojnë që të bëhet pyetja se kush dhe pse mund të jetë dikush kundër pajtimit kombëtar?  Kujt i intereson dhe kush i frynë erës së grindjeve të përhershme dhe frymës së mos-pajtimit dhe të urrejtjes të vëllait me vëlla? Në interes të kujt është ringjallja e urrjejtjes që regjimi komunist kishte ndaj kundërshtarëve të tij për pothuaj gjysëm shekulli?  70-vjet pas mbarimit ë Luftës së Dytë Botërore, në asnjë vend të Europës, të lindjes ose të perëndimit, nuk vihet re ky fenomen si një vazhdim i kësaj lufte gati të thuash civile dhe urrejtjesh ideologjike në radhët e një kombi, ashtu siç dëshmojnë debatet dhe komentet aktuale në shoqërinë shqiptare.  

Duke qenë se besoj që pajtimi kombëtar i shqiptarëve është i doemosdoshëm, jo vetëm për një të ardhme më të mirë, por edhe për ekzistencën dhe identifikimin kombëtar të shqiptarve, më habiti shumë reagimi i ashpër ndaj vendimit të Presidentit të Republikës, fillimisht nga Zëvëndës Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Petro Koçi si dhe debati për “ballistët” dhe “partizanët” i zvilluar në Kuvendin e Shqipërisë të ënjtën, midis Kryeministrit Rama dhe përfaqsuesve të opozitës.   Petro Koçi është shprehur se dekorimi nga Presdienti Nishani i atyre që ai cilëson si “bashkpuntorë të pushtuesit fashist” , “Deshmon që e djathta nuk po distancohet dot nga ish bashkpunëtorët e fashizmit, ndryshe nga e majta që është distancuar qartazi dhe prerazi nga fajet dhe krimet e komunizmit”, ka shënuar ai.  I nderuari zëvendës ministër, po të ishte e vërtetë se jeni distancuar nga krimet e komunizmit, besoj se nuk do ta zhvillonit këtë debat sot për ballistët.  Ju e dini fare mirë se krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës nuk kanë të bëjnë asgjë me luftën kundër pushtuesve të vendit.   Si pjesëtar i një qeverie të një vendi antar i NATO-s, ju duhet ta dini mirë se vendi juaj si asnjë vend tjetër ish-komunist, nuk është përballur as nuk kini në mend të përballeni me krimet e regjimit komunist. Si rrjedhim, përçarjet dhe mosmarrveshjet që kanë pllakosur politikën dhe shoqërinë shqiptare do të vazhdojnë duke ua lënë trashëgimi brezave të ardhëshëm urrejtjen e përhershme ndaj njëri tjetrit.  Është kjo një trashëgimi që me të vërtetë doni tua leni fëmijve tuaj, që të urrejnë gjithë bashkatdhetarët e tyre që mund të mendojnë ndryshe, për hir të një të kaluare të tmershme?  Fatkeqsisht duhet të konstatohet se pajtimi kombëtar nuk është në interesin dhe as në agjendën kombëtare të shqiptarëve.

Por udhëheqsit e mirëfilltë duhet ta dinë se mos pajtimi kombëtar, madje edhe 70-vjet pas mbarimit të Luftës së Dyrtë Botërore, ka pasoja tragjike për një popull, si kombi shqiptar.  Natyrisht se pajtimi nuk është i lehtë dhe paraqet sfida, pa marrë parsyshë se cili është ose mund të ketë qenë konflikti.  Por pajtimi është i doemosdoshëm, sepse në mungesë të pajtimit kombëtar, sidomos kur konfliktet midis palëve janë tepër të acaruara në një shoqëri me institucione politike pa tradita demokratike siç është shoqëria shqiptare, gjëndja përkeqësohet mëtej, duke çuar, Zot ruajna, në konflikte të reja.  Prandaj është detyrë dhe përgjegjësi madhore e udhëheqsve më të lartë të vendit që me deklaratat e tyre të papërgjegjshme të mos i fryjnë erës së konfliktit dhe të mos-pajtimit, por të punojnë drejt vendosjes së besimit dhe bashkpunimit midis palëve në konflikt dhe shoqërisë në përgjithsi. 

Pajtimi kombëtar është diçka që nuk mund të imponohet nga jashtë.  Por duhet të ndërmirret nga vet shoqëria dhe institucionet e saj.  Shoqëria shqiptare nuk është përballur me të vërtetën e së kaluarës së saj komuniste, megjith pretendimet e zëvendës Ministrit të Mbrojtjes, Petro Koçi se e majta shqiptare “është distancuar qartazi dhe prerazi nga fajet dhe krimet e komunizmit”.  Kjo Nuk është e vërtetë!  Peshkopi afrikano-jugor Desmond Tutu ka thënë se e vërteta është thelbi i pajtimit. “Nevoja për të zbuluar të vërtetën mbi historinë e tmershme, bën që ajo histori të mos përsëritet më.”   Pa pajtim, ka thënë Peshkopi Tutu, “Njerzit nuk kanë sigurinë e nevojshme dhe as besimin në të ardhmen…Qëllimi i pajtimit duhet të jetë, që të krijohet një e ardhme e përbashkët më e mirë për të gjithë nga një e kaluar përçarse dhe konfliktuale”, ka thënë peshkopi Desmond Tutu, duke shtuar se përveç pajtimit nuk ka alternativë tjetër për sigurimin e paqës dhe stabilitetit të shoqërisë. Vendimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të dekoruar një grup nacionalistësh të masakruar nga regjimi komunist është një hap drejtë pajtimit kombëtar.  Merrni kurajo si burrat, jepni dorën njëri tjetrit dhe thoni të vërtetën, për hir të pajtimit kombëtar!

Image
Burri e njeh Burrin – “Ma jep dorën shok. Të dy kemi humbur nga një këmbë për një kauzë të mirë, por falenderojmë Zotin se nuk kemi humbur zemërat tona, bartëset e ndjenjave njerëzore."
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat