Ngushëllimi që nuk ka fuqi ngushëlluese

Opinione

Ngushëllimi që nuk ka fuqi ngushëlluese

Nga: Lis Bukuroca Më: 14 nëntor 2016 Në ora: 08:12
Lis Bukuroca

Nuk mund të vështrohet ajo fotografi dhe të mos ndjehet një ngushtim dhe goditje e rëndë në shpirt, që të detyron të mbyllësh kapakët e syve dhe të ndjesh vajin dhe pafuqinë!

Nuk mund të vështrohet ajo nënë me shikim të fundosur në moskuptim, në boshësi, në trishtim dhe në dhembje të pakrahasueshme. Nuk mund të soditet motra me kokën mbështetur mbi supin e atit!

Nuk mund të vështrohet ajo fotografi, ai baba, pa ndjerë gulçimën, pa u ngulfatur nga dënesja pastaj për të nxituar tek nëna, te motra, ku njeriu mbetet i shituar, i shtangur! 

Është trishtim! Është tmerr! Është përjetim, që nuk mund të shpjegohet, që nuk mund të përligjet. Është përjetim, i cili të përhedh jashtë horizontit, jashtë normave morale, juridike, qytetëruese, larg, shumë larg, diku ku pushon jeta, ku zhduket fryma dhe ku zhbëhet hapësira dhe koha. Është mjerimi i përfunduar, i mynxyrshëm, i kobshëm, i zi si korbi dhe më i ftohtë se vdekja vet.

As ngushëllimet nuk kanë fuqinë shprehëse të ndjesisë, të bashkëdhembjes. Nuk e kanë thjeshtë sepse janë fjalë që nuk parahedhin peshën e dhembjes. Janë fjalë vetëm, që mund të thuhen dhe shqiptohen, në këto çaste, por pa poseduar vërtetë peshën dhe nuancat ngushëlluese. Nuk e kanë. Nuk e kanë fuqinë inkurajuese! As për atë që i artikulon, as për ata që i pranojnë!

Nuk mund të shkruhet, nuk mund të heshtet, nuk mund të kuptohet, nuk mund të arsyetohet. Asgjë nuk është normale: as ngushëllimi, as bashkëndjesia, as vaji, as kokëvarja. Asgjë, ama asgjë nuk është normale. As vdekja, as shpjegimi, as ekspertiza! Është thjesht imazhi makabër i tmerrit, i rezignacionit, i fjalëve që u mungon kuptimi dhe mesazhi!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat