Traktati i Lozanës, Edi Rama dhe Ligji Grek i Luftës

Opinione

Traktati i Lozanës, Edi Rama dhe Ligji Grek i Luftës

Nga: Pirro Prifti Më: 29 nëntor 2016 Në ora: 11:02
Pirro Prifti

Intervista e Kryeministrit Rama në TV Skai të Greqisë ka pasur një jehonë të madhe si në Shqipëri ashtu dhe në Greqi. Jehona ka qenë tërësisht pozitive në popullin shqiptar dhe çuditërisht paradoksale tek disa analistë mediatikë të cilët u përpoqën të tregohen si  `më të zgjuarit` duke kundërshtuar Ramën, por shihet që përpjekjet e tyre ishin më tepër `për të lënë nam` me kritikat e tyre idiote se sa kishin ndonjë element pozitiv bazë në raport me vërtetësinë e fjalëve të Kryeministrit shqiptar. Reakion negativ u vërejt pikërisht në heshtje apo dhe në batutat e disa politikanëve të opozitës të cilët treguan dhe një herë se sa e fortë dëshira për të folur keq për vendin e tyre në raport për të ruajtur kokën nga përgjegjësitë që kanë pasur ata kur kanë qenë në pushtet për shkak të vendim marrjeve të gabuara.

Le të hidhemi se përse për herë të parë Kryeministri Rama foli hapur për problemet që kanë qëndruar në heshtje për gati 94 vite për të drejtat e njeriut, problemet e pronave, problemet e gjuhës, problemin e ligjit të luftës që kanë të bëjnë më politikat e shtetit grek ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Për herë të parë për problemet e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të pronës së shqiptarëve çamë në Greqi, ka folur Fan Noli në 1924 në Lidhjen e Kombeve  për zgjidhjen e çështjes çame. Përmes një kërkese drejtuar Fan Noli, vinte në dijeni se Lidhja e Kombeve kishte bërë një deklaratë për zgjidhjen e çështjes çame dhe se Turqia duhet ta reflektonte atë.

Po ashtu në vitin 1925, ministri fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë, ar Mit’hat Frashëri, i drejtohej kryetarit të komisionit Mikst, në Kostandinopojë, me një protestë për shpërnguljen e 5000 shqiptarëve nga trojet e tyre në Çamëri.
Gjithashtu, në vitin 1936, Mbreti Ahmet Zogu, firmosi promemorien ku kërkohej qeverisë greke të lejonte mësues të gjuhës shqipe në shkollat e Çamërisë, konkretisht në Filat (http://shqiperiaebashkuar.al/2016/10/ceshtja-came-si-kerkohej-zgjidhja-nga-ahmet-zogu-fan-noli-e-mithat-frashri/).

Politika e shtetit grek deri në ditët e sotme ndaj Shqipërisë ka qenë në përgjithësi korrekte sidomos pas viteve `90 kur Shteti grek pranoi mbi 500.000 emigrantë shqiptarë ekonomikë, të hynin në Greqi, popullatë e cila arriti deri në rreth 1 milion në vitet `97-`98, popullatë e cila u prit krahëhapur, por sidoqoftë, këta njerëz punuan, punojnë dhe kontribuojnë në ekonominë greke si dhe kanë ndihmuar familjet e tyre në Shqipëri.

Veçori karakteristike e shtetit shqiptar dhe e vetë shqiptarëve është, mungesa e racizmit, mikpritja ndaj të huajve, dhe bashkëjetesa pa paragjykime me minoritetet që qëndrojnë në Shqipëri, veçanërisht me minoritetin grek i cili ka gëzuar privilegje të veçanta në Shqipëri që nga koha e Zogut, në kohën e diktaturës, dhe në kohën e demokracisë, duke qenë dhe pjesëmarrës në pushtet. Asnjëherë minoriteti grek nuk ka jetuar ndonjëherë më keq se shqiptarët, përkundrazi çdo gjë e ka jetuar, dhe ndarë bukën me njëri tjetrin.

 Shqipëria pas viteve `90 ashtu si një nxënës i mirë, ka dëgjuar dhe zbatuar dhe ka miratuar çdo propozim të shtetit grek, aq më tepër që Greqia është një vend i BE, dhe na ka ndihmuar e na ndihmon që të integrohemi sa më parë në këtë Union evropian për të cilin shqiptarët aspirojnë prej vitesh.

Problemi që ka qëndruar i fshehur dhe ka krijuar tensione midis Tiranës dhe Athinës ka qenë dhe mbetet çështja çame apo e të drejtave dhe lirive e të pronave të shqiptarëve çamë, por dhe jo çamë myslimanë apo të krishterë që i kanë në Greqi, e për pasojë dhe probleme të tjera, për të cilat qeveritë shqiptare kanë ulur kokën si p.sh., problemi i ndryshimit të emrave të toponimeve, problemi i ndryshimit të emrave të emigrantëve, problem i ndalimit të librave në gjuhën shqipe, madje dhe ndalimi i të folurit në shqip në institucionet zyrtarë apo në publik në Greqi, ndalimi i banorëve me origjinë çame për të vizituar Greqinë.

Këto probleme që ngrenë kokë herë pas herë kërkojnë një zgjidhje prej xhentëlmenësh midis dy palëve të politikanëve shqiptarë dhe atyre grekë.

Problemi kryesor që pengon zgjidhjen, është pikërisht Ligji absurd i Luftës i nxjerrë nga Mbretëria greke me Shqipërinë në vitin 1940. interesant është  fakti se Lufta italo-greke nuk ka pasur asgjë shqiptare, sepse batalioni Tomori i drejtuar nga Spiro Moisiu braktisi luftën, pra Shqipëria nuk u përzje në këtë luftë zyrtarisht.

Nuk ka gjithashtu as ndonjë dekret të nxjerrë nga qeveria shqiptare e asaj kohe kur ishte nën pushtimin italian në përkrahje të asaj luftë. Për pasojë, 3 muaj pas përfundimit të luftës, Greqia hoqi ligjin e luftës ndaj Italisë por la një ligj lufte me Shqipërinë e pushtuar asaj kohe nga Italia.

Këtu del se Ligji i luftës që qëndron që prej vitit 1940 nuk është aq absurd sa thonë qeveritarët grekë , po të shikosh se heqja e tij do të aktivizonte automatikisht të drejtën e pronave të shqiptarëve çamë myslimanë dhe shqiptarëve jo çamë në Greqi, do të aktivizonte të drejtën e qëndrimit si qytetarë grekë që janë ata në Greqi, si dhe të drejtën  e minoriteteve për të mësuar në gjuhën amtare (shqipe) në Greqi.

 Kjo ka shkaktuar `kokëçarje` të mëdha në politikën kokëfortë greke të ditëve të sotme, sepse nga njëra anë duke qenë në BE ajo detyrohet të jetë një mbrojtëse e Rezolutave ndërkombëtare për liritë e të drejtat e njeriut dhe të pronës, nga ana tjetër vepron në mënyrë të njëanshme ndaj Shqipërisë duke i kërkuar asaj vetëm të drejtat e minoritetit grek, të drejta që minoriteti grek i ka të realizuara dhe më shumë se kaq, ose bën presion për të ndërtuar varreza të ushtarëve grekë në Shqipëri, sikur këta ushtarë të respektuar të mos kenë fare familje në Greqi që tua kërkojnë eshtrat e tyre, e të varrosen me dinjitet në vendin e tyre, kurse këtu në Shqipëri mund të ngrihej vetëm një obelisk në nderim të tyre.

Kjo hedh hije dyshimi në sinqeritetin e fjalëve dhe veprave të politikës greke përsa i përket  insinuatave të presionit ndaj Shqipërisë së vogël, megjithëse e di fare mirë që politika shqiptare dhe vetë shqiptarët e kuptojnë fare mirë përse bëhet fjalë kur vjen puna për varrezat apo për të drejtat e minoritetit grek i cili praktikisht dhe ligjërisht i ka të respektuara nga shqiptarët në mënyrë të shkëlqyer.

Kjo është arsyeja se përse intervista e Edi Ramës bërë jehonë në Greqi dhe në Shqipëri, sepse Edi Rama hapi kapitullin e mbyllur jo në mënyrë të sinqertë nga politika greke të mijëra shqiptarëve çamë të deportuar me pretekstin e bashkëpunimit me gjermanët kur dihet mirë se vetëm një grup i vogël i tyre bashkëpunoi dhe për më tepër se, ndëshkimi nuk mund të bjerë mbi familjet, nipërit e stërnipërit e tyre ashtu siç bën qeveria greke duke u fshehur pas ligjit të luftës. Kjo është një Hipokrizi e pastër të cilën Edi Rama e grisi me mjeshtëri në atë intervistë duke treguar qartë pamjen hipokrite të qeverisë greke, me një kulturë të foluri për tu admiruar.

Për mendimin tim problemi  është akoma më i thellë kur bëhet fjalë për deportimin.

Deportimi dhe problemet e tij nuk lidhen vetëm me ligjin grek absurd të luftës.

 Problemi të cilit i tremben politikanët grekë, është Traktati i Lozanës (Lausanne Treaty), për të cilin foli Erdogani para 1 muaji dhe për të cilin foli pak edhe Kryetari i Opozitës greke dhe ministri i jashtëm grek Kocias. Përse është kaq e frikshme të flitet për deportimin dhe traktatin e Lozanës?

Traktati i paqes i Lozanës u siglua në Lozanë Zvicër në 24 korrik 1923 për  të zgjidhur konfliktin që ekzistonte midis Perandorisë Otomane me Perandorinë Brtanike dhe aleatëve të saj: Republika Franceze, Mbretëria e Italisë, Mbretëria e Greqisë, Mbretëria e Rumanisë, Perandoria e Japonisë, pas Luftës së Parë Botërore. Ky traktat përcaktoi kufijtë e Republikës moderne të Turqisë së sotme. Turqia, hiqte dorë nga të gjitha pretendimet e perandorisë së mbetur Otomane dhe në rikthim, Aleatët njihnin sovranitetin e Turqisë brenda kufijve të rinj. Traktati u ratifikua nga Turqia në 23 gusht 1923, nga Greqia në 25 gusht 1923, Italia në 12 Mars 1924, Japonia në 15 Maj 1924, Anglia në 16 korrik 1924. Traktati hyri në fuqi në 6 gusht 1924 dhe u depozitua në Paris, Francë. Konventa kishte një efekt retrospektiv për të gjitha zhvendosjet e popullatave të cilat ndodhën pa deklarimit të luftës së parë Ballkanke (12 tetor 1912).

Traktati i Lozanës përfshinte kufijtë e rinj të shteteve në kufi me Turqinë dhe zhvendosjen e popullatave bazuar në llojin e Religjionit pavarësisht se çfarë gjuhe flisnin popullatat e shkëmbyera. Përkatësisht negociatat u bënë nga Elefterios Venizellos si negociator i Greqisë dhe Ismet Inonu si negociator i Turqisë, Lordi Curzon si sekretar shteti i Jashtëm e Anglisë, dhe Admiral Amerikani Mark.I. Bristol i SHBA. Ky  traktat siguronte të drejtat e minoriteteve ortodokse greke në Turi dhe minoritetin turk në Greqi. Konventa siguronte shkëmbimin e popullatave përkatëse duke bërë praktikisht një spastrim etnik të miratuar nga kjo konventë. Shkëmbimi i popullatave filloi në 1923 pas firmosjes në Lozanë për këtë shkëmbim më 30 janar 1923 nga të dy palët dhe vazhdoi deri në 1930 duke ndryshuar dramatikisht strukturën e popullatës në Greqi por edhe në Turqi respektivisht.

U shkëmbyen 1.3 milion grekë të Anadollit  me 500.000 myslimane turq që jetonin në Greqi.

 Në këtë popullatë të ashtuquajtur turke myslimane u shkëmbyen edhe popullata myslimane epirote përfshi dhe atë çame që në atë kohë, krahas popullatave sllave myslimane, greke myslimane, vllahe myslimane, dhe turke myslimane. Shumë nga këta njerëz u deportuan me forcë dhe pa dëshirën e tyre. Popullata myslimane e quajtur `turke` nga Epiri dhe Çamëria u vendosën në qytetet ku kishin më parë banuar grekët ortodoksë në Turqi: Erdek, Ayval?k, Mente?e, Antalya, Senkile, Mersin, dhe Adana.

Z. Norman Naimark përfaqësues Europian i Traktatit pretendonte në atë kohë se ky Traktat ``..ishte pjesa e fundit e fushatës për të krijuar një atdhe puro etnik në Turqi…. Historiani Dinah Shelton  shkruante se ….Traktati i Lozanës nuk ishte një etno-nacionalizëm por më shumë ishte një…. Vendim i shpejtë dhe efficient pa asnjë vonesë…..``.

Myslimanët nga Epiri quheshin ndryshe dhe Janillarë (pra nga Janina) ose turkojoanitë, dhe arritën në Turqi nëpërmjet dy valëve të deportimit: në 1912 dhe pas 1923. Të gjithë këta ishin shqiptarë dhe çamë. https://en.ëikipedia.org/ëiki/Population_exchange_betëeen_Greece_and_Turkey.

https://en.ëikipedia.org/ëiki/Greek_Muslims#Epirote_Muslims; https://en.ëikipedia.org/ëiki/Greek_Muslims.

E parë në këtë kënd vështrim del e deportimi i shqiptarëve myslimanë ndoqi tre valë emigrimi : më 1912-1923 të dyja në Turqi sipas Traktatit të Lozanës, dhe më 1944 në Shqipëri me pretekstin se ishin bashkëpunëtorë të nazistëve.

 Me këtë deportim të fundit shteti grek mbeti pa minoritete e quajti veten- shtet homogjen ,  dhe megjithëse ka një minoritet të vogël turk, nuk e ka firmosur as sot e kësaj ditë  Deklaratën e OKB për të drejtat e Minoriteteve,  me sa duket me pretekstin se `…nuk ka minoritete`. Kjo është edhe një Hipokrizi por edhe një Racizëm i pastër.

Kjo është arsyeja që politikanët grekë reaguan me kujdes ndaj intervistës së Ramës, dhe ndonëse nuk po ngurojnë të bëjnë si zakonisht rolin e viktimës duke sulmuar me kërkesa ndaj shtetit shqiptar, e ndjejnë se e vërteta historike do t`ju heqë vellon që i kanë vënë vetes për të mbuluar racizmin dhe arrogancën ndaj një shteti të vogël si Shqipëria (madje ata kanë problem edhe me Maqedoninë, Bullgarinë e sigurisht edhe me Turqinë), dhe si kampionë të  mbrojtjes së Demokracisë në Evropë dhe në Ballkan, por se në fakt janë ata që me megalomaninë e tyre  për të mbuluar gënjeshtrat që kanë lëshuar gjithë këto vite , po mbajnë pezull rregullimin e sinqertë të marrëdhënieve bazuar në Konventat ndërkombëtare, në vend që të heqin ligjin e luftës dhe të bisedojnë si të barabartë me fqinjët e tyre të urtë dhe të bindur siç janë shqiptarët.

Ja pse Ligji i Luftës është i lidhur edhe me Traktatin e Lozanës të cilën grekët nuk duan ti ndryshojnë, dhe se fjala e Kryeministrit shqiptar ka hapur plagën e vjetër e cila kërkon një shërim bashkëkohor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat