Ky rreth vicioz ankthi dhe moskuptimi…

Opinione

Ky rreth vicioz ankthi dhe moskuptimi…

Nga: Fran Kamshi Më: 29 nëntor 2016 Në ora: 17:16
Fran Kamshi

Pas pesëdhjetë vitesh izolim e shterpësi, dy dekada e gjysëm pritje, stanjacion, mashtrim, uri, depresion, krim e mjaft dukuri të tjera shoqëruese të këtij tranzicioni, kanë bërë që shqiptarët në Shqipërinë administrative të jenë më të lodhur e më të stresuar se kurrë, në një përpjekje sizifiane për ta çuar në majë gurin mitik të një demokracie rrumpallë, që s’po na ofron asgjë, veç zhgënjimit.

Pra, kanë kaluar njëzet e pesë vjet që kur ne shqiptarët, pas një nate të gjatë pesëdhjetëvjeçare, nën thirrjet “liri-demokraci”, rrëzuam muret e izolimit të gjatë e të lodhshëm, idhujt e rremë të një kohe absurde dhe ndërmorëm kursin e ndryshimit të madh politik drejt Europës. Kryedeviza e shoqërisë së re e të hapur ku u përfshimë ishin dhe mbeten të drejtat njerëzore, garantimi i tyre kushtetues, juridik dhe veprues në të gjitha shtrirjet e funksionimit të demokracisë dhe të pushteteve në Shqipëri.

Por ende sot, pas më shumë se dy dekadash, të drejtat e njeriut janë nën vëzhgimin dhe presionin e grupeve të interesit, pranë Oborreve partiake, ende ka diskriminim jo vetëm të romëve, ballkano-egjyptianëve, grave e fëmijëve, por dhe ndaj ish pronarëve, njerëzve pa prona, punëtorëve, intelektualëve që nuk mendojnë njësoj si pushteti. Një dhunim sistematik dhe cënim i përllogaritur është ndërmarrë nga dy partitë kryesore politike dhe pushteti i prodhuar prej tyre ndaj ish të përndjekurve politikë, shtresës më fisnike të shoqërisë shqiptare, ndaj atyre që u burgosën, u internuan, u dëbuan, u linçuan dhe u vranë për ëndrrën perëndimore, kur të gjithë endeshim dhe vegjetonim në tunelin e errët e kolektivizimit absurd dhe tam-tameve të revolucionit bolshevik.

Gjithë ky devijim e ka një emër: është rrjedhojë dhe produkt i një klase politike të kthyer në oligarki krimi e grabitje për shumicën e shqiptarëve dhe megjithë këtë, ajo vazhdon të paraklaojë para shqiptarëve, duke folur me terma të stisur tribunal, për “reforma”, “në emër të sovranit”, për “rrotacion politik”, “zgjedhje të lira e të ndershme”, etj, sikur të kishte qenë një orakull shprese e jo një mallkim për ne shqiptarët.

Ajo që ka ndodhur këta njëzet e ca vjet dhe që vijon të ndodh me një simetri gërricëse ndaj të gjitha shtresave të shoqërisë shqiptare, provon se tranzicioni i tejngarkuar dhe tejet problematik në vendin tonë ishte dhe mbetet një iluzion pa krye e pafund, mbushur me pritje e shpresë, me premtime e zhgënjime të njëpasnjëshme mbarëpopullore, por veçanërisht për shtresat më të varfra e më të pa privilegjuara. Nuk flitet vetëm për minimumin jetik të munguar e të shtyrë në kalendat greke, jo vetëm për thellimin e mungesës së vendeve të punës, diskriminimin në startin e sipërmarrjes së lirë, por për gjëra akoma më të rënda, për një përndjekje të re, me metoda më të sofistikuara e më diabolike, duke sulmuar ditën për diell pronën dhe dinjitetin, sikur kjo klasë politike të ishte një pushtuese mizore e jo një bijë e këtij populli.

Mjafton të kujtojmë që në sheshet e ngujimit dhe protestës në këtë vend janë vetëdjegur të gjallë disa ish të burgosur politikë, janë vrarë katër protestues në ngjarjet makabre, gjatë masakrës qeveritare të 21 janarit, janë ekzekutuar përgjatë një krimi ushtarak 26 vetë dhe rrënuar një fshat i tërë i quajtur Gërdec, për interesa të një kaste kriminale, ndërkohë që ligji i riciklimit të plehrave në një vend ku plehrat notojnë para shtëpive tona, tenton ta kthejë Shqipërinë në një Somali të Evropës.

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, hallexhinitë, të nëpërkëmburit, të grabiturit, të shpronësuarit pa ligj dhe me vendime partie si në vitin 45, vëzhgohen me metoda policore, iu përgjohen telefonat, kërcënohen dhe përjashtohen nga shanset e shoqërisë së hapur.

Nga gjendja në të cilën e shohim veten, nga situata e zymtë që ka pllakosur gjithë vendin, nga pasiguria e jetës tonë, papunësia dhe shkatërrimi moral e shpirtëror i një populli të tërë, e kuptojmë se gjithë përpjekjet për integrim në Europë dhe në botë, kanë qenë të tilla që ky integrim është një fasadë për të fshehur plagët tona, ku mëkatarët evetëm janë politikanët tanë të të gjitha ngjyrave: të majtë, të djathtë, të qendrës, liberal e konservatorë, të gjithë në bllok për të grabitur këtë popull!

Treguesit janë shqetësues dhe gjithnjë në rënie, në të gjitha fushat e jetës social - ekonomike, arsimore e kulturore, ndërsa propaganda bëhet se ia kemi kaluar Europës dhe se nuk njohim krizë dhe se bota duhet të ndjekë reformat e Shqipërisë, që në fakt janë një bllof i gjallë, që tregon nivelin e demagogjisë pushtetare.

Në realitetin shqiptar, po prekim çdo ditë me dhimbje dhe keqardhje, ardhjen e një krize buçitëse, ku varfëria, krimi, analfabetizmi po kthehen në gangrenë. Në këto rrethana, ku janë standardet humane për mbrojtjen e të drejtave njerëzore? Ku janë kthimet dhe kompensimet e pronave në duart e pronarëve të ligjshëm, që kanë mbetur duke tundur në dorë tapitë e vjetra? Ku janë legalizimet që po kthehen në një letër propagandistike për vota, pa zgjidhur nyjen gordiane të tranzicionit të tejzgjatur shqiptar?

Asgjë nuk është “në drejtimin e duhur”, siç iu pëlqen të trumbetojnë rilindasve, përveç kanabisit, që ka pushtuar fushat e malet tona, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, nga zonat urbane në ato rurale, duke u kthyer çdo pëllëmbë e tokës sonë në një depo gjigande droge dhe hashshi për furnizimin e kontinentit të vjetër.

Pushteti, me hallkat e tij të shumta, në vend që të mobilizohet për të luftuar krimin që po bën kërdinë, mobilizohet për të vënë nën kontroll “fakir fukarnejtë që nuk kanë të paguajnë energjinë, duke i rrethuar individët më të varfër e më të nëpërkëmbur me përgjime, kërcënime, presione, përjashtime nga puna e dhunime të tjera të gjithfarshme. Sot flitet shumë për të drejtat e njeriut, por ata janë të mbyllura në rrethin vicioz të një pushteti që këmbehet politikisht, por ende nuk ka vendosur themele për garantimin e këtyre të drejtave.

Sot nuk ekziston institucioni i ankesës qytetare, pasi institucionet janë gojë të shurdhëra që nuk flasin dhe nuk thonë asgjë, duke e kthyer qytetarin në një robot të halleve të tij të shumta, për të cilat nuk gjen zgjidhje dhe vërtitet në një jerm institucional. Pra, rrethi i të drejtave të njeriut në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më vicioz, duke mbajtur peng shtresa të caktuara të kësaj shoqërie, nën presionin e pushtetit ekzekutiv, që në vend që të garantojë këto të drejta, po kthehet në një varrmihëse të tyre.

Klasa politike që është e zënë pambarimisht në luftën bipartiake për pushtet, ato fytyra politikanësh e pushtetarësh, të lodhura nga vetëkëndellja, të cilat kanë njëçerek shekulli që godasin me vare psikikën tonë kolektive, ka ardhur koha të ngrejë flamujt e bardhë dhe të ikë me turp nga skena politike, sa kohë që është ende në kohë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat