Shqetësimi i Niko Kotzias për shtetësinë shqiptare për Janullatosi?

Opinione

Shqetësimi i Niko Kotzias për shtetësinë shqiptare për Janullatosi?

Nga: Arben Llalla Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 11:05
Arben Llalla

Në daljen e fundit, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias përveç se sulmoi elitën politike shqiptare duke e akuzuar se financohet me paratë e drogës, iu referua papritur refuzimit, sipas tij të shtetit shqiptar, për t’i dhënë shtetësinë, pas 25 vjet qëndrimi në Shqipëri, kryepeshkopit Anastasios. Megjithëse mendoj që të përmendësh pas drogës, një misionar fetar, ia ul vlerën mesazhit dhe personazhit që i referohesh, nuk do të hyj në analizën e arsyeve përse shteti shqiptar i refuzon nënshtetësinë, por do të rrekem të shpjegoj, nëse a e do me të vërtetë dhe a e meriton Anastas Janullatosi shtetësinë shqiptare?

Sigurisht, pas çerekshekulli, të pranisë rezidenciale në një vend ke të drejtë ta kërkosh nënshtetësinë e atij shteti dhe patjetër që një nga krerët e komuniteteve historike fetare në Shqipëri do të duhej të ishte i pajisur natyrshëm me pasaportën tonë, pasi ne e japim me lehtësi atë, tek personat që kanë një kontribut të veçantë, përfshirë artistë, sportistë, trajnerë, e të tjerë. Por, të akuzosh një shtet që refuzon dhënien e nënshtetësisë tek një i huaj, pas një periudhe kaq të gjatë qëndrimi, do të duhej të konfirmosh se a ekziston një kërkesë zyrtare nga ana e Janullatosit për ta marrë nënshtetësinë shqiptare dhe a ka një akt apo vendim të shkruar refuzimi?

Image
Nikos Kotzias e Janullatos

Besoj se nuk ekziston kërkesa për nënshtetësi, pasi krenaria e Anastasit nuk e lejon që ta pranojë refuzimin, ndaj edhe kërkesën nuk e ka bërë. Ai ka bërë tjetër gjë; ka dërguar emisarët e tij politikë, me shumë gjasë Vangjel Dulen, i cili e ka ngritur këtë çështje në Kuvendin e Shqipërisë, për të negociuar me autoritetet për dhënien e kësaj nënshtetësie. Ngaqë nuk ka marrë garanci, ka preferuar të mos aplikojë për nënshtetësi. Në këtë rast, një ministër i Jashtëm, nuk mund të akuzojë një vend fqinj dhe mik, që paska refuzuar mbi negociata korridoresh, se ministrat nuk flasin mbi thashetheme. Akuza do të qëndronte, vetëm nëse ka një kërkesë dhe refuzim zyrtar nga ana e shtetit shqiptar, të cilin deri më sot, as Janullatosi, por as edhe Ministria e Jashtme greke që bën publike zyrtarisht problemet e kryepeshkopit Anastasios dhe të kishës shqiptare, nuk pretendojnë se ky dokument ekziston. Ndaj, pasi Anastas Janullatosi derisa të paraqesë kërkesën e refuzuar, bën mirë të mos i ankohet shtetit grek për diskriminim nga ana e shtetit shqiptar. Sigurisht, Janullatosi as që e dëshiron realisht pasaportën modeste shqiptare.

Kjo bindje përveç se më buron nga fakti i analizimit të të gjithë veprimtarisë së tij antishqiptare çerek shekullore në Shqipëri, ku mbas mesazhit të ngjalljes, ka instaluar mitin e vdekjes dhe varrezave të ushtarëve grekë, mirëmban një rrjet gjigant shkollash e kopshtesh, ku gjuha greke jepet si lëndë e detyrueshme.

Një element flagrant, i cili më bën të mendoj se Janullatosi as që nuk e do, madje e përbuz nënshtetësinë dhe kombin shqiptar, është tallja që ai i ka bërë dy vitet e fundit flamurit shqiptar. Megjithëse mediat e kishës, nën trysninë e opinionit publik, janë kujdesur që ta kapin me video amatore, praninë e Janullatosit në dhoksologjinë e flamurit shqiptar, sigurisht që nuk mund të na shpjegojnë zyrtarisht, se përse Anastas Janullatosi nuk e lexon vetë lutjen e bekimit të flamurit tonë? Justifikimi që nuk di mirë shqip bie poshtë, se Anastasios i lexon vetë lutje shumë më të gjata në ceremonitë ortodokse, sesa disa rreshta që përmban ky bekim.

Sërish, Janullatosi me dinakërinë e tij, zgjedh të bëjë akrobaci diplomatike, ku nga njëra anë është i pranishëm duke urdhëruar mercenarët e tij ta filmojnë me duart që u dridhen nga mashtrimi që bëjnë me dashje të opinionit publik, i cili ngaqë nuk i di mirë hollësitë e ceremonialit e beson këtë gënjeshtër. Sigurisht, Janullatosi, nga ana tjetër nuk rrezikon të plagosë ndjeshmëritë e shtetit grek që e financon dhe nuk e vendos veten kurrë në kryesimin e kësaj lutje për të bekuar me dorën e tij flamurin shqiptar. Kjo është një lëvizje e shkëlqyer strategjike, e denjë për dinakërinë historike të Janullatosit. Por, nuk mund të lihet gjithashtu, pa u informuar opinioni publik shqiptar që në çdo 28 tetor, kur Greqia ka festën kombëtare (JO pushtimit italian 1940), vetë Janullatosi i prin personalisht lutjeve, vetë bekimit të ushtarëve dhe flamurit grek në vendvarrimet që KOASH, nëndiktatin e Janullatosit, ka marrë përsipër të ndërtojë e mirëmbajë. Këto ceremoni, natyrsht nuk filmohen me celularë, por me kamera profesionale të kanaleve më të mëdha greke.

Së fundi, a mund të na shpjegojë KOASH-i, se përse çështjet e saj ndërkombëtarisht i mbulon Ministria e Jashtme greke, kurse kombëtarisht i mbulojnë minoritarë grekë, si Panajot Barka, Vangjel Dule dhe Orfea Beci? Madje, ky i fundit që është edhe drejtor i zyrës teknike në dioqezën e Gjirokastrës, pra i punësuar në KOASH, del krah Dules në studion e Fevziut dhe mbronte me pasion të madh, interesat e Greqisë e minoritetit grek. A mund të na thotë Janullatosi se përse njerëzit e tij, të infiltruar në politikë, botën akademike, media, administratë publike dhe nënpunësit e tij, pra të kishës shqiptare, dalin dhe mbrojnë publikisht dhe hapur, interesat greke dhe jo ato kishtare të ortodoksisë shqiptare?

Duke patur parasysh gjithë këto fakte, mendoj se Janullatosi nuk e dëshiron, përveçse nuk e meriton shtetësinë shqiptare, nisur nga punët e errëta që ka bërë në kurriz të shqiptarisë, në favor të kauzës grekomane, për të cilën tashmë punon pa u fshehur dhe pa frikë.

Shteti shqiptar dhe studiuesit e lirë, kanë për detyrë ta dokumentojnë veprimtarinë e tij në çdo aspekt dhe nëse vjen dita që Janullatosi do ta kërkojë zyrtarisht, gjë që nuk e besoj, shtetësinë shqiptare, t’ia japim përgjigjen e argumentuar, me bëmat e listuara e të faktuara antishqiptare, qoftë vetë Janullatosit, qoftë edhe ministrit të jashtëm grek të radhës, që krahas kritikave mbi drogën, jep rekomandime mbi Janullatosin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat