Të braktisur dhe të zhgënjyer nën petkun e “sovranit”…

Opinione

Të braktisur dhe të zhgënjyer nën petkun e “sovranit”…

Nga: Fran Kamshi Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 16:36
Fran Kamshi

Nuk themi ndonjë gjë të re, kur thjeshtë konstatojmë faktin se midis pushtetit ekzekutiv dhe popullit është vendosur një muranë e trishtë dhe e padepërtueshme, që shkon deri në shurdhëri. Qeveria noton në luks, drita dhe neonë të kushtueshëm, palma, ornamente të tejkushtueshme, “rilindja urbane” rilind luksin e shfrenuar për qendrat e metropoleve dhe bizneset qeveritare, ndërkohë që periferitë, në gjysëmerrësirë, për shkak të ndëprerjes së enegjisë nga pamundësia e pagesës, shfaqin një peizazh migjenian dhimbje e braktisje që të ther në zemër e në shpirt.

Besoj se keni dëgjuar të thuhet shpesh, që politikanët sapo marrin pushtetin dhe karriget e tij nuk pyesin më për popullin!
Me të drejtë mendohet e thuhet kështu, sepse vetë realiteti e ka treguar, se politikanët sapo ja hypin pushtetit, jo vetëm ndërrojnë numrat e celularëve, por edhe sjelljet e veshjet e tyre, ecjen dhe gjestet, lukun, gjuhën e gjithçka që nuk e kishim parë më përpara tek ata. Madje ndryshojnë aq shumë sa që, dhe rinisin adoleshencën e tyre të re. 
Bëhen si viça të dhjamosur dhe mendjet i shtegëtojnë diku larg në ndonjë pyll a shpellë, ku kanë fshehur thesaret e grabitura, duke mbetur shpirtzbrazur krejt.
Dhe ne çuditemi!!... Çuditemi, se si u shkëputën kaq shumë këta njerëz nga populli?!!...

Pyesim, sepse harrojmë të thellohemi, se a kanë qënë ndonjëherë këta njerëz të lidhur me popullin? Me hallet e problemet e tij? A kanë dalë ndonjëherë jashtë interesave të tyre dhe në mbrojtje të ndonjë individi apo grupi këta njerëz që na dalin mbi kryet tona? Ku ishin dhe në ç'pozicione kur Ti vuaje konfliktin, padrejtësinë, papunësinë, vendimin e padrejtë, dhunën dhe mosekzistencën?...

Përgjigjet e këtyre pyetjeve të çojnë tek përfundimi, se këta njerëz asnjëherë nuk kanë qënë pjesë e vuajtjes popullore, edhe pse pjesë e "vuajtjes" së tyre për pushtet!
Realiteti po ashtu, ka treguar se kanë qënë pjesë e prapaskenave të pushtetit dhe mekanizmave të tij, për të goditur e denigruar luftëtarët e vërtetë, duke i shantazhuar e veshur me opinione e epitete, si të ishin barbarët, injorantët dhe sherrxhinjtë e kësaj kohe "demokratike".

Dhe tani ai (ata) është ministër dhe i bërë hermetik në zyrat dhe makinat e blinduara, i mbrojtur prej badiguardëve dhe i shfaqur përnatshëm në të gjitha kanalet e televizioneve si çudibërës, si njeri i shkolluar në perëndim dhe "i aftë për në Bruksel"!...

Ky eshte pushteti i djallëzive, që na shqetëson për faktin se njerëzit e tij janë mjeshtëra në zotërimin e teorisë së turmës dhe artit të tyre të mashtrimit!
E shkatërruan kohezionin social të natyrshëm (punën, organizimin e prodhimit, shkollën, moralin dhe ushtrinë), që mbante në harmoni shoqërinë shqiptare dhe ndërtuan mekanizmat e djallit, teorinë e përbindëshave dhe frikën si lëndë për t'a mbajtur popullin të ndarë në dy grupe të mëdha. 

Këtë të ashtuquajtur luftë kundër krimit, trafiqeve, korrupsionit dhe terrorit, e kemi përpara syve dhe mendjes çdo ditë e përnatë, si fokus e dritë - shprese të ekzistencës tonë. 
Në këtë dështim të dukshëm socio - politik dhe ekonomik, pasi politika shqiptare akuzoi dhe dështoi me kartën e antikomunizmit, u bë elita sunduese por e pasigurtë. Në këtë situatë dëshpëruese për të vetëquajturit politikanë të ketij çerekshekulli të fundit, shohim të investojnë sërish paratë e popullit (shpenzime pafund), duke shpikur fajtorin dhe "armikun e ri", si një mjet të preferuar dhe në fakt si mjetin e vetëm, për të krijuar bashkësi shoqërore (elektoratin).

Edhe me sy nudo, mjafton vetëm pak vëmendje për të dalluar rrekjen e politikës dhe të sharlatanëve politikanë për të krijuar një imazh armiku si kërcënim për shoqërinë, sa për t'a mbajtur të bashkuar e për t'a futur në kutitë e tyre të votimit të radhës.
Pra, populli dhe politika me pushtetin e saj, tashmë janë në dy kampe krejtësisht kundërshtare: Populli i braktisur dhe i zhgënjyer nga njëra anë, dhe politika që pasi ka shpartalluar Lazaratin, e kthyer Shqipërinë në një superazarat gjgand,  duke kërcënuar normalitetin me  kërcënimet, vrasjet, trafikun që nuk ka të reshtur dhe nga ana tjetër me padrejtësinë dhe sherrin e përditshëm parlamentar, por dhe policinë që merret me pjesën që lufton për mbijetesë!

Të braktisur dhe të zhgënjyer nën petkun e “sovranit”, njerëzit e këtij vendi, shtresat në nevojë, të pa punët, punëtorët me paga qesharake, personat me ndihmë sociale, romët, ballkano-egjyptianët, të shpronësuarit nga sipërmarrjet publike që nuk kanë marrë paratë e shpronësimit, gratë pa burra e të mbetura në mëshirë të fatit, nënat me fëmijë e pa kryefamiljarë që nuk dinë se ku të trokasin për bukën e përditshme, të gjithë këto tani presin t’iu trokasin në derë dhe t’iu kërkojnë edhe një herë votën, por ata tashmë janë vetëdijësuar që me votën e dhënë prej duarve të tyre të mos riciklojnë pushtetin e babzëzitur që ata ti lerë rishtas me gisht në gojë!...  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat