Nën “hijen” e një disidence të sajuar…

Opinione

Nën “hijen” e një disidence të sajuar…

Nga: Sali Leka Më: 3 dhjetor 2016 Në ora: 10:18
Ilustrim

Mbas vitit 1991, kisha besim të madh se Shqipëria do të përparonte, drejtësia dhe demokracia do të triumfonin, letërsia dhe kultura progresive do të shkëlqenin, do të bëheshin masive, por këto vite ndodhi ndryshe.

Shqipërinë e ka mbuluar katastrofa makabre artistike mediatike, ku për të tërhequr vëmendjen e lexuesve, për të mjegulluar mendjet e tyre, redaksitë e gazetave dhe ekranet televizive afishojnë tituj bombastikë: “Kaloçi rrëfen: Kadareja i denoncuar në 101 dokumentet e Pallatit të Ëndrrave, të pa publikuara deri më sot. Kaloçi tregon: Gjyqi ndaj Kadaresë në Lidhjen e Shkrimtarëve, nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit, fondi 14, Aparati I KQ PPSh struktura, dosja 346, viti 1975”.  Dhe më tej, me një eufori të epërme, vijon shpëlarja e truve: “E kritikuan Kadarenë Fatos Stano, Anstas Kondo, Gani Keçi, Duro Mustafaj, Dalan Shapllo, Abdurrahman Myftiu, Fatmir Gjata, Llazar Siliqi, Xhevat LLoshi e Dritëro Agolli. E Dritëroi na paska thënë: Romani i Kadaresë: “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” ka tregime kundër vijës ideologjike të partisë, është vepër letrare antikomuniste dhe antirevolucionare”.

Këto fjalë të Kaloçit janë gënjeshtra dhe sajime të rëndomta, të paraqitura si “dokumente” të stivosura nëpër raftet e arkivës komuniste.

Të vërteta janë ngjarjet që po tregoj: Dritëro Agolli nuk ka kritikuar asnjë shkrimtar, as Kadarenë, as 125 shkrimtarët e burgosur, të internuar e të përndjekur egërsisht nga regjimi komunist si Musine Kokalari, Sejfulla Maleshova, Trifon Xhogjika, dhe deri tek Fadil Paçrami, Kasem Trebeshina, Kujtim Spahivogli, i vdekur në internim.

Dritëro Agolli nuk më ka kritikuar as mua, shkrimtarin Sali Leka, I burgosur , I persekutuar nga mekanizmat e djallit, si shkrimtar decadent, mikroborgjez, me poezi liriko-erotike dhe tregime eposike moderniste, të rrezikshme për ideologjinë komuniste të kohës.

Duhet të pohoj se Dritëro Agolli, kritiku penëmprehtë, i drejtë dhe i devotshëm, Razi Brahimi dhe kritiku Xezahir Abazi më kanë këshilluar si shok që të mos e kritikoja Ismail Kadarenë, pasi sipas tyre ai ishte më i përkëdhelur se një anëtar i Byrosë Politike, pasi i kishte rrënjët në familjen Hoxha dhe në përbetimet e vetë liderit të kuq Enver Hoxhës. Unë për fat të keq, nuk I zbatova këshillat e urta dhe dashamirëse të Dritëroit, Raziut dhe Xhezahirit dhe shkrova katër katër tregime të vërteta ku demaskoja me fakte dhe argument romanet e Kadaresë “Muzgu i perëndive të stepës” dhe “Nënpunësi I pallatit të ëndrrave”, por gazetat që I bënë fresk Kadaresë dhe asaj çfarë përfaqësonte ai në atë regjim të kalbur, nuk i botuan. Përkundrazi, i mbyllën dhe çesnuruan dhe mua autorin e tyre më burgosën dhe përndoqën egërsisht, ashtu siç bënë me shkrimtarë të tjerë që kanë kritikuar Kadarenë Jorgo Bllaci, Zyhdi Morava, Kujtim Spahivogli, Hasan Petrela, Kasem Trebeshina, Pirro Kuqi, Kapllan Resuli, Fatbardha Spahiu, Dhora Leka, Renato Rrapi, i cili nga torturat as sot e kësaj dite as flet e as shkruan.

Kurse unë nuk jam dëshpëruar nga burgosjet, nuk jam frikësuar e gjunjëzuar nga torturat e tmerrshme, nuk jam depresinuar nga përndjekjet e tmerrshme, pork am vazhduar të shkruaj me vullnet e vitalitet, ku kam përfunduar dhe paraqitur për botim 85 libra, tregime, poezi, romane, me forcë realiste dhe moderniste, por që i kanë ndaluar, mbyllur dhe çensuruar çensorët e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”. Po këtë fat kanë pasur dhe 2700 artikujt që kam shkruar dhe paraqitur për botim në redaksitë e gazetave: Bashkimi”, “Zëri i rinisë, “Drita” dhe revista “Nëntori”, artikuj ku stigmatozja hajdutët, keqbërësit, burkoratët, njerëzit e ligjit të atyre viteve të muzgut të skëterrit, por që nuk e panë kurrë dritën e botimit, pasi ligësia qe ulur këmbëkryq në redaksitë e këtyre gazetave dhe revistave të epokës diabolike. Nuk botuan as 725 poezi lirike erotike brilante të paraqitura për botim nga viti 1966 deri në vitin 1986.  

Këto vepra guximtare dhe shkrime të admirueshme nuk i botuan çensorët e kohës së mizorizmit: Fatos Kongoli, Llazar Siliqi, Duro Mustafaj, Xhevat Lloshi, Mantho Bala, Vath KOreshi, Bardhyl Londo, Qemal Sakajeva dhe të tjerë. Këta çensorë të rezilosur, i dërgonin shkrimet e mia me tituj të falsifikuar prej tyre ose Enver Hoxhës ose Ramiz Alisë, duke kërkuar me insistim dënimin tim të rreptë.

Këto janë ngjarje reale e të dobishme për kohën e sotme, për të zbuluar personazhet dhe mekanizmat e djallit, e jo sajimet neveritëse të Kalocit, që kërkon me çdo kusht të krijojë hijen e “disidentit” për Kadarenë, që ka qenë shkrimtari i Oborrit të Kuq dhe beniamini numër një i Diktatorit Hoxha!

Është e vërtetë se njerëzit dhe koha janë lodhur, njëzet e pesë vjet duke shkruar sajime, falsifikime e manipulime të ngjarjeve të vërteta, për interesat e disa klaneve që bënin ligjin dikur nën ombrellën e Sigurimit dhe të enveriadës e rreken ta bëjnë edhe sot nën hijen e një dissidence të sajuar!...

Unë i kam demaskuar dhe atëherë por dhe tani romanet e Kadaresë “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” dhe “Muzgu i perëndive të stepës”, por po të guxoja të demaskoja romanin “Dimri i madh”, ku ngihej në kult udhëheqësi lavdiplotë dhe fanari ndriçues i komunizmit në Lindje (sipas Kadaresë), unë rrezikoja të më pushkatonin dhe të më groposnin në një varr anonim, ndërkohë që familjen mund të ma degdisnin përjetë në internim!     

Shumë lavde i kanë thurur ca të vetëshpallur kritikë dhe studiues si Mexhit Prençi, Agim Baçi, Mirela Meksi etj romanit të Kadaresë “Nëpunësi I pallatit të ëndrrave”, duke e quajtur autorin një mjeshtër të rrëfimit dhe romanin një goditje kundër Komitetit Qendror të PPSH dhe liderit komunist-së!

Por e vërteta është se nëse edhe një shkëndi sado e vogël zjarri do të ishte oreintuar në këtë roman kundër Enver Hoxhës dhe KQ të PPSH-së, Kadarenë minimumi do ta mbyllnin në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, si një njeri i tërbuar dhe i rrezikshëm për rendin shoqëror socialist në Shqipëri. Por Enveri e dinte se ai që i kishte ngritur atë monument të gjallë tek “Dimri i madh”, nuk mund të shkelte mbi hijen e vet tek “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, ndaj të gjitha këto janë parfabrikate turpi, që sajohen me ngut të madh nga ish strukturat e sigurimit, për ta orientuar disidencën jo drejt persekutimeve mizore që iu rrëfyem më lartë, por drejt atyre që inicuan dhe realizuan këto persekutime mizore!

Enver Hoxhën nuk e ka diskriminuar e as poshtëruar asnjë shkrimtar, as unë shkrimtari Sali Leka. Kur Kadareja botoi “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, me ngjarje nga koha  e sundimit ottoman në Shqipëri, unë paraqita për botim romanin “Divi me dy krena”, me ngjarje nga kohët e lashta, përpara erës sonë. Romani paraqet masakrat barbare të n jë mbreti obscurantist, i mbiquatur “Divi me dy krena”. Romanin nuk e botuan me pretekste absurde,  se na qenkesh shkruar gegnisht duke shkelur normat e gjuhës standard. Ky roman as aludon dhe as ka të bëjë me Enver Hoxhën, ndaj nuk e quaj një roman disident, as kërkoj shpërblim për çensurimin e tij, por mosbotimi ndodhte për shkak të klaneve që sundonin Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”  e ku Kadareja dhe të tijët bënin ligjin.

Me çlirimin e letrave nga çensura, unë kam botuar katër libra dhe lexuesit ma kanë shpërblyer duke shfaqur interesim për tregimet e mrekullueshme historike dhe jetësore të përcjella në këto libra.

Si përfundim, i them Kaloçit dhe ustait të tij porositës Kadaresë, por dhe gjithë atyre kritikëve që iu ka mbetur ora në vitet ’60, editorëve të disa gazetave dhe studiove televizive, mos trilloni, mos sajoni dosje që nuk ekzistojnë dhe mos mbuloni dosjet që janë dhe padisin të gjithë ata, shkrimtarë, artistë, çensorë, sigurimsa që u bënë bashkë dhe burgosën, internuan, vranë e linçuan shkrimtarët dhe artsitët më të mirë të këtij vendi, duke e bërë Shqipërinë i vetmi vend në Europë që pushkatonte shkrimtarët dhe poetët e vet. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat