Nga binjakëzimi te unioni…

Opinione

Nga binjakëzimi te unioni…

Nga: Sevdail Hyseni Më: 4 dhjetor 2016 Në ora: 09:46
Sevdail Hyseni

Forumit i biznesit serbo - shqiptar, i organizuar në Nish, para një muaji e disa ditë, në të cilin ishin të pranishëm dy kryeministrat: Aleksandër Vuçiq e Edi Rama, me kabinetet e tyre ministrore e me rreth 300 kompani vendore dhe rajonale, lindi ideja, për binjakëzimin e komunave shqiptare të Luginës së Preshevës, me ato të Shqipërisë.

Vetë kryeministri Rama, shpalosi planin e tij strategjik, se si të konkretizohen ndihmat e Beogradit dhe Tiranës për Luginën e Preshevës, e cila llogaritet si urë lidhëse mes dy shteteve fqinje.

Dy kryeministrat: Vuçiq – Rama, gjatë këtij takimi të lart diplomatik, janë pajtuar në parim se “pavarësisht nga dallimet politike, marrëdhëniet Serbi – Shqipëri, po zhvillohen në drejtimin pozitiv dhe në dobi të banorëve të dy shteteve”, duke gjetur mbështetje edhe te faktorët ndërkombëtarë.

Megjithëse, bashkëpunimi në mes bizneseve nga Shqipëria dhe Serbia, vazhdon në nivel të odave ekonomike, ideja për binjakëzimin e komunave nga Lugina me ato të shtetit amë, kanë ngecur vetëm në letër.

Pa u ftohur mirë “muhabeti” i Nishit, nga Tirana vjen haberi i krijimit të Unionit të Komunave Shqiptare, që drejtohen nga shqiptarët në pesë republika të ndryshme: Shqipëria, Kosova, Maqedoni, Mali i Zi dhe Serbia.

Image

Drejtuesit e këtyre komunave shqiptare si: Tirana, Prishtina, Tetova, Ulqini e Presheva, tashmë kanë nënshkruar një platformë bashkëpunimi në fushat si: urbanizimi, infrastruktura, mjedisi hapësinor, arti dhe inovacioni.

Sa do që, nikoqiri i këtij takimi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se Unioni është një platformë për të mësuar nga eksperienca e njëri - tjetrit dhe për këtë nuk duhet të shqetësohet askush, ishte i menjëhershëm reagimi i kryeministrit të Serbisë Vuçiq, i cili një projekt të tillë e quajti “lojë fëmijësh”. Ai, gjithashtu, nuk la pa përmendur se “ky Union, nuk i kontribuon marrëdhënieve të mira në Ballkanin Perëndimor, në kuptimin politik dhe psikologjik”.

Veç reagimit të kryeministrit Vuçiq, asnjë zyrtar nga shtetet tjera nuk i dha rëndësi Unionit të Komunave Shqiptare, me seli në Tiranë!

Po halli nuk qëndron te fqinjët, se çfarë thonë për ne? Problemi qëndron se ne nuk i çojmë deri në fund iniciativat allashqiptarçe!

E nisëm me binjakëzimin e komunave të Luginës së Preshevës, me ndonjërën nga komunat e Shqipërisë, jo vetëm për të mësuar nga eksperienca e tyre, por për të ndihmuar në disa projekte të dobishme për përmirësimin e gjendjes së vështirë në sferën e kulturës, arsimit, informimit etj.

Kalojnë ditët dhe në vend se të konkretizohet një plan i tillë strategjik për ndihmë Luginës, që doli nga goja e kryeministrit Rama, tashti na del një iniciativë më e madhe se binjakëzimi, ai i Unionit të Komunave Shqiptare.

Kështu ndodhi edhe gjatë qershorit të vitit 2013, kur në Parlamentin e Kosovës, u pat miratuar një Rezolutë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, e cila përfundoi vetëm me një zyre të hapur në Gjilan dhe asgjë më shumë. Fondi i premtuar për Luginë të Preshevës, ka ngelur bosh pa një qindarkë, bile as kujtohet kush të bëjë ndonjë lëvizje për ta jetësuar një Rezolutë të tillë!

Kështu e kemi ne shqiptarët, jemi të prirë vetëm për të ndërmarrë iniciativa, të cilat pastaj i lëmë në gjysmë të rrugës, për të nisur me ato të rejat, të cilat, mjerisht, edhe ato mplaken pa u burrëruar, apo, më mirë, siç thotë Li Tai Po: “Kush dëshiron të jetë gjithkund, s’është askund!”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat