Më 11-të dhjetor qytetarët e Maqedonisë i punësojnë politikanët

Opinione

Më 11-të dhjetor qytetarët e Maqedonisë i punësojnë politikanët

Nga: Argëtim Saliu Më: 6 dhjetor 2016 Në ora: 12:26
Argëtim Saliu

Qytetarë të nderuar, e veçanërisht ju punonjës të sektorit publik, para se partitë politike t’ju angazhojnë në aktivitete gjatë fushatës parazgjedhore, me arsyetimin e tyre se ja, ne do t’ju punësojmë ose ne ju punësuam, Ju ua bëni paraprakisht me dije, se: Jemi ne të parët, qytetarët, që me votën tonë ju punojësomë dhe pastaj ju merrni statusin dhe autoritetin e pushtetarit.

Pas shumë përpjekjeve të autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare, si duket, përfundimisht do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare të parapara për më 11-të dhjetor  të këtij viti. Është më se e vërtetë se Maqedonia është përballur me kriza të njëpasnjëshme politike që nga pavarësimi e deri më tani, bile si pasojë e krizave dhe diskriminimit, erdhi edhe deri te konflikti i armatosur në vitin 2001, por kjo krizë që kaploi vendin nga viti 2015 e këndej, assesi të përfundojë dhe t’i gjendet zgjidhja. Jo se nuk ishin në dieni qytetarët dhe autoritetet ndërkombëtare për format dhe mënyrën e qeverisjes së vendit, por vërtetimi i këtyre pohimeve erdhi vetëm pas publikimit nga opozita maqedonase të një sërë përgjimesh telefonike të funksionarëve dhe politikanëve të vendit. Pas publikimit të përgjimeve, qytetarët e kuptuan  dhe u vërtetuan se vërtet shteti është i kapur nga partitë politike, të cilat gjatë qeverisjes manifestojnë pushtet absolut politik dhe ekzekutiv. Aty e kuptuan qytetarët se si zgjidhen dhe emërohen gjyqtarë, prokurorë, anëtar të bordeve, e mos të flasim për punësime në nivele më të ulëta etj.

S’do mend se jemi një shoqëri në fazën e tranzicionit të thelluar dhe të stërzgjatur, ku politika nëpërmjet aktorëve të saj çdo gjë ka partizuar. Nuk kemi segment apo veprimtari shoqërore ku vendimet dhe qëndrimet e shoqërisë në përgjithësi dhe individëve në veçanti nuk politizohen. E gjitha kjo vjen si pasojë e aktorëve politk, të cilët veprimtarinë politike e kuptojnë gabimisht, sa për interesa personale apo të një grupi të caktuar.

Aq shumë është banalizuar skena politike nga politikanë të kalibrave të ndryshme ku të gjithë kanë profesione nga më të ndryshmet, ndërsa gati aspak nuk kemi politikanë të përgaditur, profesionistë nga fusha e shkencave politike dhe juridike.

Që nga pavarësimi i Maqedonisë e deri më sot, populli shqiptar votoi dhe bëri funksionarë lloj-lloj njerëzish. Thuajse çdo kund vlente sistemi i meritokracisë, përveçse në skenën politike. Jemi lodhur me premtime megalomane nga më të ndryshmet, biles edhe nga projekte që janë “realizuar” por nuk kanë qenë në platforma apo pjesë e fushatave!

Andaj, nuk duhet harruar se populli është Ai që e zgjedh dhe që e legjitimon pushtetin. Në këtë rast, nëse të zgjedhurit dështojnë, atëherë edhe është normale që populli tua kthejë shpinën atyreve që vetë i ka zgjedhur. Politikanët garën politike duhet ta kuptojnë si garë sportive, në të cilën më i miri fiton dhe më i dobëti humb, pas çka shtrihet dora duke miratuar rezultatin nga gara. Të zgjedhurit e popullit janë pushtetkërkuesit dhe pushtetmbajtësit, prandaj edhe duhet shprehur një respekt të denjë ndaj popullit i cili pa konkurs  dhe pa kritere punësimi në çdo cikël zgjedhjesh ju punëson në kierarkinë më të lartë shtetërore. Detyrë kjo me përgjegjësi dhe obligime të shenjta!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat