Gruaja në Kosovë, viktimë e mentalitetit apo institucioneve?

Opinione

Gruaja në Kosovë, viktimë e mentalitetit apo institucioneve?

Nga: Art Raifi Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 11:27
Art Raifi

Në Kosovë vetëm dy në dhjetë femra janë të punësuara ndërsa një në dhjetë femra shpreh interesim për të siguruar një vend pune, kështu ka pohuar një studim i Bankës Botërore. Nivelin alarmant të papunësisë në mesin e grave e konfirmon edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, sipas së cilës pjesëmarrja e femrave në tregun e punës shënon 21.5%, derisa ajo e meshkujve është rreth 60%. 

Se ky nivel duhet të jetë alarmues për Kosovën mendon edhe Ellen Goldstein, drejtoreshë për shtetet e Ballkanit Perendimor në Bankën Botërore. Ajo në blogun e saj pohon se mohimi i të drejtave elementare ndaj gruas si liria e shprehjes, vendimmarrjes, të drejtës në pronë etj. krijojnë një ambient të pabarbartë gjinor në të cilin vetëm sa forcohet mentaliteti patriarkal, si rezultat i të cilit femrat diskriminohen në punësim, në paga, në përfitime shtesë, e në raste të shpeshta janë edhe viktima të ngacmimeve seksuale. Përfaqësues nga Dhoma Ekonomike e Grave përforcojnë pohimin e Goldstein, duke treguar se problemet kulturore, veçanërisht arsimimi dhe e drejta në pronë, janë dy faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt negativisht në hendekun gjinorë.

Sipas tyre, mungesa e pronës automatikisht e vë gruan në pozitë të nënshtruar ndaj burrit, i cili në kontekstin kulturor kosovarë shihet si burimi i të hyrave financiare, rrjedhimisht edhe personi vetëm kompetent për vendimmarrje. Përveç vendeve të punës, mungesa e pronës ndikon edhe në mundësitë për ndërmarrësi, sepse kjo i bën ato të shihen si investime të pasigurta nga institucionet financiare si bankat, duke pamundësuar marrjen e kredisë qoftë për të nisur apo për të rritur biznesin.

Derisa organizata jo-qeveritare, grupe jo-formale, dhe fondacione të ndryshme në Kosovë janë angazhuar intenzivisht për të fuqizuar pozitën e gruas në shoqëri, një mungesë e përkrahjes është vënë re nga institucionet qeverisëse në vend. Ndonëse të drejta të barabarta janë të garantuar me ligj, praktikimi i ligjeve në fuqi mbetet ende pengesë për gruan në Kosovë. Investimi në kampanja për ngritjen e vetëdijes, alokimi granteve, eliminimi i gjuhës seksiste nga librat shkollorë, janë vetëm disa nga modalitetet me të cilat mund të kontribuojnë institucionet relevante me ndikim në shoqëri.

Në anën tjetër, përfitimet për Republikën e Kosovës në Prodhimin e Brendshëm Bruto(PBB) do të rriteshin për 30% nga shifra aktuale, sikur qeveria të investonte në angazhimin e grave jo-aktive në tregun e punës. (Insituti Demokraci dhe Zhvillim, 2013). Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, një nivel i ulët i pjesëmarrjes së femrave në fuqinë punëtore, përkthehet në një humbje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për 5% në SHBA, 9% në Japoni dhe 12% në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Angazhimi i grave në tregun e punës nuk nënkupton vetëm përfitim të PBB-së, por luan një rol të rëndësishëm edhe në strukturën familjare, duke rritur të hyrat, duke ua mundësuar atyre të jenë të përfshira në vendimmarrje, dhe potencialisht hapjen e vendeve të reja të punës(Women for Women - Kosova). Fundja, shoqëria në Kosovë meriton familje të shëndosha dhe shoqëri të unifikuar e barabartë për të mirën e përgjithshme.

Autori është student i RIT Kosova

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat