Dija n’mejdan

Opinione

Dija n’mejdan

Nga: Mr. sci. Sylejman Salihu Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 12:24
Mr. sci. Sylejman Salihu

Shpesh të moçmit e kanë përdorë këtë frazeologjizëm dhe gjithnjë pothuajse më shumë për të shprehur pakënaqësi, pra gjithnjë me konotacion negativ, siç mund të thonë disa. Ishte qëmoti e ditur se sistemi arsimor në Kosovë ka devalvuar dhe se rënia e tij rrapide vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe vështirë se do të ngrihet në këmbë të sigurta edhe për një kohë më të gjatë.

S’di se si ka ndodhur por është guxim i madh që të hipësh në peshore dhe të matesh me dijen ndërkombëtare për të parë veten se sa peshon. Kjo u pa dhe mirë që u pa se ndryshe kemi jetuar me një iluzion se megjithatë diçka po punohet në shkollat tona.

Në fakt edhe në shkolla tona punohet, por sa dhe si punohet?

A mund të punohet në një klasë me 50 nxënës? Ç'mësim mund të japësh në atë klasë, ku zhurmat kumbojnë si altoparlantë të prishur ,që gumëzhijnë? Ç'mund të punohet në ato klasë ku nuk dihet mirë se a flet mësuesi a nxënësi më shumë? Ne vetë shpesh e kemi ngushëlluar veten se niveli i arsimit po vjen duke u rritur dhe se rritja apo niveli i rritjes po vazhdon edhe më tutje duke u ngritur. Por ja që rezultati i PISA –s ia hoqi petën lakrorit dhe tregoi qartë se ç’ka brenda në të. Ç’brumë kemi? Ç'lëndë kemi? E po ç’mund të kishte? Pak, shumë pak.

Shifrat as nuk janë të nevojshme t’i përmendim sepse edhe më shumë ndoshta nuk kemi pritur. Dikur mësues me tetëvjeçare tepër të nderuar dhe me kurse pedagogjike plot entuziazëm kanë dhënë rezultate tepër të vyera në fushën shkollore dhe arsimore përgjithësisht. E sot as me fakultete s'i kemi ato rezultate ,madje rezultate që na turpërojnë dhe na rrëzojnë përtokë! Kush ka pritur më shumë nuk ka shikuar me sy realitetin por ndoshta me syze me ngjyra, prej nga mund t’i jetë zbukuruar peizazhi shkollor në shkollat e Kosovës. Shumë gjëra janë ditur qëkur. Lëmshi veçsa është ngatërruar më shumë.

Në një shtet ku lulëzojnë universitetet dhe ku pothuajse çdo lagje ka një të tillë ,atëherë doemos që hiperproduksioni nuk flet asnjëherë në favor të produksionit kualitativ, por vetëm atij kuantitativ. A nuk i kemi parë reklamat televizive të këtyre universiteteve se studenti me të hyrë në prag të derës, del shpejt me kapelë në kokë me një diplomë të madhe në dorë. Kjo nuk kërkon shumë komente dhe shpjegime.

Një profesor që me ndërgjegjje përpiqet të bëj detyrën e tij, do të flaket sikter nga puna se pronarit të universitetit ia rrezikon biznesin e tij dhe pronari i universitetit e ka hapur atë shkollë jo për të humbur, por për të fituar. Këto universitete janë bërë pazare apo zyra ku blihet mall dhe ky mall mund të blihet me çmime të lira ose varësisht sipas marrëveshjes së shitësit me blerësin.

Pastaj këto kuadro që dalin doemos që do të jenë „pishtarët „tanë që rrugën e diturisë , do të na shpiejnë përpara!! Ç’mund t’u japin ata shkollarëve tanë kur nuk kanë vullnet dhe aq më keq nuk kanë dije? Në ato universitete janë bërë pazare dhe këto pazare vazhdojnë të jenë shumë joshëse edhe sot .Le të shohim se kush është bërë magjistër e kush doktor shkence?!

Qindra e mijëra në një Kosovë të vogël sa një pëllëmbë!!!

Edhe në politikë edhe në kulturë, edhe në arsim. Se është bërë modë të ketë sot njeriu një gradë shkencore për t’u mbajtur i mençur,që në të vërtetë është një dëshmi në letër e budallallëkut të tyre. Ka shumë edhe figura publike ,aq sa ka edhe shumë e më shumë anonime. Le t’i shohim dhe le t’i dëgjojmë si shkruajnë e si flasin? Po të tjerët që nuk i dimë? Edhe shumë studentë zvarranikë që mezi kanë arritur të mbarojnë ato studime të mallkuara ,sot guxojnë të të hedhin para turirit diplomat e magjistraturës dhe doktoranturës, ndërkohë që afiniteti dhe kultura e tyre kanë qenë të pakta dhe madje fare të pamundura për të shkruar qoftë edhe një kërkesë me shkrim apo aplikacion sikundër e quajnë sot. Pse? Se sot janë hapur portat e mëdha për të marrë diploma. O burrani, vraponi!

Të del gazi dhe ky gaz është i zi, se estetika njeh edhe humorin e zi. Epo njerëz të mirë, ku mund t’i gjenim ne këta personazhe përndryshe?Në romane fantastike? Jo.Tash i kemi në realitetin tonë. I kemi në shkollat tona, i kemi në universitetet tona, i kemi në institucionet tona kulturore dhe arsimore e kudo tjetër.

Ata pra, të cilët nuk kanë nxënë dije me djersën e ballit ,por janë bërë me dije se "kanë numëruar lekët“ si mund t’u japin dije të tjerëve?

Sot ne duhet të ulim kokat para një rezultati ,sepse jemi bërë pasqyrë apo gazi i botës, siç do të shprehej populli.

Ndjej dhembje për ata nxënës që janë testuar dhe që barra dhe pesha e përgjegjësisë tash anonimisht bie edhe mbi ta ,sado faji i tyre është faj pa faj.

Mbase edhe mësuesit mund të mos jenë fajtorë ,se ata në misionin e tyre shpeshherë nuk e dinë se nuk dinë dhe për të qenë të denjë në misionin e tyre edhe nuk janë mirë të motivuar nga kushtet që mund të ofrjë vetë sistemi arsimor. Kur një miku im drejtor më tha se nëpër klasa ka edhe nga 40 ,50 apo edhe 60 nxënës kjo m'u duk çmenduri.

Ç'do të bëhet në ato klasa:do të mbahet disiplina me shkop në dorë apo do të zhvillohet mësimi? Asnjëra, as tjetra. Asnjë lloj pedagogjie ,didaktike apo metodike nuk e shpjegon mësimin në kushte dhe rrethana të tilla. E institucionet dhe organet arsimore qeveritare mburren se kanë bërë shkolla?! Ku janë rezultatet? Shkollat vetë nuk bëjnë punën e tyre, objektet heshtin, njerëzit punojnë.

E atyre duhet ofruar standarde ,me të cilat guxojmë të krahasohemi !!Më mirë të mos ishim futur në PISA. Se tash e morën vesh se ku jemi dhe sa vlejmë.

Është e dhembshme dhe madje e trishtueshme që të peshohesh në kandarin botëror me kolosë të mëdhenjë ,se ç’dije kemi dhe ç‘nivel arsimor kemi sot në Kosovë!

Duhet të ndodh transformimi! Në fillim në kokë. Por me këto politika arsimore dhe me këta politikanë të paarsimuar, jo.

Ministri aktual i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka qenë edhe përpara ministër i kësaj ministrie dhe gjendja aktuale që kemi sot është edhe kontribut tij i pakundërshtueshëm.

Analfabetët e mëdhenjë janë lart në piramidë dhe prej andej shtrihet dhe zgjerohet vëllimi dhe radiusi i analfabetizmit.

Pastaj në shkolla organet drejtuese janë kryesisht njerëz partiakë ,të cilët nuk posedojnë cilësi të mirëfillta pedagogjike, por të cilët shkojnë dhe emërohen me dekrete partiake në shkollat tona ku tmerrojnë personelin arsimor me gjithë nxënës.

Imagjinoni drejtor shkolle të jetë një ekonomist apo një inxhinier ,që nuk e ka dëgjuar asnjëherë fjalën pedagogji ,metodikë apo didaktikë !!!E ata do të drejtojnë një shkollë ???

Nepotizmi, ky kancer i shoqërisë sonë favorizon familjarizmin.Ç'të bëjmë? Ky është shteti që po ndërtojmë. Por goditja ishte e rëndë kësaj radhe, madje që në rundin e parë pësuam nokaut ,sepse sapo kemi hyrë në ring!!!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat