Sami Repishti: lotë-lavdi e lumnim

Opinione

Sami Repishti: lotë-lavdi e lumnim

Nga: Frank Shkreli Më: 8 dhjetor 2016 Në ora: 18:18
Frank Shkreli

Kohët e fundit më ka mbërrijtur libri me titull: Lotë-Lavdi e Lumnim, i Autorit, Profesorit, Mbrojtësit të të Drejtave të Njeriut, Aktivistit të palodhur të komunitetit shqiptaro-amerikan për çështjet kombëtare dhe ish-të burgosurit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, Z. Sami Repishtit.  Libri, që Profesori i nderuar dhe miku dhe kolegu i shtrenjtë pati mirësinë të më dërgonte, është botuar kohët e fundit nga “Botimet Françeskane” në Shkodër, me rastin e ceremonisë së Lumnimit të 38 martirëve të klerit katolik shqiptar, më 5 nëntor, 2016.  Pikërisht këtyre martirëve u dedikohet kjo vepër, “Me mirënjohjen dhe respektin ma të thellë” nga vet autori, bashkvuajtës me shumë prej tyre në burgjet e Enver Hoxhës, me këtë motivacion: “Për 38 Martirët e fesë katolike dhe kolegët e tyne të masakruem nga terrori komunist, për atë madhështi të pa shkallë që përvujtënia falë vetëm për njerëzit e kushtuem, për atë qetësi që buron vetëm nga shpirti i qenieve njerëzore pa kërkesa, për atë hir që rrezatojnë vetëm ata që idenë e kanë afsh zemre e përpjekjen për atë ide, qëllim të vetëm të jetës së tyne…Shërbim për Zotin e krijesën e Tij, që unë dëshmova gjatë viteve të burgut të përbashkët!”, shkruan Profesor Repishti në dedikimin e librit kushtuar martirëve të lumnuar kohët e fundit nga Papa Françesku.

Në librin e tij të ri, Lotë-Lavdi e Lumnim, autori flet edhe për marëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shqiptarëve me Vatikanin, ndonëse ky nuk është qëllimi kryesor, libri i ofrohet lexuesit shqiptar në trojet tona në Ballkan dhe në mërgim, ndoshta rastësisht me rastin e 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan, që fillim javën e kaluar u shënua me një konferencë në ambientet e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. 

Profesor Sami Repishti ka lindë në Shkodër ku ka kryer studimet e mesme ndërkohë që gjatë viteve 1939-1944 u angazhua në  rezistencën kundër pushtimit të huaj, por pa antarësim partiak.  I zhgënjyer nga propaganda dhe terrori që ushtrohej nga Partia Komuniste Shqiptare duke filluar nga viti 1945, Z. Repishti vendosi të merrte një qendrim të prerë ndaj regjimit të ri duke kundërshtuar diktaturën komuniste.  Si rrjedhim ai arrestohet në vitin 1946 dhe pas 14 muaj torturash të egëra nga ish-Sigurimi i Shtetit dënohet me 15 vjet burg dhe punë të detyrueshme, nga të cilat bëri 10-vjetë në birucë.   Lirohet në vitin 1956 dhe arratiset në vitin 1959, duke arritur më në fund në Shtetet e Bashkaura të Amerikës, në vitin 1962.  Si një shënjë e Providencës Hyjnore, për më shumë se gjysëm shekulli, Profesor Sami Repishti edhe sot vazhdon misionin e tij profetik, në mbrojtje të të drejtave të njeriut për të gjithë dhe kudo dhe sidomos në mbështetje të klerit katolik shqiptar, të vuajtur, të vrarë e të persekutuar, që si i ish burgosur politik, ishte mik i ngushtë i shumë prej këtyre klerikëve, viktima të komunizmit me të cilët përjetoi ferrin në burgjet komuniste.  Ai edhe sot refuzon të heshtë për ato që ka parë dhe ka përjetuar, për të cilat ende vazhdon “për me tregue”. 

Si viktimë e komunizmit vet, Profesor Repishti, shkruan se, Zoti e deshi që të njoh mjaft prej viktimave në burgje e kampe.  Ai kujton me respekt disa prej atyre viktimave të listës së gjatë të klerikëve katolikë që i ka njohur në burgje: “Aristokratin’ me sjellje e mendim, Dom Mikel Koliqin, kardinalin e ardhëshëm, i heshtun, kryenaltë për vuajtjen që e mbuloi. At Frano Kirin, ‘burrë si motit’, i pa frikë, i pa përkulshëm.  At Donat Kurtin, i përvuejtun, punëtor si bleta”, i cili në mfshehtësi përkthente shqip Testamentin e Ri nga frëngjishtja dhe konsultohej me me mue për gjetjen e fjalës më të përshtatshme”, shënon Profesor Repishti.  Ai kujton edhe bashkvuajtaës të tjerë klerikë, përfshirë “At Aleks Baçlin, gjithëherë i buzqeshun”, At Çiprian Nikën (“Vuajtja o biri im, e ban fitoren ma fisnike!”) dhe ndër të tjerë edhe Dom Ndoc Sumën, i cili sipas autorit, “I plakun e i hutuem, u arrestue në mengjez, u dënue mbas dreke me 20-vjetë burgim, e i cili bënte be se “Pasha Krishtin nuk di pse më kanë arrestue”.  

Në një prej kumtesava të përfshira në libër, Profesor Repishti shkruan se për “Xhelatët ekzekutues nuk kishte rëndësi fakti se klerikët e martirizuar, në të vërtetë, përbënin kolonën vertebrore të një shoqërie shqiptare të organizuar për qëndresë në kryengritjet kombëtare që nga Skënderbeu e deri në Ditën e Pavarësisë, që ky grup i veçantë mbajti gjallë shqiptarizmin për pesë shekuj robënie otomane, që ky grup i veçantë lavroi gjuhën shqipe dhe e mësoi atë në shkolla…se historia e kombit shqiptar nuk njeh nji rast të vetëm kur kleri dhe besimatrët katolikë të mos kenë qenë pjesëmarrës, e në shumë raste udhëheqës në kalvarin shumë shekullor të vendit tonë e në luftat kundër anmiqve kërcënues, e tashti vonë në forcimin e nji Shqipnie të lirë që përpiqet me qenë europiane”, shprehet Profesori.

Është e pamundur që këta martirë të cilëve u është dedikuar libri dhe Kisha Katolike Shqiptare në përgjithsi, të kishin një mbështetës më të fortë, një njeri të penës më të zotin dhe një zëdhënës më të angazhuar dhe më të dedikuar për kauzën e tyre humane se sa Profesor Sami Repishtin.  Ai me të drejtë e cilëson veten si “njëni nga legjoni i madh i viktimave të gjalla”, ndërsa shkruan se, “përvoja ime më detyron me marrë nji ‘angazhim’, cilësi e vjetër që nga ditët e profetënve biblike”, duke e ndjerë përgjegjësinë -- me bashkvuajtësin e tij, At Zef Pllumin, “Rrno vetëm për me tregue” -- si një “imperativ kategorik moral”.  Profesor Repishti ka filluar të tregojë shumë histori ç’prej fillimit të 1960-ave të shekullit të kaluar dhe falë të Madhit Zot nuk ka të ndalur në këtë mision, ekzaktërisht si një profet biblik me një mision të shënjtë.  Një numër i këtyre tregimeve janë përfshirë në librin, Lotë-Lavdi e Lumnim, të botuara më heret në media të ndryshme ose mbajtur si referate konferencash nga Profesor Repishti, vetëm e vetëm, për angazhimin e tij të përkushtuar, “për me tregue”, si ndër dëshmitarët e pakët të gjallë të këtyre krimeve të tmershme.  “Me tregue”, shkruan Profesori ynë, “vuajtjet e vështira të ‘hetuesisë’ në qelitë e errëta të ish-Sigurimit të Shtetit, vitet e gjata në burgjet e errëta mesjetare, stinët e pandërpreme në punë të detyrueshme, dimën e verë në moçale e në punime betoni nën kamxhikun e policëve idiotë dhe oficerëve kriminelë sadistë prej natyre e specialistë për torturë, të mësueme nga kurset e nëndheshme, larg na drita e diellit, larg nga sytë e botës”.  

Profesor Repishti shkruan se si dëshmitar okular i atyre krimeve çnjerzore në burgjet e Enver Hoxhës, ai e ndjenë veten të detyruar moralisht, “që të flasë haptas sepse heshtja ashtë e pa pranueshme”, shton ai, dhe se, “me folë do të thotë me thanë të vërtetën, që pa qenë absolute, për arsye të kontekstit që e përmban, ashtë shprehja e nji dëshmitari me të gjithë vlerën që ajo mund të ketë.”

 Në një kumtesë mbajtur në një konferencë mbi “Krishtërimin në Shqipëri” dy vjetë më parë, Sami Repishti është shprehur se “Martirizimi i klerit shqiptar dhe sidomos i klerit katolik nuk mund të ketë qenë i paqëllimshëm.  Por, sakrificat e tyne do të njohin vlerësimin e tyne të plotë dhe mirënjohjen e përhershme, vetëm atëherë kur parimet që ata mbrojtën me çmimin e jetës së tyne, do të pasunojnë mendimin tonë dhe do të udhëheqin veprat e bashkatdhetarëve të tyne në të ardhmen”.   Në këtë këndveshtrim, libri i Profesor Repishtit është një mjet i dobishëm për brezin e ri për të njohur më mirë të kaluarën e krimeve regjimit komunist kundër popullësisë së vet të pafajshme, me shpresë se nuk do të përsëriten më.

Profesor Sami Repishti pohon në librin e tij më të fundit, Lotë-Lavdi e Lumnim, se arsyeja se pse ai shkruan për viktimat e komunizmit është, “Sepse jam viktimë e pafajshme e regjimit të krimit dhe kriminelit komunist dhe se denoncimi i tyne justifikon mbijetesën time.”   Por, ai shton se megjithkëtë, “Tragjedia komuniste në Shqipëri nuk është diçka vetëm personale megjith pasionin tim me demaskue dhe me dënue…tragjedia komuniste ka përpjestime universale dhe si e tillë është tragjedia e njerëzimit... një tragjedi që na ka bindë sa të aftë jemi na me damtue njani tjetrin.”  Autori citon shkrimtarin francez Albert Camus, i cili ka thënë se i vetmi qëndrim ndaj një bote jo të lirë është të jetosh një jetë aq të lirë sa që vet ekzistenca e juaj është një akt rebelimi.  Profesor Sami Repishti përfundon duke thënë se, “Ky është imperativi që na detyron me luftue çdo çfaqje që mund të sjellë përsëri tragjedi të reja.  Prandaj shkruej, flas, denoncoj të keqen e madhe: komunizmin”, shkruan ai.

I nderuar Profesor, për këtë qendrim, historia shqiptare do t’u jetë mirënjohëse,  përfshirë këtë libër dhe vepra të tjera si kjo, si dhe për kontributin tuaj prej më shumë se një gjysëm shekulli në mbrojtje të të drejtave të njeriut për shqiptarët në trojet e veta, si mbrojtës i të pafajshëmve, si zëdhënës i atyre që nuk mund të flasin më dhe si një zë gjithmonë aktual për të zgjuar nga heshtja ndërgjegjen morale të kombit shqiptar.   Në veçanti, viktimat e komunizmit, të gjallë e të vdekur, përfshirë martirët e Kishës Katolike shqiptare të cilëve ua kini dedikuar këtë libër, u janë mirënjohës përgjithmonë që të vazhdoni të shkruani dhe të flisni të vërtetën dhe si përherë të denonconi të keqen, me ndershmëri dhe guxim civil, ashtu siç e kini zakon.  Shpresojmë që libri, Lotë-Lavdi e Lumnim, të jetë një kontribut i rëndësishëm për brezin e ri që të mësojë dhe ta kuptojë më mirë të kaluarën, duke shpresuar që t’i kujtojë gjithmonë qelitë e errëta të torturës dhe kampet e vdekjes të regjimit komunist në Shqipëri, të cilat ju dhe bashkvuajtsit tuaj i kini përjetuar.  Ashtuqë, siç shpreheni edhe ju, me shpresë se brezi i ri i shqiptarëve do të ndërtojë një të ardhme më të mire jo vetëm për për veten dhe për fëmijtë e tyre, por edhe për prindërit e tyre të cilët, “sot vuajnë nga pesha e fajit të heshtjes”. 

Shpresojmë me ju, i dashur Profesor se vëllëzrit dhe motrat tona shqiptare kudo, po hyjnë në një fazë të re të “burrënimit shpirtëror”, me besim të patundur në Zotin -- se punët e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar do të shkojnë mirë e më mirë, siç është shprehur Kardinali i parë shqiptar Mikel Koliqi.   Shpresojmë, madje edhe kundër shpresës, pasi shpresa nuk vdesë kurrë, ose vdes e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat