Këngë për vajza dhe djem!

Opinione

Këngë për vajza dhe djem!

Nga: Kimete Berisha Më: 8 dhjetor 2016 Në ora: 19:58
Kimete Berisha

Mësojmë gjëra të kota, vjersha të gjata e data ditëlindjesh historike përmendësh që në jetën e përditshme (në kriza nervore, kriza depresioni, ndarje e lamtumira), nuk na hyjnë në punë, ndërsa flasim dhe vuajmë për krejt tjera gjëra. 

Për ato tema që i flasim çdo ditë (vetmia, xhelozia, dashuria, rivaliteti, dyshimi, frika, etj.) nuk mësojmë në shkollë.
Jo shkenca-por jeta. Të mësohet në shkollë jeta, krahas shkencës.

Për ta futur shkollën në jetë unë i propozoj 11 lëndë të reja që patjetër duhet të futen në programin mësimor. 
Ato janë:

1.Seksi
2. Dashuria 
3. Xhelozia
4.Mashtrimi
5. Lakmia
6. Besnikëria 
7. Pasuria
8. Fati 
9. Zoti
10. Vdekja
11. Ringjallja

1. Për seks nuk po flas shumë, se jam femër. Ama, nuk është mirë që me të ardh menstruacionet, e ti si vajzë e vogël mos me ditë çka janë ato (qysh s'e kam ditë unë). 
Nuk është normale mos me ditë kurrgjë hiç për seksin tënd, e në anën tjetër me mësu formula kimie, e me mësu gjeografinë e datat e historisë përmendësh. 
Seksi duhet të bëhet lëndë mësimore sepse njeriu duhet ta njoh vetveten para se ta njoh matematikën, ose para se të të njoftoj ty dikush me seksin tënd. 
Të flasësh për seks për shqiptarët është turp. Sepse, ti, si fëmijë shqiptari, as nuk flet me nanën (se turpërohesh), as me shokë e shoqe, se s'din qysh me ja nis bisedës, nga frika se ë marrin për kurvë. 
Dhe, në zhvillim e sipër ti kujton se "të gjithë bashkëmoshatarët" t'u duhet të jenë normal, dhe se vetëm me ty po ndodh "diçka e çuditshme, që po e ndjen trupin tënd".

Unë jam kureshtare për shembull të dëgjoj nga ndonjë plakë (dhe namin e tyre i kam intervistuar, por s'tregojnë me ua pre buzën), a ndjejnë plakat nevojë për seks. 
Pleqtë e gënjejnë njëri-tjetrin se janë të zottët për atë punë si kur kanë qenë në më të mirën "stinë", dhe nuk del plak, as mjek që të tregoj drejtë, t'u tregojë të rinjëve se kur të plaken s'do t'ia bëjnë "vërr". 
Pra, në shkollë duhet të mësojnë kur fillon dhe kur përfundon 'seksi', çdo gjë për seksin, më mirë t'ua mësoj shkolla, sesa rruga.

2. Në orën e mësimit të "dashurisë", e cila duhet të jetë lënda kryesore në programin mësimor, nxënësit duhet të mësohen, të stërviten dhe të garojnë se si të duan sa më shumë. 
T'u spjegohet nxënësve (me vjersha, me tregime, me këngë të zgjedhura për dashurinë), se çkado e keqe që të ndodh në jetë "dashuria të shpëton". 
T'ua ngulitin në kokë se dashuria është e lirë, por i pushton të gjitha dhe askush nuk është dhe nuk mund të jetë pronë e dashurisë.
Në kuadër të kësaj lënde të mësohet me përbuzje edhe për vetminë, si gjendjen më të rëndë shpirtërore që mund të imagjinohet. Vetmia është paaftësi për t'i dashur njerëzit dhe për të jetuar midis tyre, me ta.

3. Xhelozia është ndjenja më e vjetër që e mban njeriu mend. Xhelozon beba në bebë, plaka në plak. Xhelozia nuk ka moshë. Shumë plaka më kanë treguar se xhelozojnë sikur kur kanë qenë nuse, dhe edhe më zi.
Nga xhelozia lindin të gjitha të kqijat. Duke i mësuar nxënësit që ta detektojnë xhelozinë e fjetur te të tjerët, ti i përgatit ata që të mbrohen nga e keqja, dhe njëkohësisht ta luftojnë xhelozinë që e ndjejnë edhe vet për të tjerët. 
Në lëndën e xhelozisë, arsimtari ua spjegon nxënësve xhelozinë patologjike dhe sëmundjen e xhelozisë, nga e cila duhet të mbrohen më së shumti.

4. Si t'i identifikojmë mashtruesit. 
A e ka ai me mua për seriozisht apo vetëm për seks? 
A më dashuron që më kontrollon, apo më kontrollon sepse më konsideron si pronën e tij?
Cilat janë vetitë e mashtruesit? Si ta identifikojmë njeriun që manipulon me ne? Përgjigjet në këto pyetje duhet të jenë të ilustruara edhe me fotografi dhe vizatime, në mënyrë që m'u mësu mirë m'u mbrojtë prej tyre. 
Ne jemi fatkqinj, pikërisht për shkak të njerëzve që na mashtrojnë. 
Na mashtrojnë sepse u besojmë, 
u besojmë sepre shtiren si të besueshëm.

Në kuadër të kësaj teme duhet të flitet edhe për meshkujt që frikësohen nga femrat, për të cilat kujtojnë se i duan vetëm për pare dhe për interes. 
Si ta identifikoni një vajzë që ju "do" për pare? 
Është frika më e madhe e meshkujve, që lyp përgjigje adekuate.
Unë për vete, halli im, kur në vitin 1999 e bleva një banesë të vogël "sa me shti kryt", kush më vardisej atyre ditëve dhe muajve në vijim (sidomos do djem të varfër), më shkonte mendja se më 'donin' për "interes"  ;).

5. Lakmia është ndjenja më e varfër, dhe frymëzimi i të gjitha të kqijave. Prandaj, kjo lëndë duhet të jetë pjesë e orarit të përditshëm mësimor.

6. Besnikëria duhet të mësohet përmendësh si uji që pihet. 
Në kuadër të mësimit të nxënësve për të qenë besnik, duhet të mësohen nxënësit edhe të besojnë. 
T'u besojnë njerëzve, edhe pasi që të zhgënjehen. 
Unë për shembull jam edukuar që të dyshoj, të mos besoj, sepse nana ime ka kujtuar se askujt s'bën m'i besu. Prandaj, kurrë s'jam zhgënjyer, sepse kurrë s'kam besuar.
Kur më ka stërvitur të mos besoj, ajo nuk e ka ditur se gjatë jetës sime unë do të takoj njerëz shumë më të mirë dhe më të besueshëm sesa vetja ime. Unë kam filluar t'u besoj njerëzve (me pak vonesë, por më mirë vonë se kurrë), pasi që e kam kuptuar se pa besim nuk ka dashuri, e pa dashuri as që ka jeta kuptim.

7. Të gjitha romanet e paraqesin pasanikun si një derr të pangopur, një njeri të keq dhe të pashpirtë, ndërsa tregtarin si mashtruesin më të madh. Shqiptarët e vegjël duhet të mësojnë ta duan pasurinë, sepse nëse e shajmë atë që e duam (për vete), atëherë ne kurrë nuk e arrijmë atë.

8. Në kuadër të lëndës së fatit, duhet të futete edhe falli në filxhan, bestytnitë, horoskopi, interpretimi i ëndrrave dhe numerologjia. 
Unë sa herë ma kalon maca e zezë rrugën, kthehem mbrapa, dhe pres derisa kalon dikush para meje, që t'i ikë fatit të keq. 
Pra, unë s'jam mësuar në shkollë t'i tutëm macës së zezë, por ama asgjë nuk humb as nuk më kushton nëse "i tutëm". 
Interpretimi i ëndrrave është i rëndësishëm si jeta, sepse ndodh, një ëndërr lucide na e ndryshon disponimin, dhe na e ndryshon jetën. 
Disa njerëzve të mirë u dalin ëndrrat dhe asgjë nuk prishë punë nëse i kupton ato, apo nëse përpiqesh t'i deshifrosh. 
Ne edhe ashtu e lexojmë çdo ditë kuptimin e ëndrrave dhe ia tregojmë ëndrrat njëri-tjetrit, anipse shkenca nuk na i pranon ato, dhe nuk i mësojmë në shkollë. 
Ne shohim ëndrra, ky është realiteti, dhe prandaj shkolla duhet me na pranu bashkë me ëndrrat tona.

9. Për Zotin duhet të flitet shpesh, sepse, më shumë se neve, fëmijëve u intereson autori i Hënës, i Diellit dhe i Qiellit. 
Ne nuk bën t'i privojmë nxënësit nga kureshtja dhe nga e drejta për ta kërkuar Zotin jashtë shkencës. 
Se sikur shkenca ta kishte thënë fjalën e fundit për Zotin, dhe ta kishte dëshmuar me fakte se "nuk ka Zot", atëherë s'do të kishte pasur nevojë të flisnim për Zotin. 
Zoti të shpëton shpirtërisht kur je më së ngushti...Çka të prish punë ty "a ekziston a nuk ekziston përnjëmend". Kryesore, ideja se ekziston Zoti ta qetëson ballin. 
'Nëse ekziston Zoti, ti që ke besuar, asgjë nuk humb", e 'nëse nuk ekziston ti që s'ke besuar i humb të gjitha". Kështu, çka të kushton ty nëse beson....
Mos t'harroj, të drejtën e mosbesimit në Zot duhet ta kenë të gjithë ata që dëshirojnë.

10. Duhet të bëhet valorizimi i secilës vepër, secilit libër, secilës këngë dhe të mësohen nxënësit çka është antivlerë dhe e shëmtuar. 
Gjenerata jonë për shembull s'ka dëgju këngë turqisht, se në atë kohë konsiderohej se këngët turke janë folklor i keq, e ne pretendonim rok&roll.

11. Ndoshta është koha të thyhen dy mite që na i kanë ndryshuar jetët e që të gjitha gjenerat prej se ekziston fjala e shkruar, kujtojnë se janë të njëmendëta. 
1. Idioma "Dashuria e parë nuk harrohet" duhet të demitizohet dhe zhvlerësohet, sepse nuk është e vërtetë. 
Dashuria e parë harrohet, edhe mirë bile. Gjithçka harrohet. Ti e ke harruar fëmijërinë dhe rininë tënde, e s'po e harron dashurinë e parë. 
Dhe, 2. Idioma "Vdekja është e keqe", sepse ndoshta nuk është. Askush nuk e di a është vdekja "bekim" apo "mallkim". 
Sa herë vdes dikush që e njohim na ftohet jeta, sepse kujtojmë se ai që ka vdekur është "gjynahu", viktima. Ndoshta, s'është kështu. Duhet të mësohet rinia për një qasje tjetër ndaj vdekjes. Në këtë lëndë duhet të ligjerohet edhe vetëvrasja si kapitull i veçantë.

12. Ringjallja. Kjo temë është e domosdoshme, sepse na jep shpresë se "vdekja nuk është fundi i jetës".

P.S. Kërkoj falje për dje që nuk u paraqita me asnjë shkrim, ama kisha shumë punë, dhe diçka isha edhe mërzitshëm, sherri pse ngela në lëndën e 2-të mësimore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat