Dënimi me dëbim nga puna i shkrimtarit Petrit Palushi

Opinione

Dënimi me dëbim nga puna i shkrimtarit Petrit Palushi

Nga: Rexhep Shahu Më: 8 dhjetor 2016 Në ora: 21:03
Rexhep Shahu

Petrit Palushi – është shkrimtari i fundit i dënuar nga qeveria me dëbim prej pune. Për pasojë, në kushtet e lirisë me leje qeverie, ai automatikisht është dënuar nga qeveria me uri. Se qeveria jonë e heq nga puna dhe i thotë shkrimtarit, derdhu në udhë, lëshohu në udhë dhe nuk i ofron një punë tjetër, një mundësi tjetër. Dhe ne që nuk i dalim zot njëri – tjetrit tradicionalisht, historikisht, nuk them se fërkojmë duart nga gëzimi, por heshtim. Se kështu kemi heshtur gjithmonë kur janë dënuar shkrimtarët, kur janë varë, kur janë pushkatuar, kur janë burgosë, kur janë dënuar me uri, kur janë dëbuar në harrim e shpërfillje. 

Unë kam heshtë, ti ke heshtë, ai ose ajo ka heshtë, ne kemi heshtë, ju keni heshtë, ata ose ato kanë heshtë. Heshtja jonë prej frikës apo për çfarëdolloj arsye apo kompromis ka qenë, është e do të jetë kriminale, ka vaditë lulet e krimit shtetëror ndaj shkrimtarëve.

Shkrimtari Petrit Palushi ishte disa vite drejtor i Radio Kukësit. 

U hoq nga puna, u hoq fare, nuk iu ofrua një vend tjetër pune, një rrogë  tjetër, sepse vendi i punës përkthehet në rrogë në Shqipëri, që është i vetmi vend në botë besoj ku heqja nga puna është tragjedi sepse nuk gjen më punë, nuk të ofron askush punë, se nuk ka punë, veç punë nuk ka në këtë vend, se nuk çel askush vende pune se qeveria e pushteti nuk punon aspak asnjëherë për me çelë vende pune dhe bizneset tona nuk janë aq të kamura e aq sociale sa të mbajnë me rrogë buke shkrimtarët. 

Aq më tepër vende pune për një rrogë për një shkrimtar qeveria nuk kujdeset të hapë. Se qeveria e di se pas dy-tre dekadash harrohet krejt qeveria, harrohet emir i kryeministrit të radhës por librat e shkrimtarëve lexohen në të gjitha kohët, jetojnë në gjithë kohët. 

Piktorët e mëdhej punësohen si kryeministra e ndoshta ndoshta edhe si liderë rajonalë, shkrimtarët jo, nuk ka punë për to, le të shkruajnë historinë. Ndoshta është faji i shkrimtarëve vërtetë se nuk e shkruajnë ditën, tragjedinë e ditës se po ta shkruanin qeveria do varrosej.

E Petrit Palushi për fatin e tij të keq shkruan libra, është romancier, shkruan romane. Qeveritarët tanë nuk shkruajnë dot as shkresa të sakta dhe romanet nuk i lexojnë. Qeveritarët tanë lexojnë sms dashurie ku lejohen vetëm fjalët lekë, tendera a punësim me lekë.

Petrit Palushi ka mëkatuar dhe shumë e kanë lënë në punë, duhej hequr para tre vitesh, një ditë pas zgjedhjeve ku fituan rilindasit e rij, pasuesit, nipër e mbesa të bllokut komunist të Tiranës së re.

Ka mëkatuar me vakt Petrit Palushi.

Ç’iu desht Petritit të botonte krimet e pushkatimet lumjanëve në Buzëmadhe të Lumës nga brigada e pestë partizane e Husniut, Manushit, Shefqet Peçit me shokë. 22 fshtarë të Buzëmadhes u pushkatuan nga partizanët e Shefqet Peçit. U pushkatuan 22 lumjanë, 22 shqiptarë. Nuk ishin as gjermanë as italianë, as serbë, as grekë as turq as alienë. 

Shkrimtari Petrit Palushi e shkroi këtë histori pushkatimesh. Ata që pushkatuan shqiptarë bënë luftë civile vëllavrasëse. Nuk e tha Petriti as nuk  e bëri Petrit shkrimtari këtë luftë civile vëllavrasëse por e bënë partizanët. Por meqë e shkroi Petrit Palushi këtë histori, meqë u krua me etërit, gjyshërit, priti rrufetë Petrit, hape dorën e mbaji në grusht shigjetat e rrufeve të partisë.

I dëbuari i fundit nga puna është shkrimtari Petrit Palushi dhe nuk iu ofrua një rrogë diku tjetër nga partia meqenëse partia heq e fut në punë, meqë partia ta heq e ta vë. 

U bënë 5 apo 6 shkrimtarë seriozë që hedh në rrugë qeveria, që i dënon me pamundësi, me uri, ma pamjaftueshmëri, që i zhbën para fëmijëve të tyre, i zhvlerëson para fëmijeve të tyre. Petritit iu vonua dëbimi nga dashuria e madhe që ka kryeministri për romancierin Palushi, nga adhurimi që ka kryeministri për shkrimtarët ngaqë vetë është supërartist por jo shkrimtar.

Nejse Petrit, nuk ka problem, shkrimtarë ka me shumicë qeveria, ndan edhe çmime shkrimtarësh qeveria jonë rilindase. 

Pastaj shkrimtarët nuk hanë bukë, nuk kanë nevojë për ushqime, nuk kanë nevojë për lekë sepse qeveria ua garanton falas gjithçka, ua garanton falas urinë, varfërinë, shpërfilljen, mungesën totale të detyrimit ndaj atyre që shkruajnë historinë kombëtare. Vdekjen dhe ushqimin, bukën e përditshme nuk ua garanton falas.

Shkrimtari nuk është kasap. Petriti nuk shet shalqinj, as vende pune nuk shet as këmben. Ai shkruan dhe nuk di të bëjë gjë tjetër, nuk mundet të bëjë gjë tjetër, nuk ia lejon vetes ai e as vetja atij të bëjë gjë tjetër se zoti e ka dënuar të jetë shkrimtar ç’ka nuk është dot deri tani kryeminsitri ynë i ndritur e famëmadh, i përkthyer edhe në Serbi që të bëhet i famshëm si shkronjës tragjedish jashtë vendit dhe të vijë si alien e ta pushtojë botën e shkrimit ndër ne, si shkronjësi i shkruesve, si shala mbi gomar a gomari me shalë.

Pastaj mëkati tjetër gjëmëmadh i shkrimtarit Petrit Palushi është se ai i ngriti hymne Havzi Nelës, shkroi libra për të, botoi vjershat e këngët e Havzi Nelës të cilin partia e parë e rilindasve tanë të sotëm e dënoi me varje  në litar në mes të qytetit të Kukësit me 10 gusht 1988.

Shkrimtari Petrit Palushi guxon e sfidon bijtë e baballarëve zulmëmëdhej, paraardhësit e partisë së sotme e cila nuk ka dënjuar kurrë të distancohet nga krimi i përbindshëm varja në mes të sheshit e poetit Havzi Nela.

Paguaj mëkatet tua ti shkrimtar Petrit Palushi. Paguaji se nuk i shpëton dot partisë ti djalë. Edhe në vrimë të miut të hysh, të gjen partia tonë.

Pastaj ti shkrimtar i dashur mëkatet i vazhdove sepse u bërë i njohur me ato romanet e tua që demaskonin pushtetin e baballarëve të rilindasve të sotëm. Ato romanet e tua vërtetë që nuk i bëjnë dot shokët e partisë, por nuku lejohet të demaskosh baballarët e shokëve tanë, kohën e tyre të lavdishme.

Po që e ngrite në qiell Muharrem Bajraktarin, që botove dokumente që e nxore burrë të mirë, patriot, trim, jo tradhëtar, jo vëllavrasës, kombëtarist Muharrem Bajraktarin që partia mëmë e rilindasve të sotëm vazhdon ta mallkojë si armik, harrove ti zoti shkrimtar. Paguaj mëkatet zoti shkrimtar.

Për ty shkrimtar nuk shqetësohet askush sepse ti urrehesh nga ata që kujtojnë se janë dikushi, nga ata që gënjejnë veten se janë shkrimtarë, sepse ti ua ke zënë rrugën. Pastaj ti je si tepër ironik, tallës, fishkëllues me divizionet e artit dhe brigandët e partive. 

Ke shkruar pak tepër ti dhe je ngatërruar me shumë gjëra.

Ti duhet të kuptosh një gjë. Kur dënohesh ti me dëbim nga puna, me lënie pa rrogë, me uri për ty e fëmijët e tu, me pamundësi për tua plotësuar nevojat fëmijëve të tu, ti që je shumë i njohur, që jeton në Kukës dhe je adresa kryesore atje, adresa apo stacioni më i rëndësishme sot në Kukës, pra kur dënohesh ti, kur shpërfillesh ti deri në këtë masë, vajmedet për njerzit e zakonshëm, njerzit e thjeshtë, njerzit që nuk kanë atributet e tua se nuk mund t’i kenë të gjithë atributet e shkrimtarit, vajmedet për të tjerët. Të tjerët sipas kësaj logjike nuk duhet të çelin gojën, nuk duhet të ankohen, duhet vetëm ti falenderohen qeverisë e kryeministrit që i lejon të jetojnë në Shqipëri, që nuk i dëbon nga Shqipëria, pa nga puna le t’i dëbojë sa herë të dojë e kur të dojë. Ne e dimë se në Rusi dënimi më i rëndë për shkrimtarët ishte dëbimi nga atdheu. Mos doni që të kriminalizohet edhe qeveria jonë deri në këtë shkallë sa t’i dëbojë shkrimtarët jashtë atdheut.

Edhe të dojë qeveria jonë nuk e lënë ambasadorët e huaj që çertifikojnë veprimet e mbrapshta të qeverisë, që çertifikojnë edhe dëbimet nga puna të shkrimtarëve shqiptarë. Se edhe ambasadorët e dinë se ata që nuk bëhet dot kurrë bashkë janë shkrimtarët. Se po të bëheshin bashkë shkrimtarët, qeveritarët do t’ua fshinin këpucët me mindilat e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat