Ballkani fuqi baruti!

Opinione

Ballkani fuqi baruti!

Nga: Dr.Nijazi Halili Më: 8 dhjetor 2016 Në ora: 22:32
Nijazi Halili

Produkti “Ballkani fuqi baruti” erdhi si rezultat i politikave që ndoqën shtetet e Ballkanit, duke u shërbyer Fuqive të Mëdha, duke lënë pas dore interesat e popujve të tyre. Fillimi i Krizës në Ballkan përkon me rënien e Perandorisë Osmane, rënie e cila u shoqërua me rigjallërimin e lëvizjeve nacionaliste me bazë shtet-formimin. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe vëmendjen e kushtuar prej carëve rus për Evropën Juglindore, interesimi i të cilëve u shoqërua me interesimin dhe shqetësimin e Fuqive të Mëdha për rajonin.

Ballkani u përfshi në atë periudhë nga një sërë lëvizjesh anti-osmane, duke filluar që herët me lëvizjën anti-osmane shqiptarë të drejtuar nga Ali Pashë Tepelena në kohën e Pashallëkut të Janinës, e për të vazhduar më tej me lëvizjet anti-osmane të serbëve dhe grekëve. Në fillim këto ishin lëvizje të pastra anti-osmane e më pas u formësuan në  lëvizje nacionaliste.

Ky frymëzim u shpreh dukshëm në rastin e platformës serbe “Naçertanie” të Garashaninit dhe “Megal Ideas” greke. “Naçertania” pati ndikim në planin e brendshëm dhe të jashtëm, në planin e jashtëm Serbia, ndoqi politikën e përfitimit në kurriz të fqinjëve, politikë e cila ishte shumë agresive dhe bëri që gjatë Luftërave Ballkanike ajo të plotësonte mbi 70% të hartës territoriale të përcaktuar nga Garashanini. S´mund të anashkalohet fakti që kjo platformë preku më së shumti shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore. Ku veçanërisht gjatë Luftës së Parë Botërore mbi shqiptarët u kryen krime, spastrime etnike dhe konvertime fetare të cilat më gjerësisht i kemi theksuar në temën kriza e kosovës në shekullin e XIX dhe platformat serbe.

Nëse në rastin e Serbisë kur themi “Naçertanie” kujtojmë Garashaninin, në Greqi përmendet Venizolosi sa herët kujtohet “Megali Idea”  Këto dy platforma ishin më konkrete e të gjalla për sa i përket një nacionalizmi të theksuar, por nuk do të thotë që popujt e tjerë të Ballkanit nuk kanë shfaqur frymën nacionaliste e shtet-formuese. Por në rastin e Serbisë dhe Greqisë ky nacionalizëm ishte më i theksuar, më aktiv e herë herë edhe agresiv atëherë kur cenoheshin interesat apo dilnin në pah dëshirat për përfitime. Ndërkohë që popujt e tjerë thjeshtë janë kundërpërgjigjur ndaj këtyre politikave serbe e greke.

Ballkani u përfshi në shumë nga një serë luftërash gjatë shekullit të 20´: Lufta e Parë dhe Lufta e Dytë Ballkanike,  Lufta e Parë Botërore, Lufta Greko-Turke, Lufta e dytë Botërore, Lufta Civile në Greqi dhe një serë luftërash në trashëgiminë Jugosllave pas viteve 90-të”.

Normalisht këto luftëra shpalosën strategji, politika specifike, problematike, fitues, të humbur, viktima e pasoja në fusha të ndryshme. Le të ndalemi më konkretisht në një ngjarje të rëndësishme pas Luftës së Ftoftë e cila përkon me shpërbërjen e Jugosllavisë, Kriza e ish-Jugosllavisë filloi që pas vdekjes së Titos, por rënia e Murit të Berlinit dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik vetëm e përshpejtuan krizën jugosllave. Kriza ishte shumë komplekse dhe u karakterizua nga një turmë tensioni e konfliktesh në rritje, duke filluar në vitin 1991 me shkëputjen e Sllovenisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, duke vijuar me krizën e Bosnje-Hercegovinës që kulmoi në vitet 1994-1995 duke arritur kulminacionin në vitet 1998-1999 me krizën e Kosovës dhe së fundi me konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni.

                 Komunitetit  Ndërkombëtarë i’u desh shumë kohë të rizbulojë problemin e Kosovës   

“…Me marrëveshjen me Serbinë, Kosova ka hequr dorë nga pjesa veriore e saj, thotë kongresisti republikan, Dana Rohrbacher. Sipas tij, marrëveshja nuk sjell paqe afatgjate në rajon. Në favor të kësaj do të ishte rregullimi i kufijve, thotë Rohrabacher. Të pranojmë se Kosova nuk ka marrë absolutisht asgjë për atë që ka dhënë. Ajo çfarë ka dhënë është e drejta për të qeverisur pjesën veriore të vendit dhe dy komunitetet brenda tij. Kosova nuk ka fituar sovranitet, përkundrazi. Kjo marrëveshje krijon kërkesën e Kosovës për sovranitet, sepse nuk i jep autoritetin për të ushtruar sovranitetin”!

Rohrabacher flet edhe për ndryshimin e kufirit. “Po, ndoshta edhe në pjesë të tjera, por kryesisht në Luginën e Preshevës. Do të mund të bënin një shkëmbim të barabartë të territoreve dhe të popullsisë nëse do të pajtoheshin për rregullimin e kufijve. Por, në vend të kësaj, kanë marrë asgjë, zero. Tani, madje, nuk mund të dërgojnë as policinë në pjesën veriore të vendit, nuk mund të dërgojnë ushtrinë e tyre, nuk do të kenë gjyqtarë që do të zgjidhen nga qeveria e tyre; ata do të zgjidhen nga serbët në veri. Kjo është humbje e madhe e sovranitetit për Kosovën…”!      

Involvimi amerikan në rajon ka bërë që të arrihen shumë marrëveshje që në fund kanë sjellë paqen apo kanë ndalë konfliktet etnike. Prej këtu kemi përpjekje të vazhdueshme të përfaqësuesve amerikanë dhe evropianë në rajon si Eshton ,Fyle ,Riker për t’i bindur qeveritë se duhet ecur drejtë demokracisë dhe respektuar marrëveshjet apo armëpushimet e arritura.

Prandaj mund të thuhet se edhe gjatë administratës së re të Obamës, vërehet njëfarë angazhimi diplomatik amerikan në Evropë nën drejtimin e sekretarit Kerri,përkundër asaj se SHBA- të më tepër aktualisht janë fokusuar në Azi-Pacifik. Mund të thuhet se në këtë fazë të diplomacisë amerikane nuk kemi ndonjë ndryshim thelbësorë të agjendës gjatë mandatit të parë apo të dytë të Obamës dhe Kerrit për sa i përket ndonjë lëvizje të madhe në rajon. Ballkani nuk del jashtë interesit të politikës amerikane, përderisa forcat nacionaliste vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet dhe të paraqesin rrezik për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Bosnja,Kosova dhe Maqedonia janë zona të vlimeve etnike dhe me anë të kësaj apo këtyre marrëveshjeve, amerikanët mundohen t’i zvogëlojnë  konfliktet e izoluara. Ndërsa Serbia dhe Shqipëria nëpërmes politikave të balancuara mund t’i japin rajonit një drejtim tjetër drejtë përparimit demokratik. Por,deri më tani Serbia dhe politikat e qeverive serbe kanë qenë destabilizuese për Ballkanin, dhe ky shtet tani është përpjekur të dëshmojë se mund të bëhet palë në ndonjë marrëveshje dhe ta zbatojë atë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat