Kur bie kambana e partisë

Opinione

Kur bie kambana e partisë

Nga: Delvina Kërluku Më: 10 dhjetor 2016 Në ora: 07:22
Delvina Kërluku

Nja dy herë në muaj më bie të marrë rrugën për vendlindje - Dibër; sa për mall, aq edhe për nevojë. Kështu ndodhi edhe javën e fundit të nëntorit, apo më drejt është të shkruhet NËNTORI. Dihet pse. Meqë aksi rrugor Mavrovë-Dibër, sanohej, trafiku ishte rënduar. Si pasojë – rrugëtimi zgjati e zgjati aq shumë sa nuk dihej në më lodhi më shumë udha apo telefoni i të afërme, të cilët interesoheshin për mbarëvajtjen e udhëtimit. Për gjendjen e kësaj rruge kisha shkruar edhe unë, përveç kolegeve e kolegëve gazetarë. Me të arritur në lagjen time, kundërmoi aroma e ushqimit tradicional, me të cilin përherë më pret nëna ime. E pret të bijën, plot mall. Për t’u çmallur edhe me vendin, i rashë pedonales, që neve na pëlqen ta quajmë bulevard. Qyteti ishte mbuluar me fletë reklame të kandidatëve për zgjedhjet në vend. Ambientet përreth zhurmonin nga zërat e njerëzve, që kuvendonin për partinë e tyre. Aktivistët bënin apel për një miting, ku do të madhështohej me pjesëmarrjen e gjithë të punësuarve nga partia, dhe ata të cilët shpresonin në fjalën e dhënë të udhëheqësit.

Brenda dy netëve, sa qëndrova në vendlindje, kuptova se qyteti im aq i vogël (si në numër, ashtu në banorë) ishte ndarë në pesë gjashtë pjesë. Ai ishte bindur se mbi supat e tij rëndonte fati i kombit, apo kësaj pjese të kombit. E kishte harruar fare se në hartën e fateve, atë duhej ta kërkoje me thjerrëz. O Zot, thashë, po këta njerëz a nuk e dinë se një grusht votash që kanë ata, në peshoren elektorale të Republikës, s’peshon gjë. Kjo palo votë për ata kishte një vlerë të ekzagjeruar, sa kishte hyrë në mes të babës e birit; motrës e vëllait; dajës e nipit; burrit e gruas, bile. Nga kureshtja, pyeta nëse është degjeneruar shoqëria dhe familja. Atëherë, një nënë e thyer në moshë, ma mbylli gojën, duke më thënë: Mos bëza, se do t’i lësh pa bukë, nëse tregon se janë babë e bir. Ata janë pa të ardhura, të papunësuar dhe partia fituese e njërit do t’i nxjerr në dritë të dy. E përtypa klithmën! Nëna plakë, kur më pa se ula kokën, ashtu menduar, me dorën e saj të regjur më përkëdheli e më pëshpëriti me një zë të mekur, sa për të më bindur: Kështu funksionon këtu, s’ke ç‘bën!

Të dielën, ku edhe ishte dita ime e fundit në qytetin e lindjes, zhurma  e fëmijëve të lagjes më zgjoi. E diela na bashkoi gjithë familjarët. Kjo traditë është e njëjtë në mëhallë e qytet. Kur muzgu ra, u dëgjua një piskamë fëmije. Matanë rrugës po ndahej nëna me fëmijën. Vlona ishte nëna e tre fëmijëve. Fëmija më e vogël ishte 3 vjeçar. Ajo kishte mbaruar fakultet, në vitin 2000 dhe kishte vetëm 2 vite që ishte punësuar. E frikësuar për të mos e nxjerr nga puna, pra drejtori që e kishte emëruar partia, ajo ishte e detyruar t’i nënshtrohet urdhrit të drejtorit. Atë të diel ajo do të linte tre fëmijët e vegjël, nën përkujdesjen e nënës plakë, e cila kishte kohë që dergjej nga një sëmundje. Dhimbjet e saj nuk shëroheshin, kishte mall për të birin, i cili kishte muaj që ishte arratisur (në mënyrë ilegale) për në e Amerikë dhe nuk dihej nëse është gjallë e shëndosh. Vlona kishte zgjedhur që atë natë t’i hipë autobusit për t’ju bashkangjitur mitingut, i cili do mbahej në Shkup. Zëri i fëmijës jehoi rrugëve të mëhallës. Vlona lëshoi dorën e të bijës dhe iku rrëmbimthi, po ra ndesh me sytë e mi. Mu afrua e më tha: Bëj kujdes, për nënën dhe fëmijët!

Ndërsa autobusët bëheshin gati për t’u nisur, Vlona i ishte bashkangjitur turmës. Shumë nëna, vajza, atë natë, i kishin lënë shtëpitë dhe njerëzit vetëm. I priste autobusi i mitingut – autobusi i partisë!

I nderuar lexues, ky rrëfim edhe mund të quhet skicë tregimi. E shkruar me qëllim për të treguar se Politikani i vendit tonë konsiderohet si Zoti i fatit tonë!  Të nderuar politikanë, populli është i vetëdijshëm për punët dhe synimet tuaja. Lëreni Vlonën të përkujdeset për nënën plakë, për fëmijët e saj të vegjël. Ju çmoni diturinë e saj, dhe jo prezencën e saj fizike nëpër mitingje. Vetëm që të dukeni shumë, vetëm që të mburreni para kundërshtarit. Lëreni Vlonën të punojë qetazi. Ju keni për detyrë ta ktheni burrin e saj, të shkolluar, pranë familjes. Pra, Ju parandaloni migrimin duke i punësuar njerëzit e shkolluar, me djersën e tyre dhe me financimin e prindërve. Liria është gjë e madhe. Luftëtarët dhe të përvuajturit e dinë fort mirë ç‘është liria. Politikanë, jepni liri Vlonës të vendos vet, jo me diktate. Kur bie kambana e partisë le të vrapojë Vlona e populli me vullnetin e vet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat