Presidenti Trump dhe Gjeopolitika Amerikane ndaj Shqipërisë

Opinione

Presidenti Trump dhe Gjeopolitika Amerikane ndaj Shqipërisë

Nga: Pirro Prifti Më: 10 dhjetor 2016 Në ora: 08:07
Pirro Prifti

Është folur shumë për Presidentin Donald Trump që fitoi zgjedhjet në SHBA, dhe mënyrat e veçanta analitike të tij të përpunimit të fakteve dhe të interpretimit të ngjarjeve në SHBA dhe në botë.

Dihet mirë dhe komenti para zgjedhor i Kryeministrit Rama për kandidatin Trump, koment i cili nuk ishte ndonjë gjë e veçantë po të marrim parasysh se ¾ e udhëheqësve evropianë kishin rezerva ndaj kandidatit Trump.

Fitorja spektakolare e tij në këto zgjedhje duke mundur kandidaten e shumë dëshpëruar nga BE-ja zyrtare, dhe disa vende të Botës së tretë, na bëri të mendojmë që SHBA ka probleme të veçanta brenda vendit, probleme të cilat Evropianët nuk i paskan kuptuar dhe aq më pak nuk mund ti kuptonte as qeveria shqiptare.

Sidoqoftë, fitorja e tij është një fitore e demokracisë perëndimore e cila tregon se ka dhe probleme të tjera të cilat në moment të caktuara vendosin mbi fatet e një vendi për sa i përket dëshirës së popullit dhe jo interesave të politikanëve të atij vendi të madh dhe aq më tepër dhe të miqve të SHBA.

Çfarë treguan këto zgjedhje?

 Këto zgjedhje në SHBA treguan se klasa politike aktuale amerikane nuk ishte në nivelin e duhur për të përfaqësuar interesat e popullit amerikan.

Së dyti këto zgjedhje treguan se vota e popullit amerikan si ajo popullore ashtu dhe ajo sipas shteteve të mëdha favorizoi politikën proteksioniste të SHBA  të kandidatit Trump në raport me kandidaten tjetër.

Së treti këto zgjedhje treguan se analiza e kandidatit Trump në të shpjeguarit e fenomeneve brenda SHBA dhe jashtë saj ishte më e sakte se analizat dhe propaganda politike e Demokratëve të udhëhequr nga Hillary Klinton, dhe këto analiza politike shpjeguan fitoren e Trump të cilat mund të përmblidhen shkurtimisht kështu:

-Politikat  të ashtuquajtura anti-establishment` ose shqip politika kundër administrimit aktual  dhe qeverisjes aktuale të Obamës si  brenda vendit ashtu dhe jashtë vendit.

-politikat tolerante  ndaj emigracionit në emër të lirive dhe të drejtave të njeriut bien ndesh me interesat e SHBA kur bëhet fjale për terroristët, kartelet e drogës, tutorët e prostitutave, e të gjithë llumi i shoqërive botërore të cilat kërkojnë biznes në SHBA dhe në vendet e zhvilluara kapitalistek sepse aty këto komunitete gjejnë mundësi hyrjeje dhe aktiviteti duke u justifikuar me liritë dhe të drejtat e njeriut , me të cilat nuk duhet abuzuar sidomos nga këto kartele të krimit. Këtu politikat e Trump duken të ashpra por për mendimin tim të drejta.

-Politikat ekonomike të Trump për të rritur potencialin proteksionist ekonomik në SHBA duke  propozuar vënien e taksave ndaj eksportuesve të kapitalit, dhe hapjen e vendeve të përhershme të punës në SHBA ndaj atyre sezonale, janë komplet ndryshe nga politikat e administratës Obama dhe Klinton.

- Politikat e jashtme të SHBA, këto tetë vite të Obamës kanë qenë të turbullta dhe kanë shkaktuar konflikte të panevojshme jashtë SHBA, duke u nisur nga analiza jo të sakta, nga fushatat mediatike dis-informuese dhe fobinë idiote ndaj `rrezikut nga Rusia` , që kanë  por dhe kanë pasur që nga koha e Xhon Kenedit-demokratët.

 Këtu del se idea e Trumpit se rreziku më i madh i vjen SHBA nga Kina se nga Rusia është i drejtë, duke pasur parasysh se Kina ka dëmtuar rëndë prej disa vitesh ekonominë e SHBA duke mbytur tregun amerikan me produkte të lira të cilat kanë detyruar të falimentojnë shumë biznese amerikane.

Kjo tregon edhe një element i cili tashmë është tejkaluar: Eksporti i Kapitalit nuk është gjithmonë produktiv sepse pas një farë kohe dëmton ekonominë e atij vendi që eksporton kapital por le pa punë punonjësit e vet. 

Eksporti i Kapitalit pati kundërshtitë e veta sidomos nga Kina dhe Fidel Kastro, dhe ky i fundit kur ishte gjallë krahas parullës `Socializëm ose Vdekje` shpalli dhe parullën e çuditshme `SHBA eksporton kapitalin por ne (Kuba, vendet ish komuniste) do të eksportojmë revolucionin`.

Sigurisht ideja  e marrë  e Demokratëve të Obamës dhe Klinton për të rrethuar Rusinë më një `Kordon sanitar`, duke kthyer të gjitha vendet në kufi me Rusinë në vende armike të Rusisë , si dhe vendet arabe mike të Rusisë duke i kthyer ato në vende armike të Rusisë nëpërmjet  `pranverës arabe`, apo nëpërmjet shpërthimit të luftërave civile si në Siri, Jemen, Liban, Irak, Egjypt, Libi (këtu ishte Sarkozy- shkaktari i shpërthimit të luftës civile), - mbetet një nga problemet më të mëdha të administratës së ardhshme të Presidentit të zgjedhur Trump.

Praktikisht ai ka deklaruar se … nuk është Rusia armiku kryesor i SHBA, problem kryesor i SHBA është Kina.

 Kjo ide ka një sens të saktë të vlerësimit ekonomiko financiar të SHBA e cila e ka një deficit buxhetor po aq sa ka dhe GDP e saj = 17 trilion dollarë.

Ky është shkaku që Presidenti i zgjedhur Trump pati sukses në zgjedhje: SHBA janë në vështirësi ekonomiko-financiare sepse u janë ngushtuar dhe pakësuar tregjet, të cilat i kanë zënë kryesisht Kina, e më pak India, Brazili, BE, etj.

Rusia nuk është konkurrente ekonomike.

Ku hyn Shqipëria në këtë mes? Gjeopolitika e SHBA në Ballkan nuk ndryshon, kështu që  Shqipëria do të mbetet një nga prioritetet amerikanë në Evropë, dhe ajo do ta ndihmojë Shqipërinë të integrohet dhe të fitojë një status të barabartë me vendet e BE.

Të vetmet probleme të cilat mbeten në Ballkan janë:

Terrorizmi islamik i cili po dobësohet por kërkon ndërhyrje energjike nga Shqipëria , Kosova dhe vendet Ballkanike (përfshi dhe Turqinë!?),
Problemi i gjeopolitikës së Rusisë , për të cilën nuk dihet qartë se çfarë ka ndërmend Presidenti i zgjedhur Trump, por një gjë është e qartë se SHBA nuk do të mund, dhe nuk mund të zbythen nga arritjet e deritanishme.

Shpresojmë se Presidenti i sapo zgjedhur Trump, të marrë sa më parë Presidencën dhe të bëjë të qarta prioritetet e tij, por Shqipëria dhe trevat shqiptare do të mbeten besnike SHBA sepse ajo mbetet i vetmi aleat besnik i shqiptarëve në Ballkan dhe në Evropë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat