Nënshtrimi i shqiptarëve ndaj politikës

Opinione

Nënshtrimi i shqiptarëve ndaj politikës

Nga: Faton Mehmeti Më: 12 dhjetor 2016 Në ora: 16:21
Faton Mehmeti

Nënshtrimi ka kuptimin kur bie nën pushtetin dhe varësinë e dikujt; humbas lirinë dhe pavarësinë.Ose veproj në përputhje me vullnetin e dikujt; i bindem dikujt a diçkaje; pranoj pa e kundërshtuar. Njeriu në moshën e vogël është më i padiskutueshmi dhe që madje tejkalon edhe atë të prindit. Me të mplekset nënshtrimi ndaj autoritetit të më të fortit, më të aftit etj., ndër shokët që bëjnë pjesë në grupin e vogël social apo mikromjedisin social të fëmijës apo të adoleshentit.

Me kalimin e viteteve vjen autoriteti i pronarit, drejtuesit, shefit ej. Në vendet me reminishenca të forta nënshtrimi ndaj autoritetit të shefit apo të drejtorit ka qenë e mbetet, i detyrueshëm e jetik. Pa të, rrogëtari nuk jetonte e nuk jeton dot. Këtu do të përshtatej shprehja e Bergsonit: “Autoriteti i tyre rrjedh më pak nga ata vetë sesa nga situata e tyre në raport me ne.” Sakaq njerëzit e shtypur, në përgjithësi karakterizohen nga një lloj mazokizmi naiv, që do të thotë se janë të prirur të kontrollohen nga dikush, ti nënshtrohen dhe dorëzohen dikujt, gjë e cila u fal kënaqësi dhe një lloj rehatie. Ata sikur janë të kënaqur që janë të nënshtruar dhe të persekutuar. Ndjenjat e varrosura të fajit, nuk i lehtëson gjë tjetër përveç shtypjes së despotit, nënshtrimi i tij dhe persekutimi, edhe pse mund të deklarohen kundër tiranisë dhe despotizmit.

Jemi ende në një periudhë kur për të dalë në lirinë e vërtetë të individit, mënjanimin e reminishencave të nënshtrimit, duhet një kohë jo e shkurtër rikuperimi, një edukim e kultivim kulture, mbi demokracinë e vërtetë, pavarësinë e të menduarit, lirinë e pavarësinë individuale. Personalitetet e nënshtruara ( shqiptaret e  nënshtruar ndaj liderëve shtetëror ) dhe të persekutuara, vuajnë nga ndjenja e frikës nga vetmia, prandaj u duhet një tiran pas të cilit fshihen, të cilin e konsiderojnë babanë e tyre dhe i besojnë udhëheqjen dhe vullnetin e tyre. Ata heqin dorë nga të gjithë përgjegjësitë, pasi sipas tyre, despoti i tyre është i aftë për gjithçka. Ata e durojnë shtypjen e tij, nënshtrimin dhe persekutimin, madje ndonjëherë ndihen edhe të kënaqur.

Si në epokën e errët të totalitarizmit, por edhe tani parësore është autoriteti i udhëheqësve partiakë, shtetërorë dhe nënshtrimi ndaj tyre. Autoriteti i liderit të partisë, i “Atit” është  tek i gjithë  populli  më i larti, më i padiskutueshmi. Në këto sisteme Frojdi mund të modifikohej duke e shtrirë më tej teorinë e tij të interiorizimit dhe duke e filluar atë edhe më hershëm, që nga ndërkallja që në fëmijëri të hershme e autoritetit të liderit e të atij të “partisë mëmë” në veçanti dhe të dashurisë pa kushte, pra një lloj nënshtrimi fillestar fëminor ndaj tyre. Kjo elitë, në Shqipëri dhe Kosovë, jo rrallë duket se i ka shitur interesat e vendit në këmbim të favoreve personale. Nuk ndodh kurrë që një elitë politike të sillet si e huaj me qytetarët e vet dhe tepër tolerante apo edhe e nënshtruar me të huajt. Liderët e partive shqiptare janë shndërruar në baronët apo pronarët e këtyre partive dhe nuk pyesin as për rregullat minimale të demokracisë e jo më të kujdesen për përgatitjen e elitave të reja.

Ndër faktorët e tjerë të nënshtrimit e të heshtjes së gjatë popullore është edhe e ashtuquajtura psikologji komune apo psikologji e pseudogrupit të madh social dhe kontradikta e saj me psikologjinë dhe mentalitetin e vërtetë individual, natyror të njeriut. Si pjesë e rëndësishme e nënshtrimit ndaj shtypjes është despotizmi institucional. Është një shtrirje normale e despotizmit familjar dhe shkollor, pasi të gjithë institucionet bazohen në idenë e një personi të madh, i cili di gjithçka dhe bën gjithçka, si dhe në idenë e një turme vartësish të cilët dëgjojnë dhe binden. Këtu, lidhjet mes eprorit dhe vartësit bazohen tek frika, armiqësia e fshehtë nën një mbulesë hipokrizie dhe mashtrimi.Shumë njerëz u pajtuan me mendimin se fitorja e sistemit autoritar vinte nga marrëzia e pak individeve dhe kjo marrëzi e tyre, me kohë do t'i conte në shkatërrim. Një iluzion tjetër i përbashkët, ndoshta me i rrezikshëm nga te gjithë, ishte besimi se njerëz si i e kishin shtënë në dorë pushtetin mbi aparatin e gjerë shtetëror vetëm me hajdutëri dhe poshtërësi, se ata dhe satelitet e tyre qeverisen thjeshtë përmes forcës së kulluar; se tërë popullsia që vetëm objekt i privuar nga vullneti prej tradhëtisë.

Sipas psikanalisti i shquar, Erich Fromm, vetëm karakteret demokratike që nuk e pranojnë sundimin e kujtdo, qoftë dhe për të cilat barazia dhe dinjiteti i njeriut përbën një domosdoshmëri të thellë, një bindje dhe jo thjesht një mendim, vetëm ata që kanë në vetvete një karakter joautoritar, do t‘i kundërvihen me rezistencë autoritarizmit në çdo formë dhe ngjyrë që të shfaqet. Shqiptaret duhet të marrin në dore fatin e tyre dhe t’i kundërvihen të keqes, këtë mund të bëjnë nëse nuk më nuk nënshtrohen ndaj sundimit të qeveritarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat