A duhet Lëvizja BESA të ndjekë shembullin e partisë gjermane SPD?

Opinione

A duhet Lëvizja BESA të ndjekë shembullin e partisë gjermane SPD?

Nga: Fitim Dika Më: 21 dhjetor 2016 Në ora: 00:11
Fitim Dika

Gjatë zgjedhjeve për Bundestagun gjerman në 2013, rezultatet ishin befasuese për shumë parti të vogla, që nuk arritën pragun e pesë përqindshit (AfD dhe FDP), por gjithashtu asnjë parti ose koalicion nuk mund të formonte qeverinë e vetme.

Partitë e djathta simotra, CDU dhe CSU fituan dhjetë mandate më pak për të formuar kabinetin e ri qeveritar dhe i duheshte me patjetër mbështetje nga njëra prej partive parlamentare: me rivalët e kahmotshëm SPD, Die Linke dhe Të Gjelbërit.

Fushata zgjedhore ishte fokusuar me akuza të ndërsjellta mes CDU/CSU dhe SPD, megjithatë votuesit kishin dhënë verdiktin për një koalicion të gjërë. Për të mos humbur anëtarësinë dhe mbi të gjitha simpatizuesit e saj, SPD vendosi për herë të parë në historinë gjermane, që anëtarët e saj të votojnë personalisht nëse janë “për” ose “kundër” një koalicioni të gjërë me partitë rivale të djathta.

Dalja në votime e anëtarësisë së SPD ishte 78% dhe shumica vendosën për ti thënë po një koalicioni të gjërë. Sot e kësaj dite, Gjermania ka qeveri të gjërë mes CDU/CSU dhe SPD që fitoi 193 mandate. Por ata pritet të jenë kundërshtare në zgjedhjet e fillimit 2017.

Paralele me rastin e Maqedonisë

Qeveria e ardhshme është në duart e BDI, por që ajo të jetë stabile ka nevojë për koalicion me Lëvizjen BESA ose me PDSH dhe Aleancën për shqiptarët që kanë nga pesë mandate. Çdo rast tjetër do e shkurtonte edhe më tepër jetën e qeverisë së ardhshme.

-PDSH është e gatshme të koalicionojë me çdo parti që i premton diçka materiale. Me punësimet në qeverinë e ardhshme, kjo parti shpreson që përsëri të marrë dy ose tre deputetë.

-Aleanca për shqiptarët me tre deputetët e saj, e ka bërë të qartë mos marrjen pjesë në qeverinë e ardhshme nëse nuk plotësohen kushtet si dygjuhësia dhe ndarja proporcionale e buxhetit të shtetit. Logjikisht, atë që se ka bërë BDI me 19 deputetë, vështirë se arrihet me tre deputetë të Aleancës, por që në fakt - është skenar i menduar mirë për të ngritur ndikimin e saj te shqiptarët. Opozita do i shërbente asaj më shumë sesa Pushteti.

-Lëvizja BESA gjithashtu ka shprehur hapur se nuk do jetë pjesë e qeverisë së ardhshme nëse nuk ndodh “Ridefinimi”, megjithatë ka lënë një shteg hapur për të mbështetur një koalicion mes BDI dhe LSDM, që të rrëzohet pushteti dhjetëvjeçar i Nikola Gruevskit.

Kjo deklaratë me siguri ka ardhur edhe nga ndikimi i Edi Ramës, mbase edhe nga ndonjë shteti mik i shqiptarëve, por hëpërhë s’mund të spekulojmë. Si ide duket e mirë, por Lëvizja BESA rrezikon simpatizuesit e saj me frymë opozitare. Lufta e fushatës elektorale vetëm kundër BDI dhe anasjelltas, sikur ti gjejë sëbashku në qeverinë e ardhshme, vetëm se do dërgonte votat e ardhshme te partitë e Aleancës për shqiptarët.

Në këto kushte, më e mira për Lëvizjen BESA do ishte të ndiqte shembullin e partisë së majtë gjermane, SPD, që sëpaku kësaj bare të rënde, ti japin përgjigje mbështetësit e saj. BESA duhet ta kursejë veten nga përligjet e së nesërmes: Zgjedhjet Lokale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat