Intelektualë të të gjitha trojeve tona, bashkohuni në gjumë!

Opinione

Intelektualë të të gjitha trojeve tona, bashkohuni në gjumë!

Nga: Reis Mirdita Më: 12 janar 2017 Në ora: 12:04
Reis Mirdita

Pa u ndaluar në të kaluarën e këtyre viteve të “lirisë” por duke ecur krahas me të ardhmen, do të hasim disa aspekte të jetës demokratike të dështuar në të gjitha poret e jetës në trojet e mbuluara me shqiptarë.

E ardhmja është e mbushur me paqartësi. Nuk kemi as idenë më të vogël se ç’i pret brezat e ri në këtë kaos ku mungon elementarja e edukatës demokratike dhe mundësive për të arritur nivel më të qartë të relacioneve shoqërore e politike në kuadër kombëtar e sidomos ndërkombëtar ku edhe pësojmë debakël të përhershëm që nënkupton bisedimet dhe marrëveshjet politike, ekonomike ndërshtetërore e ndëretnike.

Mungesa e kulturës, pra e edukatës demokratike, guximit dhe dëshirës për konfrontim demokratik në diagonalen votues - i votuar, rrënon pa mëshirë mundësinë e strukturimit politik të sistemit dhe shtetit i cili ngelën në duar të të “votuarve” filiform në prizmin politik që nuk i kanë aftësitë e duhura për të trasuar koncepte ardhmërie.

Era e ndryshimeve në botë drejt një mirëqenie, drejt barazisë dhe të drejtave të njeriut për këtë mirëqenie, për paqe e harmoni, mbrojtje nga ndotja dhe nga kriminaliteti janë përparësi e pa kundërshtueshme e këtij qindvjeçari. Për të ecur krahas me të tjerët, duhet detyrimisht të ngremë nivelin e arsimit të përgjithshëm nëpërmjet të cilit do të arrimë qëndrueshmëri dhe hegjemoni përballë sfidave të cilat ia sollëm vetvetes këtyre viteve të demokracisë ku edhe shkeljen drastike të drejtave tona, e quajmë sukses, dukuri kjo e mbjellë në të gjitha shtresat e shoqërisë aktuale. Mungesa e dëshirës dhe guximit të intelektualëve është një degradim i veçantë në hapësirën politike dhe kulturore. Ata i gjejmë zakonisht duke sulmuar apo mbrojtur individë në planin atdhetarë-tradhtarë, e dhënë që çon vetëm në përçarje dhe degjenerim të kësaj kulture të paktë demokratike që kemi arritur ta ruajmë dhe kultivojmë. Intelektualët dhe pjesa e madhe e qytetarit shqiptar ndeji me duar në xhepa kur “elita” politike në Kosovë i filloi dhe po i vazhdon negociatat po ashtu me duar në xhepa; pa agjendë, pa rend, pa shtetësi dhe pse mos të thuhet: edhe pa dinjitet. Nga këtu, nuk është çudi që Europa të cilën e lakmojmë pa pasur as njohurinë më të vogël pse, burgos jo vetëm fytyrat tona kombëtare por edhe tërë Kosovën, natyrisht me përjashtim anësor për etninë serbe e cila në përgjithësi absolute, kanë pasaporta të Serbisë dhe andaj lëvizin lirshëm.

Por krejt këto, nuk dimë e nuk duam apo ndoshta kënaqemi me thërrmija dhe votojmë, votojmë, dhe votojmë: filiformët politikë!

Intelektualë të të gjitha trojeve tona, bashkohuni në gjumë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat