Këto janë pasojat e tradhtisë kombëtare

Opinione

Këto janë pasojat e tradhtisë kombëtare

Nga: Eshref Ymeri Më: 13 janar 2017 Në ora: 14:57
Eshref Ymeri

Në faqen e internetit, lexova analizën e Profesorit Flori Bruqi me titull: “Kush po i mundëson muret ndarëse si dhe enklavizon Kosovën?”.

Kësaj pyetjeje të Profesorit Flori Bruqi mund t’i përgjigjesh fare thjesht:

Muret ndarëse në Kosovë dhe enklavizimin e saj e ka mundësuar dhe vazhdon ta mundësojë vetëm tradhtia e klasës politike të Prishtinës, me në krye presidentin Thaçi dhe kryeministrin Mustafa. Kjo po ndodh për arsyen e thjeshtë se këta dy individë antikombëtarë po ndjekin me zell rrugën e tradhtarit Enver Hoxha, e cili u përzgjodh nga Beogradi për ta vënë Shqipërinë nën sundimin e shovinizmit serb.

Tradhtimi dhe braktisja e Kosovës filloi që asokohe kur klasa politike e Prishtinës, si një formacion i pështirë antikombëtar, ra në bark para Perëndimit evropian dhe pranoi të hynte në bisedime me një shtet kriminal, si Serbia, së cilës Brukseli, së pari, asnjëherë nuk i kërkoi me këmbëngulje që ajo të dilte me një pendesë publike për të gjitha krimet që kishte kryer në Kosovë dhe, së dyti, për ta njohur menjëherë pavarësinë e saj. Sepse Serbia, duke pasur parasysh krimet, masakrat e rënda dhe shkatërrimet e paimagjinueshme që i kishte shkaktuar Kosovës gjatë luftës, pas arrestimit të Millosheviçit dhe dërgimit të tij në Tribunalin e Hagës, menjëherë duhej të dilte me një pendesë publike, me këmbënguljen e Prishtinës dhe, siç thotë Ismail Kadarea, duhej ta njihte e para pavarësinë e Kosovës. Por Serbia kriminale nuk bëri as njërën, as tjetrën, sepse fill pas luftës, siç ka pasë deklaruar më 16 prill 2011 ish-shefi i UNMIK-ut Lamberto Zanieri, “…pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë”. Dhe kjo “një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare” ishte pikërisht Perëndimi evropian, me në krye Parisin zyrtar. Perëndimi evropian domosdo që pas luftës do të merrte anën e Serbisë, sepse edhe më herët ai nuk kishte qenë dakord për bombardimin e Serbisë, por i kishte zënë rrota bishtin nga vendosmëria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe sidomos e Presidentit Klinton për ndëshkimin e shovinizmit gjakatar serb.

Duke pranuar të hynte në bisedime me Serbinë, nën diktatin e Brukselit, klasa politike e Prishtinës dhe konkretisht mercenarët e Beogradit Thaçi dhe Mustafa, përsëri ndoqën rrugën e Enver Hoxhës, që ishte rruga e nënshtrimit para grekosllavizmit: Enver Hoxha, më 08 maj 1971, pranoi me përunjësi të lidhte marrëdhënie diplomatike me Greqinë, e cila kishte në fuqi ligjin e luftës, duke i krijuar kushte shovinizmit grekokaragjoz të tallet me Republikën e Shqipërisë deri sot e kësaj dite. Duke hyrë në bisedime me Serbinë, e cila Kosovën nuk e njeh si shtet, Thaçi dhe Mustafa i krijuan kushte shovinizmit serb që ai të tallet dhe ta poshtërojë Kosovën sipas orekseve të veta shoviniste, sepse ka në shpinë Perëndimin evropian, mikun tradicional të Serbisë dhe armikun tradicional të kombit shqiptar, të cilit trojet etnike, nën diktatin e shovinizmit rusomadh, ia copëtoi në një mënyrë aq barbare, duke filluar nga Kongresi famëkeq i Berlinit i vitit 1878 dhe deri te Konferenca edhe më famëkeqe e Londrës e vitit 1913.

Profesor Flori Bruqi shkruan:

“Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, ka bërë gati versionin përfundimtar të platformës së tij për Kosovën, apo, siç thuhet, krahinën jugore”. 

Domosdo. Shovinisti Tomislav Nikoliç, bashkëpunëtori i ngushtë i kriminelit Millosheviç, nuk mund të veprojë ndryshe, sepse subjektin politik “Republika e Kosovës” ai e konsideron krejtësisht të paqenë. Ai vazhdon ta konsiderojë atë thjesht si një krahinë jugore të Serbisë. Dhe sigurisht që ai nuk mund të veprojë ndryshe, sepse për shqiptarët ai ka po atë bindje të patundur që ka për ta edhe Perëndimi evropian, se shqiptarët janë mendjelehtë, siç i pati etiketuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, admirali Gregori Xhonson, kur në vitin 2001 i pati bindur autoritetet e qeverisë së Shkupit se nuk mund ta fitonin luftën kundër shqiptarëve, por mund ta ruanin shtetin e tyre, nëse do të nënshkruanin një marrëveshje, e cila do t’i joshte shqiptarët mendjelehtë. Por mendjelehtësia në politikë s’është gjë tjetër, veçse tradhti kombëtare.

Në analizën e vet, Profesori Flori Bruqi shkruan diku më poshtë:

“UNMIK-u dhe EULEX-i dështuan në vendosjen e rendit, në sundimin e ligjit...”.

Jo, i nderuar Profesor Flori. UNMIK-u dhe EULEX-i nuk kanë dështuar absolutisht në Kosovë. Sepse misioni i tyre i vërtetë [në heshtje] nuk ishte vendosja e rendit dhe sundimi i ligjit. Misioni i tyre ishte vetëm mbrojtja e interesave të pakicës kriminale serbe, e cila gjatë luftës shërbeu si mbështetje kryesore e bandave kriminale të Arkanit, të Sheshelit dhe të Millosheviçit për masakrimin e popullit shqiptar të Kosovës. As që mund të mendohet që këto dy struktura, të dërguara nga Perëndimi evropian, të kishin dëshirë të vendosnin rendin dhe të siguronin sundimin e ligjit në Kosovë. Kurrën e kurrës.

Në fund të analizës së vet, Profesori Flori Bruqi lëshon një thirrje dëshpëruese:

“Veteranë, nëse, vërtet, jeni të tillë, mos bëni veprime të nxituara, sepse sot i turpëroni fëmijët, nesër do të jeni të turpëruar para fëmijëve tuaj”.

Nuk besoj se Profesor Flori e ka fjalën për ata veteranë të “luftës”, të cilët dje, gjatë zhvillimit të betejave, rrinin strukur në shërbim të Serbisë apo zdërhalleshin nëpër hotelet Tiranës apo të Sarandës. Ai, besoj, e ka fjalën për ata veteranë të vërtetë të luftës, të cilët, me përkrahjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes bombardimeve të NATO-s, u ndeshën ballë për ballë me agresorët serbë në krejt territorin e Kosovës. Por këta veteranë, pas luftës, u lanë në mëshirën e fatit dhe u braktisën tërësisht në varfërinë e tyre nga klika tradhtare e Thaçit dhe e Mustafës, e cila shpërtheu në heshtje luftën civile, duke vrarë pas shpine sa e sa luftëtarë që gjatë luftës dhe pas përfundimit të saj. A ka menduar ndokush në Kosovë se kush i vrau ata luftëtarë, numri i të cilëve, sipas të dhënave, të botuara në faqet e internetit, e ka kaluar shifrën prej 1800 syresh?

Në varfërinë ku i ka katandisur banda e Thaçit dhe e Mustafës, veteranët e vërtetë të asaj lufte sot nuk kanë asgjë në dorë për të ndalur turrin e tradhtisë së kësaj bande, e cila shovinizmit gjakatar serb ia ka hapur dyert kat e kat për krijimin e bashkësisë së komunave serbe, për ndarjen faktike të Mitrovicës së Veriut me murin që është ngritur atje, për ndërtimin e hekurudhës Beograd-Mitrovicë, me pikësynimin final krijimin e një mikroshteti serb në territorin e Kosovës.

Unë e ftoj Profesorin e nderuar Flori Bruqi të hedhë në faqet e internetit një analizë me titull:

“Cila është arsyeja që, pas 08 nëntorit 1941, nga radhët e popullit shqiptar dalin në krye të politikës vetëm politikanë mercenarë, tradhtarë të kombit, në shërbim të grekosllavizmit, servilë shëmbullorë të Perëndimit evropian?”

Ç’është kjo fatkeqësi që e ka goditur kombin shqiptar? Ku e ka burimin kjo fatkeqësi e mynxyrshme? Të jetë vallë mallkim hyjnor se shqiptarët nuk e duan njëri-tjetrin, prandaj edhe grekosllavizmi dhe Perëndimi evropian tallen me ne, duke na konsideruar si parcelë eksperimentale?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat