Tren i bukur-modern rus, por me përmbajtje çetniko-nazifashiste serbe, nuk kalon në Kosovë!

Opinione

Tren i bukur-modern rus, por me përmbajtje çetniko-nazifashiste serbe, nuk kalon në Kosovë!

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 15 janar 2017 Në ora: 17:54
Prof.Dr.Mehdi Hyseni

Nuk kanë thënë kot etërit tanë të urtë :” Qeni i keq, ta sjellë ujkun në torishtë”.

Duke qenë se Kosova është shtet i pavarur ( i njohur nga 113 shtete të OKB-së), atëherë,  Beogradi zyrtar, duhet ta ketë më se të qartë, se  trenat dhe aeroplanët e Serbisë dhe të Rusisë mund  do të arrijnë në Kosovë, vetëm atëherë, kur Moska dhe  Beogradi ta njohin Republikën e Kosovës. Ndryshe, jo, pavarësisht nga  premtimet dhe nga  koncesionet  politike të bëra nga “Trojka”: Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Edita Tahiri në procesin e Dialogut të Brukselit (2011-2017).

Treni serbo-rus Beograd-Mitrovicë (1401.2017) nuk pati fatin të arrinte në destiancion e fundit në Kosovë, sepse ata që e planifikuan dhe e vunë në qarkullim pas 18 vitesh, edhe e ndaluan në stacionin hekurudhor të Rashkës nga frika se, do të përjetonte avari “terroriste” nga shqiptarët, para se të arrinte në Mitrovicë.
 
“Dhurata” serbo-ruse nuk arriti në duart  e dialoguesve kosovarë me Beogradin, sepse patën frikë nga populli!
 
S’ka dyshim se, treni special serbo-rus me bagazh  çetniko-fashist antishqiptar i Slobodan Milosheviqit-Tomislav Nikoliqit-Aleksandar Vuçiqit-Milan Gjuriqit-Ivica Daçiqit-Vojislav Sheshelit-Mirsolav Llazanksit-Milovan Drecunit… etj., i cili, në mëngjesin e 14 dhjetorit 2017, niset nga Beogradi për të arritur në Mitrovicën e Kosovës,  ishte “dhuratë” konkrete speciale, e destinuar për   Hashim Thaçin, për Edita Tahirin, për Isa Mustafën dhe për Enver Hoxhajn, të cilët kanë meritat kryesore për hapjen dhe për zhvillimin e dialogut me Serbinë në Bruksel (2011-2017) sipas Planit Gjashtë Pikësh të  Vuk Jeremiqit (ish-ministër i Jashtëm i Serbisë), të miratuar edhe nga  qeveria dhe nga parlamenti i Kosovës, e më pas edhe nga Ban Ki Moon-i (ish-sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara), sepse ishte me bazë të Rezolutës 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara, e cila, ashtu sikurse qeveria dhe kushtetuta e Serbisë (2006) nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
 
Kjo ishte arsyeja kryesore e fillimit të Dialogut famëkeq në Bruksel (2011) mes palës serbe dhe asaj kosovare, JO kurrfarë  “dialogu teknik”, as i  “normalizimit” të marrëdhënieve me Serbinë e as i “njohjes de fakto dhe de jure të Kosovës nga ana e Beogradit zyrtar”.

Të pezullohet dialogu me Serbinë!

Nëse duam t’i parandalojmë trenat e paralajmërimit të vdekjes së shqiptarëve me flamuj të nacionalizmit shovinist serbomadh të Slobodan Milosheviqit, që të mos hyjnë në Kosovë, sikurse në vitet 1987-1999, atëherë, pezulloni çdo dialog me Beogradin, sepse, nesër do të bëhet vonë. Lufta do të jetë e pashmangshme mes Kosovës dhe Serbisë.

-Hëpërhë, më 14 janar të këtij viti,  “treni special serbo-rus” Beograd-Mitrovicë u ndalua në Rashkë ngase qeveria e Kosovës së Isa Mustafës mori vendimin e drejtë në përputhje me ligjin dhe me Kushtetutën e Kosovës, që ai të mos qarkullonte më tutje në drejtim të kufirit të Kosovës.  Për fat të mirë, këtë vendim të prerë të qeverisë së Kosovës, kryeministri  i qeverisë së Serbisë e kuptoi drejt, në momentin e duhur, dhe urdhëroi, që  “treni provokues” (dallendyshja e parë e paralajmërimit të luftës së Serbisë kundër Kosovës), të përfundnte udhëtimin e tij në stacionin hekurudhor të Rashkës brenda Serbisë
 
Mirëpo, ky kompromis, nuk do të thotë, edhe zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi. Përkundrazi, ky provokim  “ i papritur”, tanimë, paralajmërom hapjen e një konflikti të  ri  të armatosur  mes Serbisë dhe Kosovës.  Ndryshe, kokë më vete, pa pëlqimin e palës shqiptare, qeveria e Aleksandar Vuçiqit, nuk do të niste një tren të tillë  për të hyrë në territorin e Kosovës, me qëllim që qeverisë dhe shqiptarëve të Kosovës, t’u tregonin, ja shikoni përmbajtjen e brendshme dhe të jashtme të këtij treni të “stolisur” me kisha, me ikona, me car llazara, me kërcënime dhe me paralajmërime  të  Slobodan Milosheviqit, se  “Kosova është serbe”.
 
Kjo është prapavija e dialogimit me Beogradin, jo kurrfarë normalizimi i marrëdhënieve ndërshtetërore. Ky është  vetëm një bllof për t’i mashtruar shqiptarët dhe Evropën ngase ai farë “dialogu historik” është në funksion të mohimit të lirisë, të pavarësisë dhe të sovranitetit të Republikës së Kosovës, duke qenë se “platforma” e tij politike dhe juridike është zbatimi dhe respektimi i Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, që nuk e njeh shtetin e pavarur të Kosovës (17 shkurt 2008).
 
Ia vlen të theksojmë se, as në aspektin politik, as diplomatik, as de fakto e de jure, pas pavarësimit të Kosovës (17.II. 2008) nuk ka kurrfarë kuptimi dialogimi me Serbinë në frymën e Rezolutës 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara, sepse është e pavlefshme-nul për Kosovën dhe për të gjitha ato shtete, që e kanë njohur Kosovën (113).
 
Prandaj, ikni nga “zona e kuqe” e rrezikut të Serbisë kolonialiste dhe neokolonialiste! Ndaloni  dialogun, jo trenin, se ai është pjellë e keqe e dialogut. Nëse ndërpritet dialogu  i Brukselit, atëherë, do të marrin fund edhe problemet me Serbinë. Kështu, do të vinte në shprehje detyrimi i Serbisë, që ta përshpejtonte procesin e njohjes së Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Serbia, derisa  t’i realizojë objektivat e saj për rikthimin e saj në Kosovë, do të vazhdojë me  provokimin e incidenteve dhe  të konfliktave të saj, duke atakuar sovranitetin territorial të Kosovës, ashtu sikurse provoi me  rivendosjen  në funksionim të vijës hekurudhore Beograd-Mitrovicë, duke vën në qarkullim  trenin modern rus, më 14 janar 2017.

Dialogu hap  vijat e hekurudhore dhe ajrore, që trenat dhe aeroplanët e Serbisë, të ripushtojnë Kosovën, ashtu sikurse qindra autobusë dhe kamionë Beograd-Prishtinë (2000-2017).
 
Po qe se nuk ndërpritet Dialogu i Brukselit (2011-2017), Kosova  (në afat të gjatë) nuk mund të pengojë asnjë tren, asnjë autobus, asnjë kamion dhe asnjë  aeroplan nga Beogradi për në Kosovë, sepse  Serbia dhe Kosova, tanimë janë partnerë  bashkëpunues dhe pretendues për të aderuar në BE. Me një fjalë kanë pranuar obligimet e bashkëpunimit dhe të integrimit rajonal dhe evropian sipas kritereve dhe standardeve të BE-së. Kështuqë, as Serbia e as Kosova nuk mund ta pengojnë njëra-tjetrën, kur është fjala për qarkullimin e  lirë të kapitalit, të tregtisë dhe të lëvizjes së lirë të njerëzëve, sepse  këto standarde janë alfa dhe e omega  respektimit të drejtave dhe lirive të njeriut.
 
Të  dy kryeministrat: Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq parandaluan shpërthimin e konfliktit të armatosur mes Kosovës dhe Serbisë, duke ndaluar trenin provokues  serb në Rashkë!
 
Këtë vendim të drejtë të  tyre, duhet përshëndetur si Prishtina, ashtu edhe Beogradi zyrtar, sepse  është në interesin e përbashkët të ruajtjes së paqes  mes Kosovës dhe Serbisë.
 
Në veçanti, duhet  çmuar vendimin e kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, që ka urdhër ndalimin e trenit serb në Rashkë, duke kuptuar seriozisht paralajmërimin e qeverisë së Kosovës, se treni i tij provokues  dhe  i dekoruar me ikona religjioze, me kisha,  me manastire, me flamuj dhe me mesazhe kërcënuese nacionalshoviniste, raciste, segreguese dhe kolonizuese, të shkruara  në disa gjuhë të huaja, se “Kosova është Serbi”, nuk ka asnjë shans, që të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës.
 
Si rrjedhim, që të mos përsëriten provokimet e tilla mes Serbisë dhe Kosovës, që tani, qeveritë e këtyre dy shteteve, duhet të braktisin Dialogun e filluar në Bruksel, sepse  ai është fallso, nuk ka të bëjë as me normalizimin e marrëdhënive mes dy shteteve të theksuara e as me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Së fundi, këtë e dëshmoi edhe  vënia në qarkullim e  trenit modern rus-Beograd- Mitrovicë (14 janar 2017).

Nëse Beogradi zyrtar dëshiron që trenat e Serbisë, të arrijnë në: Mitrovicë, Fushë-Kosovë, Pejë, Prizren, Ferizaj e Kaçanik, së PARI, duhet ta njohë Republikën e Kosovës.

Pa përmbushjen e këtij kushti,  lidershipi i Kosovës, nuk duhet të lejojë kurrfarë “treni”, apo “aeroplani” të Serbisë  në Kosovë ngaqë kjo do të ishte cenim direkt dhe indirekt i sovranitetit terrirotorial dhe shtetëror  të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat