Dekada e megavdekjeve

Opinione

Dekada e megavdekjeve

Nga: Ridvan Emini Më: 16 janar 2017 Në ora: 00:16
Ridvan Emini

Nuk është mese e nevojshme të japësh pasqyrën dhe kronikën e detajuar të evidencës së përgjakshme të vdekjeve masive të kësaj dekade apo edhe të dekadës së kaluar, e cila ka qenë përkatësisht është e një niveli përtej aftësisë njerëzore për ta rrokur dhe përjetuar shpirtërisht. Mirëpo, kuptimi i kësaj dekade vije vetëm atëherë kur kemi një pasqyrë të qartë statistikore sa i përket numrit, kombësisë, gjinisë, religjionit apo sekteve të të vdekurve. Vdekjet të cilat janë të motivuara politikisht përbënë një pikënisje të nevojshme për përkufizimin e kuptimit dhe të trashëgimisë së këtij shekulli thoshte Berzhezhinski, dhe se një gjë të tillë e quante megavdekje.

Edhe përgjatë dekadave të tjera kishte gjakderdhje të shumta, mirëpo përmasat e gjakderdhjes në Siri, Irak, Libi dhe Afganistan, janë të pashembullta. Ajo çfarë ndodhi me të ashtuquajturën ‘pranvera arabe’ ; në Egjipt, Tunis, Libi dhe vende të tjera, e që kulmoi në Siri, në shikim të parë duket se ka të bëjë me një përplasje për liri, pushtet, përkatësisht përplasje sektare, mirëpo kjo përplasje është shumë më shumë se kaq.

Kjo përplasje në këto vende e veçanërisht në Irak dhe Siri, mund të themi se ka prodhuar dhunimin më masiv të të drejtave të njeriut, por për më tepër ka nxjerr në pah marrëzinë më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare. Përplasja e dy poleve ekstreme të politikës ndërkombëtare, shpërtheu kësaj radhe pikërisht në ‘pranverën arabe’ në Siri.

Regjimi totalitar i Assadit, duke mos zgjedhur mjete, tentoi të fundos me të gjithë kapacitetet e tija ushtarake dhe policore këtë lëvizje, e cila në thelb ishte një vazhdimësi e kësaj fryme e cila kishte ndodhur edhe në vendet e tjera arabe përreth. Por, kjo lëvizje gjeti një përkrahje nga një numër i caktuar shtetesh. Në fillim u përkrah, mirëpo në ndërkohë kjo lëvizje degjeneroi, përkatësisht fraksione të caktuara ushtarake u ndanë nga Ushtria e Lirë Siriane. Regjimi i Assadit vazhdoi ta ketë përkrahjen e Rusisë, ndërsa Ushtria e Lirë Siriane gjeti përkrahje nga Perëndimi, mirëpo kjo përkrahje asnjëherë nuk erdhi fuqishëm, kurse fraksionet e tjera islamike gjetën përkrahje nga militant të shumtë nga Evropa dhe Magrebi kryesisht, por edhe nga shtet të caktuara, të cilat nuk deklarohen publikisht.

 Përplasja e superfuqive në vende të treta, çdoherë ka prodhuar luftë të pakuptimtë, pasi që ajo prodhon viktima të mëdha të civilëve. Mirëpo, ajo çfarë mund të shohim në këtë luftë të përgjakshme është se, në këtë luftë përveç se janë të përfshira fuqitë e mëdha botërore, disa në mënyrë direkte e disa në mënyrë indirekte, atje është edhe luftë civile, ndërsa kjo luftë civile në Siri kishte filluar në mars të vitit 2011. Në fraksionet e ndara nga Ushtria e Lirë Siriane numëronin shumë militant të huaj në aradhet e tyre, por edhe vet Ushtria e Lirë Siriane.

Një Libi e fragmentuar, një Irak i fragmentuar dhe një Siri e fragmentuar, pa dyshim se është shëmbëlltyra e brezit të ri të përplasjeve, dhe fragmentimi i tyre është interes për superfuqitë, pasi që ato intervenojnë si politikisht ashtu edhe ushtarakisht në këto shtete, në mënyrë që të arrihet synimi i vetëm, që të kenë nën kontroll më të plotë dhe njëkohësisht të mos kenë fuqi që mund t’i kundërvihen atyre në një formë apo në një tjetër, ndërsa viktimat civile, do të mbesin si të tilla pa dhënë përgjegjësi ndokush për to, pavarësisht se mund të hapen procese gjyqësore pasluftës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat