Walker, Luta dhe Lugina…

Opinione

Walker, Luta dhe Lugina…

Nga: Sevdail Hyseni Më: 17 janar 2017 Në ora: 13:24
Wiliam Walker shpallet 'Qytetar nderi' në Gjilan

Gjilani, qendër e Anamoravës në Kosovë, që kufizohet në lindje me Luginën e Preshevës, kohëve të fundit, ka treguar mirësinë e takimeve të liderëve institucionalë ndërkufitarë e ndër-rajonalë.

Nikoqiri i takimeve ndërinstitucionale, Lutfi Haziri, është i njohur për iniciativën e vitit 2013, rreth një Rezolute të miratuar në Parlamentin e Kosovës, për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Luta e Rezoluta”, siç shkruanin mediet e asaj kohe, për krijimin e një fondi zhvillimor për Luginën e Preshevës, ndonëse mbeti vetëm në letër, në nivel qendror, por jo edhe në atë lokal. Në Gjilan, u jap zyra për shqiptarët e Luginës së Preshevës, përmes së cilës qeverisja lokale Gjilanit, është më afër zhvillimeve në Luginë dhe më afër problemeve të qytetarëve të zhvendosur nga Malësia e Bujanocit e Preshevës, në Anamoravë.

Pas një varg takimesh të ndërmjetësuara nga Lutfi Haziri, me kreun e Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, pasoi edhe ky i fundit, me Wiliam Walker, ish ambasador i OSBE-së për Kosovë dhe njeri historik i internacionalizimit të masakrës së Reçakut, nga barbaritë serbe.

Walker, në pamundësi për ta vizituar Luginën e Preshevës, e gjeti Gjilanin, vend të përtashëm për të takuar liderët institucionalë të Luginës së Preshevës. Ai, ishte jetësisht i interesuar për të mësuar nga afër për gjendjen e shqiptarëve, që jetojnë në Luginë, për kushtet e rrethanat në të cilat ndodhen, si dhe për trajtimin e tyre nga shteti i Serbisë, ku jetojnë dhe veprojnë si komunitet autokton në viset e tyre etnike: Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

“Pasi ka qenë e pamundur, që unë të vizitoj përfaqësuesit shqiptarë në Luginën e Preshevës, udhëheqësit e atyre komunave, sot, po i takoj në Gjilan. Nga përvoja, që kam me politikën serbe, kam vetëm një porosi, që njeriu duhet të ketë shumë kujdes kur dialogun dhe për çfarëdo marrëveshje me Serbinë. Unë, dikur kam pasur të bëjë me një Serbi të udhëhequr nga Milosheviqi, gjërat kanë mundur të ndryshojnë, por, këshilloj të gjitha palët që kanë punë me Serbinë – Beogradin, në marrëveshje me ta, thjeshtë të bëjnë shumë kujdes. Mirëpo, duhet nënvizuar se dialogu përherë është i nevojshëm dhe i domosdoshëm”, ka thënë Walker, pas takimit me kryetarët dhe përfaqësuesit e Komunave të Luginës e Preshevës.

“E njëjta vlen edhe për shtetin e politikën e Kosovës, në dialog me Serbinë duhet kujdes, sepse Serbia është e tillë që në një anë dialogon, ndërsa në anën tjetër dërgon provokime, si puna e trenit këtyre ditëve”, ka thënë ambasadori, duke potencuar që, ai, prej kohësh është i padëshiruar të vizitoj shtetin e Serbisë.

Delegacioni nga Lugina e Preshevës, nga afër e njoftoi ish ambasadori Walker, për hallet dhe problemet me të cilat po ballafaqohen për ditë shqiptarët e këtij rajoni, nga diskriminimi sistematik i Beogradit, duke kërkuar një mbështetje më të fuqishme të Prishtinës, Tiranës dhe bashkësisë ndërkombëtare, për shqiptarët në Serbi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat