Treni i dështimit serb

Opinione

Treni i dështimit serb

Nga: Adea Hasi Më: 17 janar 2017 Në ora: 20:53
Adea Hasi

Tri- katër ditet e fundit cështja më e përfolur në media por gjithashtu edhe cështje shumë preokupuese për gjithë ne është treni serb me linjën  nga Beogradi në pjesën e Mitrovicës Veriore.

Mirëpo, cka tërhoqi vëmendjen ishte qëllimi provokues që ky tren përmbante. Në të shkruhej “Kosova është Serbi” në 21 gjuhë të botës, përfshirë edhe gjuhën shqipe.

Përderisa me vite mbahen dialogje dhe takime për stabilizimin e marëdhënieve Kosovw-Serbi, ky tren është një nga dëshmitë e rradhës se marëdhëniet tona me këtë shtet nuk kanë dhe nuk do kenë rrugë përmirësimi.

Kjo është shumë e dukshme derisa shteti tjetër inicues i këtij provokimi ende nuk e pranon faktin se jemi të pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht dhe ende vazhdon me ato politikat agresive dhe të dhunshme.

Mirëpo, duhet theksuar fakti se disa ndërrime dhe ngjarje të paparashikueshme që ndodhën në politikën ndërkombëtare i dhanë kurajo dhe guxim Serbisë që të vazhdonte tutje dhe të shfaqte edhe më haptas tendencat e saja nacionaliste.

Ky tren përveq mbishkrimit që dukej qartazi, brenda kishte imazhe të kishës ortodokse serbe  dhe të ikonave fetare, të manastireve dhe manifestim të ngjyrave të flamurit serb.

Sic dihet, ky tren është ndaluar nga forcat speciale kosovare. Kjo sepse nuk mundet aq lirshëm të lejohet hyrja e një objekti që mban të shënuar dicka që ne me vite kemi luftuar për të mos e lejuar të ndodhë. Nese ai tren do depërtonte do ishte një shkelje gjigante e identitetit dhe dinjitetit tonë të pastër. Gjithë këto vite që nga shpallja e pavarësisë kemi negociuar me një shtet që ka synuar të na shkatërrojë, të na asgjësojë, kemi pranuar kushte të ndryshme, kemi qenë paqësorë dhe krejt cka kemi dashur ka qenë vetëm ruajtja e tërësisë sonë dhe shfaqje e stabilitetit. Mirëpo, kjo s’do të thotë përgjithmonë në do jemi tolerantë, kjo s’do të thotë se nuk duhet t’i dalim zot vendit.

Ky veprim i Serbisë përbën shkelje të sovranitetit tonë dhe dalëngadalë kjo situatë që edhe ka mundur të eskalojë përbën një kërcënim të paqes dhe stabilitetit në Ballkan, duke mos harruar të përmendet edhe rasti i z.Haradinaj në Francë.

Kjo cështje sigurisht që është adresuar edhe në Bruksel. Serbia synon anëtarësim nw Bashkim Evropian  njejtë sikur edhe ne, por qëndron shumë më lart se ne në skemen e anëtarësimit.

Por,  përderisa i vazhdon politikat e saja posesive, të dhunshme dhe provokuese duhet të përshendetet me idenë e  anëtarësisë edhe për një kohë të gjatë.

Kohët e fundit shihen marëdhënie jo të kënaqshme të Serbisë edhe me vendet tjera fqinje, situata që i atribohen influencës ruse.

Krejt cka dua të përmbledh është se jemi në situatë konflikti më një shtet që udhëhiqet nga politika që nuk i takojnë një Evrope të zhvilluar, të solidarizuar dhe të udhëhequr nga parime demokratike. Prandaj, nuk duhet të lëshojmë nga dora asgjë që na takon ose të pranojmë kushte që nuk ka konvenojnë. Të mësojmë t’i dalim zot vetes shumë më tepër sepse kjo nuk do na bënte të dukeshim destabilizues në sy të Bashkimit Evropian por do na vlerësonin edhe më tepër.

Të mësojmë që kur duhet vepruar atëherë të veprojmë e jo t’i lëmë gjërat të rrjedhin në favor të tjetër kujt e pastaj të mbështetemi për ndihmë aty ku ne mendojmë se janë të gatshëm të na ndihmojnë. Duhet ditur një parim në politikën e sotme, bile parim udhëheqës: Kurrë s’duhet të mendojmë se ky shtet na don ose ai tjetri, politika nuk udhëheqet nga dashuria por nga interesat vetjake. Ta duam veten dhe të mendojmë qartazi se si cdo situatë ta kthejmë në favor tonin.

Unë shpresoj shumë që më të mos përseriten incidente të tilla por duke ditur se me cfarë shteti kemi punë sigurisht që ky rast s’do jetë i fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat