Sulmi, mjeti më i mirë i mbrojtjes…

Opinione

Sulmi, mjeti më i mirë i mbrojtjes…

Nga: Sevdail Hyseni Më: 19 janar 2017 Në ora: 08:06
Ilustrim

Ish kryetari në ikje, i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, drejtues i Partisë Demokratike në opozitë, paska vendosur të flas, të premten në mbrëmje në emisionin “Aktualiteti”, në Radio Televizionin e Bujanocit.

E ka zgjedhur ish kryetari Arifi, këtë shtëpi informative, dikur ndërmarrje publike e tani pas privatizimit një shoqëri aksionare, me një grusht punëtorësh më tepër zanatlinj se sa gazetarë.

Do të shkoj në RTB, ngase nuk ka ku tjetër të rrëfej për “hakmarrjet politike në Bujanoc, për kohën e “artë”, kur ishte subjekti i tij në pushtet, për shkëputjen e një krahu nga Partia Demokratike” etj.

Merret vesh se kjo intervistë speciale me Nagip Arifin në RTB, vjen pas një varg akuzash mediale ndaj tij, sa ishte kryetar komune në periudhën 2013-2014, për shpërdorim të parasë publike, në emër të shpenzimeve rrugore, mëditjeve zyrtare dhe harxhimeve në fushën e reprezentacionit, në vlerë prej 855.324 dinarë. Nuk dihet në këto harxhime a janë përfshirë edhe të tjerat, që kanë të bëjnë me rrugëtimin në Amerikë, kinse për të lobuar rreth Asociacionit të Komunave të Luginës së Preshevës, i cili u pat themeluar, në qershor të vitit 2015, e që atëherë nuk është përmendur fare?!

Këto shpenzime, të cilat kanë dëmtuar buxhetin e atëhershëm komunal të Bujanocit, kanë qenë jashtë rrogës së majme të ish kryetarit Arifi, në lartësi prej 120.152 dinarë në muaj, pagë, kjo e përafërt me të kryeministrit Vuçiq, e deri diku sa të ardhurat mujore të 10 punëtorëve të kompanive shtetërore “Heba” dhe “Simpo”.

Këto janë arsyet pse ka vendosur të flas në RTB, opozitari Nagip Arifi, kuptohet për të sulmuar pushtetin dhe gjithë armiqtë e tij të jashtëm e të brendshëm, ngase nuk thuhet kot: “Sulmi është mjeti më i mirë i mbrojtjes!”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat