Vizita e Ibrahim Rugovës dhe Rexhep Ismailit në Shqipëri

Opinione

Vizita e Ibrahim Rugovës dhe Rexhep Ismailit në Shqipëri

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 23 janar 2017 Në ora: 14:55
Idriz Zeqiraj

Vitet `70-a të shekullit që lamë, Kosova filloi të frymonte më lirshëm. Demonstratat e vjeshtës të 1968-ës, të prira nga rinia studentore e shkollore, të cilat, turpshëm, i heshti Tirana zyrtare, në ujdi, me marrëveshje më kastën udhëqëse të Kosovës, shënuan disa suksese të pritshme. Në mes tyre ishin hapja e Universitetit të Kosovës; e drejta e përdorimit të Flamurit Kombëtar; Amandamentët Kushtetuese dhe disa të drejta të tjera, të cilat, më parë, ishin "mollë e ndaluar" për shqiptarët e Kosovës.

Në këto të arrira, padyshim, pjesën vetë e kishte edhe rinia studentore e kohës. Në Universitetin e Kosovës, nës të tjerëve, shquheshin studentët Ibrahim Rugova dhe Rexhep Ismaili. Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë si dhe gazeta "Studenti", u bëri ftesë një-javore, në Shqipëri, më 1971, studentëve absolventë Ibrahim Rugova dhe Rexhep Ismaili. 

Drejtori i Institutit në fjalë, Profesor Androkli Kostallari, më ftoi në Institut, më tregoi se "po vijnë Ibrahimi me Rexhepin", por ai po udhëtonte, papritur, për Itali, ke Arbreshët. Prandaj, kërkoi falje, duke më dhënë disa dhurata, kryesisht, botime të Institutit, për studentët mysafirë. Edhe mysafirët më dhanë ca dhurata të majme për profesor Kostallarin, por jo libra. Për shoqërim të studentëve të Kosovës ishin caktuar profesorët Koço Bihiku e Jorgo Bulo, nga Instituti, që të dy ishin pedagogët e mi në Universitetin e Tiranës. ndërsa Mehmet Elezi nga gazeta "Studenti", ish-kryeredaktori i saj, tashmë, gazetar i "Zëri i Popullit".

Në Hotel "Dajti" shkova në mbremje. Nga holli dëgjova një bisedë të zhurmshme. Kurrë se kisha parë Ibrahim Rugovën kaq nervoz në bisedë. Profesor Koço Bihiku ishte grindavec dhe polemist i zëshëm dhe mbronin Kadarenë, Ibrahimi dhe Rexhepi e mbronin Profesor Rexhep Qosjen, i cili kishte demantuar Kadarenë në një shkrim, ku Ismail Kadareja bënte një krahasim paushall se, kinse "letërsia shqiptare ka arritur nivelin e letërsisë evropiane" dhe si shembull konkret kishte cituar Migjenin. 

Qosja kishte reaguar se "letërsia shqiptare nuk ka arritur as stadin ballkanik e lëre më atë evropian". Si duket, Qosja kishte të drejtë, por edhe Kadareja e dinte këtë. Sigurisht, shkrimi ishte bërë me porosi të partisë nga Kadareja, pëndryshe, refuzimi i porosisë të partisë, kushtonte, jo vetëm burg të gjatë, por edhe me jetë.  

Në Shqipëri diktatura dhe varfëria bënin kërdinë. Arrestimet dhe dënimet politike ishin shtuar, ndërsa gjiri i lopëve dhe i nënave-nuse kishte shterruar, njëherësh. Për një litër qumësht, duhej ngritur në ora 4 të mengjezit, për të zënë radhën, për të bredhur nga njëra pikë shitjeje në tjetrën, për ta sigurua, ndoshta? Ndërkohë, propaganda komuniste, më saktë, lehaqene, trumbetonte se Shqipëria është vendi më i begatë në Evropë dhe, kur u prish me Kinën, më i pasuri në botë!! Atëherë, si guxonte Kadareja të mos shkruante edhe për namin e letërsisë shqiptare?!

Rexhep Ismajli ishte idhnak në bisedë dhe unë druaja mos po lëshon fjalë të pamatura dhe mos e arrestonin. Ndërhyra krejt pa takt dhe u thashë djemëve të ngjitemi në dhomën e hotelit. Por, Rexhep Ismailit nuk i pushonte goja. E trashi muhabetin, bisedën, duke thënë se "këta të Shqipërisë janë mësuar me citatet e Maso Ce Dunit dhe të klasikëve të marksizëm-leninizmit, por unë jam gadi të hyj në provim me ta se sa dinë!" Rexhepi ma kujtonte veten time, vite më parë në Kosovë, me shumë energji rinore e krejt i drejtëpërdrejtë.

Përgjimi në hotel "Dajti", ishte i 100 %, i vetmi hotel për pritjen e mysafirëve të huaj, madje edhe me kamera të maskuara, të vendosura në të gjithë hapësirën. I bëra me shenjë Ibrahimit për përgjimin dhe Ai i tha Rexhepit, "unë po e përcjell Idrizin deri ke konvikti". Më erdhi keq pse e lamë Rexhepin vetëm, por Ibrahimi më qetësoi, duke thënë se "ka nevojë për t`u qetësuar pak, për t`u armatosur për debate me këta vëllezërit e Shqipnisë të Vjetër". U lehtësova nga ai ankth, edhepse Rexhepi më pëlqente shumë, sepse ishte shumë luftarak dhe krejt i shpenguar në bisedë.

(Një parantezë: Mysafirët shpesh provokoheshin në Hotel "Dajti". Thoma Mërtiri, kishte emigruar me familjen, si fëmijë 13 vjeçarë, nga Korça në Amerikë. Rridhte nga një familje adhetare korçare. Përgjatë një proteste dhe përleshje, me emigracionin grekë në Nyjork, me rastin e ardhjes të Mehmet Shehut në Sesionin e OKB-së, ia kishin çarë nofullën dhe thyer dhëmbët. Ishte viti 1976, kur Xha Thomai vizitonte, për herë të parë Atdheun. Akomodohet në Hotel "Dajti". Në shërbim e sipër, kamarieri provokon: "Shqipëria është e fortë, ushtria jonë e mundë edhe Amerikën!" "Ah, more bir, (siç shprehej xha Thomai për djalë - shënimi im), uroj të mos bëhet kurrë ajo luftë"! Dhe, mjaftoi ajo pasthirrma "Ah", që mërgimtari Thoma Mërtiri të prangoset dhe të dënohet. me akuzën klishe "agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor". Xha Thomai, 55 vjeçar, nuk e përballoi poshtërimin dhe torturën e diktaturës komuniste, megjithë përkrahjen morale që i jipnim, më të egër në botë dhe vdiq në burgun shqiptar). 

Asaj nate mbetem në përcjellje të njëri-tjetrit, në relacionin "Ura e Lanës" - Fakulteti Historisë dhe i Filologjisë. Kishim kaq mall për të biseduar, sa nuk po e ndjenim shetitjen e ngadalshme dhe qendrimin në këmbë. Ibrahimi më pyeste për gjithçka: studimet, kushtet e jetës. Ai donte të mësonte për jetën e njerëzve me emër, si: Tafil Boletini, Zekirja Rexha, Ahmet Gashi, Selman Riza, Aziz Zhilivoda, Agim Gjakova, Adem Istrefi, Kapllan Resuli, Sadri Ahmetaj dhe disa të tjerëve. 

Ibrahimi dhe Rexhepi kishin vizituar "Qytetin Studenti" në shoqërim të Mehmet Elezit. Ibrahimi kishte kërkuar të vinte, për vizitë, në dhomën time,sepse ishte shumë kureshtar për ta parë bibliotekën time të begatë. Por, Mehmeti kishte mashtruar, duke thënë se "nuk është në dhomë". 

-Do t`i kërkoj llogari pse ka mashtruar, - i thashë unë.

Por, Ibrahimi m`u lut të mos i them, " sepse Mehmeti e di që unë të kam thënë".

Dhe, unë u qetësova, u binda ta heshtë këtë. Hija e asaj nate do të ishte objekt i hetimit dhe i gjykimit tim dy vjet më vonë. Vërtet, asaj nate vura re sa lëvizje, jo të zakonshme për orët e vona të natës. Por, Sigurimi Shqiptar ka shpenzuar shumë në ndjekjen dhe përgjimin, jo vetëm të të huajve, por, edhe të vendorëve.

(Parantezë e dytë: Kam parë komente, të cilat e akuzonin Ambasadorin e Shqipërisë, në Zvicër, Mehmet Elezin, për hafije të Sigurimit Shqiptar. Edhe pse me nofka, kuptohet ato vinin nga komunistët nostalgjikë, të së majtës shqiptare, për faktin se zoti Elezi ishte kuadër i Partisë të Dr. Berishës. Përndryshe, Mehmet Elezin e njoh si student të shkëlqyeshëm dhe malësor të traditës dhe të qytetarisë. Krijimet poetike ishin, kryesisht, për Kosovën dhe ka vuajtur shumë, për ta botuar vëllimin e parë, pikërisht, për arsye të tematikës.

Familja e tij ishte një Kosovë në miniaturë dhe jetonte me hallet e Kosovës. Një nënë, që ruajti, deri në vdekje, veshjen tradicionale të Malësisë; gojëtare e mençur, mikpritëse e fisnike, me djemë të shkolluar. Vërtet, Mehmet Elezi, arriti në disa poste të larta: Sekretar i Parë i Rinisë të Shqipërisë; Kryeredaktor i gazetës qendrore "Zëri i Popullit" e deri këshilltar i të Parit të Partisë dhe të Shtetit - Ramiz Alisë. Nga reja e Enver Hoxhës, Liljana, mësohet se vjehrri i kërkoi një emër për Sekretar të Rinisë dhe ajo tha: "Mendoj se Mehmet Elezi është më i miri për këtë detyrë".

Dhe, Enveri u pajtua me propozimim e së resë, Liljanë, e cila është bërë e famëshme, me kritikat rënda që i ka bërë dhe vazhdon t`i bëjë vjehrrës, Nexhmije Hoxha, duke e akuzuar edhe për tradhti ndaj burrit Hoxhë. Mehmet Elezi i ka justifikuar të gjitha detyrat, postet e marra, qoftë në monizëm, qoftë në pluralizëm. Si Ambasador ka shkëlqyer dhe ka kaluar shumë ditë e netë në veprimtaritë e mërgimtarëve shqiptarë, brenda dhe jashtë Zvicrës. Si studjues, është unik në bërjen e "Fjalorit të Gjuhës Shqipe", duke garuar me një Akademi të tërë, gjithëshqiptare. 

Pse u caktua, pikërisht, gazetari Mehmet Elezi, si i besuar i Sigurmit, për të shoqëruar studentët absolventë të Prishtinës, Ibrahim Rugovën dhe Rexhep Ismailin, kur pak muaj më parë kishte mbaruar studimet dhe ishte larguar edhe nga detyra e Kryeredaktorit të gazetës "Studenti"? Sigurimi shqiptar, ka pasur një armatë prej 265 mijë agjentë të fshehtë, për pak më shumë se dy milionë banorë. Ndërkohë që, Gjermania Lindore, në atë kohë kishte 85 mijë agjentë të fshehtë, me 16 milionë banorë! Shef i Seksionit të Sigurimit, për Inteligjencën e Tiranës, ishte bashkëvendasi i Mehmetit nga Tropoja, Bajram Doçi. Pra, ishte zgjedhje e këtij shefi malësor, i të njëjtës provincë.

Brenda parantezës së dytë, po përmend një debat me shefin e Inteligjencës të Tiranës, Bajram Doçi, i cili na ftoi për këshillim dhe kërcënim, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mua dhe Sadri Tafilaj, nga Lëbusha e Deçanit, atëherë, student i Matematikës në Universitetin e Tiranës, më vonë, i kthyer në Kosovë, i izoluar, i burgosur, i maltretuar në vitin 1989, paskëtaj, deputet i LDK-së në Legjislaturën e Parë të Parlamentit të Kosovës. Shefi Doçi na tha prerazi se "nuk duhet të takoheni me kosovarët, të cilët vizitojnë Shqipërinë".

Sadriu i dha një leksion Shefit, duke i kujtuar se "Shqipëria, aq sa është e juaja, po aq është edhe e jona, e shqiptarëve të Kosovës, duke ia numëruar kontribuesit për Pavarsinë e Shqipërisë, si Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Isa Boletinin, Idriz Seferin me shokë". Debatuam ashpër, Sadriu u tregua më trim se unë, por shpejt shpërtheu në vaj të zëshëm. Unë, i prekur nga vaji i Sadriut, i cili ishte edhe djalë hasreti, djalë dëshiri, siç thonë vëllezërit tanë jugorë ose djalë i memëzi pamë, siç thonë dibranët, u trimërova, duke i thënë shefit tonë Bajram Doçi, se ju i keni hekurat e burgjet, ndësa ne kemi guximin qytetar dhe do t`i takojmë vëllezërit tanë nga Kosova dhe Mërgata, sa herë që do të mësojmë adhjen e tyre në Tiranë. Dhe, vërtet, e mbajta fjalën deri sa u prangosa. Ndërsa, Sadri Tafilajn e emëruan mësimdhënës në Përmet, kufi me Greqinë, me qëllim, që, nëse provon arratisjen, t`i japin plumb).

Shefi im i rreptë i dikurshëm, tani, jeton në Durrës dhe është miku im i mirë. E kaluar dhe e harruar, - siç thonë korçarët tanë. U zgjata në këtë rrëfim, për të dëshmuar se Mehmet Elezi, duke qenë në shoqërim zyrtar të studentëve Ibrahim Rugova dhe Rexhep Ismaili, ka qenë i porositur nga shefi ynë i përbashkët, Bajram Doçi, që të shmangë çfarëdo takimi me emigracionin kosovarë në Tiranë dhe Shqipëri.

Pra, e them me bindje se ai kurrë nuk ka qenë hafije i Sigurimit Shqiptar.Proceseve demokratike, pluralizmit politik, diplomati i ardhshëm, Mehmet Elezi, i është përgjigjur pa hamendje, duke bërë rrjeshtimin e duhur - djathtas, përkrah Azem Hajdarit dhe Dr. Berishës me shokë. Fundja,siç thotë, Abdi Baleta, "edhe dikush nga Veriu duhet të ishte ambasador", kur e akuzonin se i ka shërbyer diktaturës, si Përfaqësues i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bahkuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat