Amerika e Franca, siç e thirren Thaçin në Rambuje, munden ta kthejnë edhe Haradinajn në Prishtinë

Opinione

Amerika e Franca, siç e thirren Thaçin në Rambuje, munden ta kthejnë edhe Haradinajn në Prishtinë

Nga: Ramiz Lushaj Më: 23 janar 2017 Në ora: 18:59
Ramiz Lushaj

1.
Gjeneral Ramush Haradinaj – ish kryeministër i Kosovës, më 12 janar 2017 u lirue me kusht nga drejtësia franceze në Colmar, por e vërteta e fshehtë është krejt ndryshe. Ta themi hapur, botnisht, me kushtrim: ai po mbahet atje si peng e trofe politike i pansllavizmit e aleatëve të tij të vjetër e të rinj.
 
E kjo ka me zgat’ me tepri juridike-politike deri në fund të prillit 2017. Deri pas 9 prillit të Zgjedhjeve Presidenciale në Serbi. E, pse jo, deri pas 23 prillit të Zgjedhjeve Presidenciale në Francë. Ma e pakta tre muaj. Ndoshta edhe ma shumë. Them deri kah qershori 2017.
 
2.
Sigurisht, Franca e sodit në heshtjen e vet dhe me aktin e 4 janarit të sivjetëm, e dinte që po e arrestonte politikanin e ushtarakun e shquar nga Kosova, Ramush Hardinaj, i cili pas kthimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës (tash tre vite) kishte hy e dalë disa herë në këtë vend euro-atlantik, edhe në ditët e Kampionatit Europian të Futbollit në qershor 2016.
 
Aq ma tepër kur zyra kryesore e Interpolit me 190 shtete antare është në Lion të Francës.
 
Po, ndoshta, nuk e arrestuan ma herët, pasi prej katër vitesh, deri në nëntor 2016, Presidente e Interpolit ishte një zonjë franceze, Mireille Ballestrazzi (Ballen) – nga Orange e Francës, e, kësisoj, përgjegjësia e arrestimit dhe e lirimit të tij ishte ma e madhe, e disafishtë, për Francën, sepse Franca ishte pjesmarrëse në Luftën për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës, është një nga shtetet e fuqishme kontributore e Paqes në Kosovë, etj.
 
3.
Ramush Haradinaj u arrestue në Francë edhe për faktin se aty, tashti, nuk kishte ma lider të lartë si ish-Presidenti Nikola Sarkozy, i cili shkoi në një shkollë franceze e vizatoi hartën e shtetit të ri të Kosovës.
 
Sivjet, kandidati i ri për President i Francës, Francois Fillon i Partisë së Sarkozisë (Partia Republikane) ka rivale të fortë Marine Le Penin – kryetaren e Frontit Nacional të Francës, e cila ka pasë tone të ashpra për emigrantët e (pa)ligjshëm shqiptarë në Francë. Për ma tepër, kjo, në javët e fundit të janarit po kryeson në sondazhe me diferencë deri mbi 2 për qind. Gjithashtu, Le Peni po tregohet fort e ashpër ndaj Bashkimit Europian.
Lufta politike në mes këtyre dy rivalëve për President të Francës mund të kapin dhe “Çështjen Haradinaj”, ndaj iu intereson ta lanë në heshtje zgjidhjen e saj, ose të jetë me kushte për politikat ë tyre, për Kosovën e sotme.
 
Ramush Haradinaj ka “dy pranga” në duart e tij: Demarkacionin me Malin e Zi dhe Asosacionin me Serbinë, pasi është kundërshtar i paepur i tyne, sepse janë dy Marrëveshje kundërshqiptare, në dam të interesave kombëtare panshqiptare.

4.
Faktikisht, largimi i Ramush Haradinajt nga Franca mund të bahet vetëm nga fuqi e shtete madhore si Amerika e Presidentit të ri, Donald Trump. Përndryshe, ma saktë, nga vet Presidenti Donald Trump.
 
Ndoshta dhe Gjermania, pasi duket sikur po funksionon boshti Franko-Gjerman i shek. XXI. Po ka diçka tjetër. Gjermania e Merkelit duket e investuar politikisht në Qeverinë e Kosovës, në Qeverinë e Isa Mustafës. Nuk dihet sa ia ka hatrin Ramush Haradinajt.
 
 Kur u mbajt Konferenca e Rambujesë për Kosovën, në shkurt-mars 1999, Hashim Thaçi kërkohej botnisht e ashpërsisht nga Serbia. Donin arrestimin e ekstradimin e tij në Serbi. Ia kërkonin edhe Interpolit. Po Amerika me aleatët e vet e sfidoi Serbinë. Hashim Thaçi shkoi në Kështjellën e Rambujesë me avion të posaçëm. Ishte i paprekshëm, me imunitet, me status të veçantë.
 
Pra, ky urdhër-arresti ndaj Ramush Haradinajt është i shfuqizuar si praktikë shembulli në shkurt-mars 1999 dhe si shembull juridik nga dy gjykimet e Haradinajt në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
 
Pra, Amerika me aleatët e saj (edhe me Francën), ashtu siç e sollën Hashim Thaçin në Kështjellën e Rambujesë mundet me e çue të pafajshmin juridik e politik, gjeneral Ramush Haradinaj – ish kryeministër, në Aeroportin e Prishtinës, në kryeqytetin e Kosovës, në shtëpinë e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat