Rugova, shkëmbimi i trojeve dhe numëratorja e fillores

Opinione

Rugova, shkëmbimi i trojeve dhe numëratorja e fillores

Nga: Reis Mirdita Më: 24 janar 2017 Në ora: 18:12
Reis Mirdita

Fjalë për shkëmbim trojesh në rrafsh kafesh dhe sokakësh ka pasur shumë herët mirëpo ndonjë provë të qartë se kanë ekzistuar të tilla mundësi e që janë shtruar në biseda në mes të njerëzve me ndikim ose vendimmarrës, nuk ka. Nëse po, atëherë duhet kjo të bëhet e njohur së paku për qarqet intelektuale dhe politike në Prishtinë dhe në qendrat tjera mbarë shqiptare. Diçka e thënë nga z. Rexhep Qosja disi nga “lart”, cyti disa reagime banale dhe asgjë të tmerrshme gjer në momentin kur ca bashkëpunëtorë të Dr. Rugovës, e duket nga qielli se iu bashkëngjitën Qosjes por pa pasur guximin e tij, u fshehën pas ish Kryetarit të Republikës, z. Rugova. Sa është lehtë aq edhe e papërgjegjshme dhe e dëmshme mënyra e pohimit të një gjëje të tillë pa përmendur së paku një person të tretë në këtë diskutim “historik” të Dacit e çdo intelektuali ose politikani tjetër shqiptar. Diçka është e sigurt, Rugova në shumë çështje ishte lakonik, e thoshte preras atë që mendonte dhe asnjëherë nuk kishte nevojë për konfident(ë). Së paku kjo është imazhi që ai lente në kohën e vet. Për më shumë, është e tepruar të mendohet se Daci paskësh qenë personi i konfidencës kur dihet se Rugova kishte miq dhe bashkëpunëtorë më të afërt se ai. Mos vallë z.Daci inspirim gjenë tek z. Qosja i cili kishte guximin të shprehë mendimin e vet të papranueshëm për ne por pa asnjë koklavitje metaforash apo sloganesh politikë e propagandistikë. Mos vallë Daci e ca zëra tjerë më të vegjël, gjejnë ndokund ndonjë grimcë inspirimi material, atë nuk di!

Nëse eventualisht LDK përgatitë “terrenin”  për bisedime të tilla duke shti në lojë “thëniet e Rugovës”, gjë që nuk mund të përjashtohet kur dimë manovrat e kreut aktual lëdëkjan që i mbajnë postet shtetërore dhe partiake. Kjo mënyrë e përgatitjes së ithtarëve por edhe e shqiptarëve në përgjithësi, përvijohet me një manipulim jashtëzakonisht të tmerrshëm që prekë tradhtinë e shekullit, andaj duhet të gjithë të jemi syçelë dhe të ndalojmë se paku në këto kushte e lloje bisedimesh me Serbinë, të gjitha mundësitë e hapjes së një teme të ndërrimit të trojeve. Për më tepër kur dihet se trojet që po përfliten janë shqiptare. Kosova ka kaluar edhe nëpër do AVNOJ-a si e tillë (pra me këto kufi), e mos të flasim për banorët e saj nga kohëra shumë më të hershme.

Problemi tjetër kyq është se përbërja aktuale e “ekipit negociator”, nuk ka asnjë, them asnjë njohuri mbi format, mundësitë, të drejtat juridike ndërkombëtare dhe vënien në jetë të një procesi të tillë. Ky ekip nuk ka as forcën dhe aftësinë e angazhimit të garantëve ndërkombëtarë për evoluimin e përfundimin e këtij procesi. Nuk ka as miratimin e popullit në Kosovë e aq më keq kur shohim se i nëpërkëmbin edhe të gjithë shqiptarët të cilët janë të barabartë në mbrojtjen e interesave ku do që të gjinden nëpër hartat e kompozuara pa dëshirën e vet.

Një tjetër mundësi gjithashtu e pa dëshiruar dhe e vjetruar në botën e qytetëruar, është ndërrimi (mos të them deportimi) i etnive që eventualisht mund të rregullonte çështjen në mënyrë (flas me nuanca) pak më të drejtë por edhe për këtë duhet të konsultohen popujt e prekur si dhe instancat juridike në vend dhe në botë për kësi çështjesh delikate. Me një fjalë, edhe për këtë eventualitet, na duhen njerëz të aftë, me njohuri të mjaftueshme në lëmitë adekuate por duke vërë kusht edhe njohjen e Kosovës, nëse jo si shtet i pavarur, atëherë si bashkëbisedues i barabartë në të gjitha nivelet dypalëshe e shumëpalëshe.

Me një fjalë, Kosova dhe të gjithë shqiptarët, me të gjitha mënyrat që i mundëson e garanton demokracia botërore, duhet t’i parandalojmë të vendosin për çështje madhore kombëtare, njerëzit që ende bëjnë kalkulimet e tyre politike me numëratore në xhep.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat