Më shumë dukje se sa politikë

Opinione

Më shumë dukje se sa politikë

Nga: Falkona Hasani Më: 7 shkurt 2017 Në ora: 21:31
Falkona Hasani

Ideja se pamja në fushën e politikës ka një rëndësi të madhe nuk është e re . Ajo ka qëndruar e ngulitur qysh herët. Politika e pamjes së jashtme është ajo që privon shumë gra te bëhen pjesë e një fushe kaq te rëndësishme vendimmarrëse , e cila kërkon kalimin e shumë barrierave të tjera , përveç kësaj ( të pamjes së jashtme ). Ky është edhe një rast tjetër , ku gruaja nuk vlerësohet për atë se çfarë posedon brenda saj , mirëpo vetëm me atë se çfarë u ofron syve të tjerë për të shikuar .

Me dëshirën për të qenë politikane model (shembull) i punës së tyre dhe arritjeve të pa numërta, gratë në politikë shndërrohen në politikane “modele” ku pjesa më e rëndësishme e punës së tyre është ajo se çfarë do të veshin në takimin e radhës, cili do të jetë stilimi i ri i flokëve apo marka e kepucëve ?!…

Ky është ankthi i çdo politikaneje të re , e cila gjatë kërkimit te këshillave para hyrjes së saj në këtë arenë, ajo gjenë këshilla minimale për atë se çfarë veprimesh duhet të ndërmerrë si politikane, si dhe një lum këshillash mbi pamjen e saj dhe ajo nuk është e vetme në këtë rreth, sepse këtu perfshihen edhe emrat më të njohur të politikes .

Kemi parë rastin kur Trump tallet me dukjen e Hillary Clinton , sepse në sytë e tij ajo nuk dukej aq bukur. Harrohen fare veprat e Michelle Obama dhe roli i saj në politikën amerikane , duke e shikuar mënyren se si një Zonjë e Parë do të duhej të dukej gjithmonë e përsosur.

Nëse vazhdojmë serinë e grave të fuqishme , Kate Middleton s’mund të mungojë , pasi që çdo veprim i saj është i “pavlerë” para linjës së fustaneve të fundit që ajo ka veshur. Laura Chichilla mund të futet në këtë listë ndër të parat politikane të veshura më së bukuri , duke harruar se ajo udhëhoqi Costa Ricen për 4 vite radhazi.

Për Margaret Thatcher flasin perlat dhe çantat që ajo ka përdorur . Një lidere si Helle Thorning Schimidt nuk ka si t’i mungoi kësaj liste për shkak se më shumë njihet si një lidere “fashionista” sesa për punën e madhe që bën ajo si kryeministre e Danimarkes. Natyrisht duke mos harruar asnjëher Angela Merkel , emri i së cilës lakohet mjaft shpesh rreth pamjes së saj.

Ciklit të grave që japin shumë më shumë sesa pamja por, vlerësohen më shumë për të sesa për çdo gjë tjetër, dhe kësaj nuk mund t’i largohen as politikanet nga vendi ynë , të cilat pa dyshim se punojnë shumë, mirëpo vlerësohen më shumë lajmet e tyre për shtypin rozë; se nga cila disenjatore bëhen veshjet e tyre, sesa nga kontributi i tyre në shtetformim. Skena ynë politike ofron shumë emra të ndritur të grave lidere.

Pra , kemi bërë një hap të madh por , pa dyshim hap më i madh se ky do të jetë hapi që do të bëjmë drejt asaj se, gratë nuk duhet te shihen si objekte por, shumë më shumë se aq dhe nuk duhet që pamja e tyre ti frikësojë ato që nesër të bëhen lidere dhe t’u japin njerëzve mesazhin se, ato janë çfarë fshihet brenda tyre dhe jo ajo që ato e tregojnë nga jasht, sepse asnjë sasi e bukurisë së jashtme nuk ka vlerë më të madhe se sa ajo çka e kemi brenda. Me shpresë se mendja ynë do të reflektojë më shumë sesa ajo që shohim në pasqyrë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat