Gjysmështetet si rezultat i gjysmanalfabetizmit në shoqëritë e Ballkanit

Opinione

Gjysmështetet si rezultat i gjysmanalfabetizmit në shoqëritë e Ballkanit

Nga: Gjyla Çeliku Më: 14 shkurt 2017 Në ora: 08:00
Foto ilustruese

Në kohën e sotme, mbizotëron tendenca që gjithçka të globalizohet, jo vetëm tregjet, ekonomia, por edhe politika, arsimi, shkenca, format e jetesës. Megjithatë, jo secila shoqëri i ka dhënë një kahje të duhur trendit të globalizimit, për më tepër, disa sosh kanë rrëshqitur në këtë trend dhe përballen me kriza të mëdha morale dhe institucionale.

Ëndrrat e njerëzve për një mënyrë më të mirë jetese janë kthyer në makthin e tyre të përditshëm, ngaqë brenda natës kanë lindur elita të rrejshme akademike, politike e shoqërore, të cilat e kanë vënë në pikëpyetje edhe entitetin ‘shtet’, të cilin nuk kemi si ta emërtojmë ndryshe përpos: Gjysmështet me në krye gjysmanalfabetët. Krizë kjo që i nxjerr në pah gjysmanalfabetët dhe i zhbën vlerat universale shoqërore dhe, në të njëjtën kohë, nuk e lë shpirtin individual të pasurohet me njohuri të reja dhe ia cungon dëshirën e tij për humanizëm.

Bota globale në kombinim me teknologjinë nxjerr në pah vetëm formën, duke anashkaluar përmbajtjen dhe rrëshqet pahiri në egoizmin dhe dëshirën për të përvetësuar pronën publike e shoqërore, qenësore për një zhvillim të natyrshëm dhe të domosdoshëm. Fenomenet e gjysmështeteve vijnë në shprehje në Ballkanin Perëndimor, të zaptuar fund e krye nga gjysmanalfabetët. Kriza në arsim në botën globale bëhet formë mbizotruese duke zhdukur ambiciet shpirtërore dhe pretendimet e të arsimuarit ose edukuarit. Arsimimi është qeliza e çdo shoqërie dhe shteti. Me arsimim vjen deri te krijimi i individualizmit, shoqërive autonome dhe shteteve të fuqishme dhe sovrane. Shtetet që sot arritën të udhëheqin botën, investimin më të madh e bënë në arsimim në forma të ndryshme dhe sot ruajnë jo veç sovranitetin e vet por edhe të vendeve tjera, si rast konkret mund të marrim rastin e intervenimit të Amerikës në Kosovë. Ne sot që jetojmë në vendet, që ende janë në fazë tranzicioni, siç është Ballkani Perëndimor, dështimi nuk është vetëm politik, por edhe kolektiv-shoqëror, sepse në mënyrë sistemore ne kemi kontribuuar, duke ngritur gjysmepolitikanë, të cilët për vizionin e tyre e patën krijimin e gjysmështeteve.

Arsimimi është shndërruar në gjysmanalfabetizëm, sepse mungon ndërgjegjja individuale dhe vetëdija kolektive, të cilat gjithsesi se reflektojnë edhe në degradimin e përgjithshëm institucional sa i përket arsimit. Gjysmanalfabetizmi është virusi më i keq dhe më i dëmshëm dhe dobësi e kohës, pasi secili mendon se di më shumë se tjetri, kur e ndjen konkurrencën nuk të jep hapësirë, stërngarkohet me aq sa di vetëm e vetëm të dëshmojë se bën diçka, krenaria e shfaqjes së formës jo përmbajtjes, mosnxjerrjes në dritë të asgjëje produktive dhe frytdhënëse. Veti këta me të cilat Gjermania u përballë pas Luftës së Dytë Botërore, ku edhe me të gjitha masat e mundshme u luftua ky fenomen nga të gjitha shtresat intelektuale të asaj kohe dhe e solli Gjermaninë këtu ku është sot. Pastaj, po t’i analizojmë Francën dhe Anglinë në shekullin XVII dhe XVIII, vërejmë një investim intensiv dhe sistematik në arsim, ku ai nuk ishte vetëm virtyt i emancipimit të qytetarisë, por ishte nevojë e shoqërisë, që garantonte një vend pune më të mirë dhe një avancim shoqëror. 

Mjafton që ne, politikanë e intelektualë, duke vetëreflektuar mbi dëmet, të cilat ia sollëm kësaj shoqërie për dy dekada, të zhvishemi nga egoja personale dhe së bashku të krijojmë programe afatgjate, platforma arsimore, të cilat në një perspektivë afatgjate, siç thotë populli, të mbjellim sot dhe të korrim nesër, do të jenë shpëtimtarët e vetë politikës, shtetit dhe shoqërisë, sepse gjysmështetet me gjysmanalfabetët në krye nuk i shërbejnë dot as vetes së vet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat