18-shkurt, Mirdita në Tiranë!

Opinione

18-shkurt, Mirdita në Tiranë!

Nga: Dr. Albina Deda Më: 15 shkurt 2017 Në ora: 21:53
Albina Deda, Deputete e Mirditës

Prite Mirditën Edi Rama më 18 shkurt! Prite Shqipërinë në zyrën e blerë me dhunë me krim, me drogë e mashtrim.

Thuaju Mirditës po je burrë që të parët e mij të vranë e unë ju rivras. Por kujdes se shpirti i martirëve të Qafë-Valmirit po na thërret. Ata martirë që prindi yt e daja yt byroisti i varrosi për së gjalli! Se Mirdita ime, Mirdita jonë, është Republika e qëndresës, e nacionalizmit, e besës ndaj Zotit dhe nuk mund ta dhunosh as ta drogosh!

Ti mendove se duke i dhënë pushtet e qytetari krimit e kriminelëve mund të mbysësh ëndërren e shpresën, krenarinë e besën tonë me demokracinë. Por gabohesh e gabimin do ta lash me 18 shkurt. Ty nuk të japim asnjë sekondë afat. Se c'do sekondë e jotja aty për Mirditën e Shqipërinë është vuajtje e varfëri është krim e largim i rinisë nga trojet e veta.

Mirdita dhe Shqipëria heshtën gjatë, jo se u nënshtruan dhe as u mashtruan, por refkektuan. Dhe reflektimi ynë do përkthehet më 18 – Shkurt, aty në shesh, përballë zyrës që ti ke uzurpuar për të na dhunuar fyer e varfëruar.

Dije mirë se më 18 shkurt, po shkurt do t’i prejmë drutë për ty e bandën.

Aty na prit, se nuk do paguajmë 10 euro haraç për të shkuar në trojet tona. As Mirdita, as Kukësi, as Hasi e Tropoja, as Presheva e Kosova. Mirdita e Shqipëria nuk kanë paguar xhelepet e pashallarëve të Perandorisë Osmane e jo ti nënshtrihen një oligarku paranojak si ti. Ndaj prit aty e shpjegohu.

Ikja do jete pak, por duam shjegim. Se me taksat tona je paguar, me gjakun tonë je majmur dhe jo me zhgarravinat që merr nën sqetull në udhëtimet me çarter anembanë globit.

Ikja jote nuk do jetë e rradhës, por mësimi e precedenti që do ndërgjegjësojë vetë politikën të matet mirë kur premton, kur vjedh e dhunon popullin e vet!

Këtë apel nuk e kam politik.

Jam mirditorja studente e Dhjetorit ’90, e rritur në skamje e mjerim nga rraca juaj, të cilës ju monstra kleptokrate doni t’i vidhni ëndërrën. E si unë është Mirdita është Shqipëria!

Jam nëna, që nën qeverisjen tuaj nuk kam garanci për jetën e fëmijës, ilace për prindërit.

Jam qytetarja, që sheshin e qytetezës ku linda ma shkatërove për të varrosur paratë e korrupsionit e pishat i preve për ta gjelbëruar Rrëshenin e Shqipërinë me hashash.!

Po kush je ti shpirtëzi e i papërgjegjshëm që sillesh si Sulltan. Mos harro se Mirdita e Shqipëria do jenë të vendosur e do të tregojnë se në zemrën e Europës të qytetërimit, në atdheun e Shenjtorëve e Asketeve të Krishtërimit nuk do mund të mbijetojnë Sulltanë as diktatorë. Se simboli i kombit tonë nuk është lepuri, por shqiponja.

18-ta nuk do jetë test politik, por sfida për jetën, beteja pa kthim për shpresën.

Na prit aty na ke! Dhe dije se ke përballë ndërgjegjen e një kombi në trishtim ndaj bëj gati dorëheqje e largim!

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat