Kosova dhe zgjedhja e Hobsonit

Opinione

Kosova dhe zgjedhja e Hobsonit

Nga: Adrian Gjoshi Më: 15 shkurt 2017 Në ora: 22:27
Adrian Gjoshi

Tomas Hobson, një ndërmarrës londinez, tregtar kuajsh, njihet për strategjinë e të bërit biznes. Ai konsumatorëve u’a ofronte me qira kalin që (qëllimisht) e linte më afër derës së stallës së tij; dhe jo atë që konsumatorët zgjedhnin. Këtë e bënte për të mos i lodhur vetëm kuajt e mirë që kishte në stallë. Hobson linte zgjedhje pa një zgjedhje tjetër të mundshme apo me fjalë tjera, ishte zgjedhje e lirë pa pasur alternativë reale.  Në këto kushte, ose duhej të merrej kali i ofruar ose të mos merrej asnjë. Ngjashëm me këtë, qytetarët e Kosovës gjenden para zgjedhjes së Hobsonit - ose të marrin mjerimin e ofruar -  ose të ikin!

Që nga data 17 shkurt 2008, u bënë 9 vite që kur Kosova shpalli pavarësinë; kjo datë mbushi zemra, rrugë e sheshe. Ishim optimist kur u shpall pavarësia, u bëmë pesimist kur u vazhdua me pavarësinë, pavarësinë e varur dhe me probleme. Optimizmi u zbeh, zemërata u rrit edhe më shumë, kur ata që - do duhej të punonin fort duke drejtuar vendin - punuan fort pak duke mos punuar për vendin.

Duke lënë anash pavarësinë e varur dhe tutelë, gjatë gjithë kësaj periudhe, Kosova u përshkua me drejtësi të padrejtë e selektive  - ende ka problem serioz me sundimin e ligjit; shëndetësi “të sëmurë” -  medikamentet esenciale dhe materiali shpenzues duhet blerë nga vet pacientët, e për shërim (shpesh) duhet shkuar jashtë vendit; cenim të sovranitetit - kushtetuta e Kosovës është e paaplikueshme në gjithë territorin e Kosovës; kompromise të dëmshme - edhe formalisht - rrezikohet Kosova - me krijimin e shtetit brenda shtetit, e shumë sfida e probleme tjera.

Si rezultat, nga viti 2009 e deri në vitin 2017, rreth 40 mijë qytetarë të Kosovës kanë hequr dorë nga nënshtetësia e Kosovës; shtet ky ku qytetarët nuk kanë as siguri jurdike dhe as mirëqenie sociale. Kështu, qeverisjet Kosovare (lexo: kasta politike) i ofroi qytetarëve zgjedhje pa alternativë, ose të rrinë pa siguri e pa mirëqenie ose të ikin prej vendit të tyre!

Në këtë drejtim, arsyet e emigrimit në përgjithësi janë faktorët tërheqës dhe shtytës. Faktorët tërheqës shikohen si faktorë pozitiv sepse në kohën e globalizmit, kufinjtë janë të parëndësishëm. Nga prizmi mikroekonomik, emigrimi quhet vendim investues, pra një vendim individual dhe racional që bëjnë njerëzit; për mundësitë më të mira për punë, kushte më të mira të jetës, arsimim etj. Derisa faktorët tërheqës janë pozitiv, faktorët shtytës kanë karakter negativ, ndër këta faktorë janë krizat dhe mungesa e mundësive për punësim. Kosovarët u detyruan prej vitesh të ikin prej vendit të tyre nga ky faktori i fundit. Tërheqja mund të konsiderohet e zhveshur nga nevoja, por shtytja kurrsesi, ajo koekziston me nevojën.

Përveç burimeve materiale, burimet njerëzore u keqtrajtuan shumë, numër i madh i kuadrove të mirëshkolluara, me grada të larta shkencore i’u pamundësua punësimi (adekuat). Edhe ndaj atyre që studiuan jashtë vendit, procesi i nostrifikimit ishte/është proces traumatizues e burokratik.

Vendet e zhvilluara kanë strategji kombëtare dhe plane vepruese për t’i joshur kuadrot profesionale. Gjermania, për shembull, ka krijuar politika skajshmërisht të favorshme për punëtorët e kualifikuar, duke mundësuar që fillimisht të marrin leje për qëndrim të përkohshëm ose "kartën blu"; dhe pastaj nëse punonjësi mbetet i punësuar kur leja e përkohshme skadon, leja vazhdohet deri në zgjidhje të përhershme. Pra, shtetet e zhvilluara, investojnë në “fitim truri”, ku kuadrot e huaja profesionale akomodohen duke punuar e jetuar në vendin e tyre.

Për t’u kthyer te Hobsoni, sigurisht s’e mjerimi nuk është shkaktuar për t’i ruajtur “kuajt më të mirë” (lexo: resurset), por për t’i shfrytëzuar dhe për t’i shitur për vete. Pra, nuk i’u shërbye shtetit, por ndaj tij u bënë tregtar, dhe atë, tregtar të kqinjë. Kosova është bërë si stallë, është bërë si mos më keq, sepse qeverisjeve Kosovare i ka ikur truri (kanë rrjedhur); dhe rrjedhimisht, Kosova ka “ikje truri”. Për të pasur ndonjëherë progres, qeverisjet e përbindshme Hobsoniane duhet ikur. Kjo, meqë është e pashmangshme s’e, periudha tranzicionale kalohet vetëm me udhëheqës tranzicional; dhe jo me ata që - nuk zgjedhen mjetet për ta arritur qëllimin - për të mbetur në pushtet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat